Delegation of the European Union 
to the United States

Takimi i 17-të i Komitetit të Stabilizim-Asociimit midis Bashkimit Evropian dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut Takimi Virtual, 17 korrik 2020

Bruksel, 19/07/2020 - 10:54, UNIQUE ID: 200719_1
Press releases

 

Takimi i 17-të i Komitetit të Stabilizim-Asociimit midis Bashkimit Evropian dhe Maqedonisë së Veriut (Komiteti i SA), që duheshte të mbahej në Shkup, u mbajt në mënyrë virtuele më 17 korrik 2020. Takimi u bashkë-kryesua nga Znj Kalinka Gaber, Sekretare shtetërore për çështje evropiane në Maqedoninë e Veriut dhe Znj Genoveva Ruiz Calavera, Drejtore për Ballkanin Perëndimor në DG NEAR.

Takimi i Komitetit të SA u mbajt katër muaj pas vendimit të Këshillit për të hapur negociatat aderuese me Maqedoninë e Veriut dhe disa javë pasi Komisioni dorëzoi draft-kornizën e bisedimeve në Këshill. Takimi vuri në dukje këto dy hapa të rëndësishëm në procesin e pranimit të Maqedonisë Veriore dhe diskutoi rrugën përpara.

Komiteti i SA vuri në dukje se OSBE / ODIHR vlerësoi se zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbajtura më 15 korrik 2020 në përgjithësi u zhvilluan mirë dhe me disa adaptime për shkak të pandemisë dhe fushata ishte vërtet konkurruese, por stabiliteti ligjor ishte minuar me rishikime thelbësore të kornizës ligjore dhe dekreteve të mëpasshme të qeverisë. Adresimi i rekomandimeve të mbetura të OSBE / ODIHR shumë përpara ciklit të ardhshëm zgjedhor mbetet një përparësi për vendin.

Komiteti i SA e shqyrtoi gjendjen në lidhje me kriteret politike dhe ekonomike, përafrimin me legjislacionin e BE-së (acquis), si dhe zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit. Ai mirëpriti përparimin e arritur në avancimin e reformave të BE-së, veçanërisht në fushat e identifikuara në Konkluzionet e Këshillit në vitin 2018, rekomandimet e raportit të Komisionit në vitin 2019 dhe përfundimet e Nënkomitetit të MSA-së, si dhe udhëzimet e dhëna në kontekstin e Programit të Reformës Ekonomike. Miratimi dhe hyrja në fuqi e Ligjit për Prokurorinë Publike u mirëprit, por u nënvizua nevoja për të vazhduar me reformat në gjyqësor. Janë vërejtur përmirësime në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ndërsa u potencua se duhet të vazhdohet me këto përpjekje me tempo të shtuar në këto fusha.

Komisioni Evropian inkurajoi të gjitha partitë politike dhe aktorët vendorë që të punojnë së bashku në ruajtjen dhe forcimin e dialogut politik dhe të vazhdojnë me realizimin e mëtejshëm të axhendës evropiane, përfshirë në fushat kryesore si gjyqësori, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, shërbimeve të sigurisë, administratës publike, në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe transparente. Komisioni Evropian përshkroi rëndësinë e ruajtjes së përparimit në përafrimin me legjislacionin e BE-së.

Delegacionet rikujtuan Konkluzionet e Këshillit të marsit të vitit 2020 dhe rëndësinë e marrëdhënieve të mira fqinjësore, përfshirë zbatimin e Marrëveshjes së Prespës dhe Marrëveshjes për Marrëdhënie të mira fqinjësore me Bullgarinë.

Siç thuhet në deklaratën e përbashkët të Përfaqësuesit të Lartë / Zëvendës-Presidentit Zhozep Borrell dhe Komisionerit për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varheji, Bashkimi Evropian do të vazhdojë të mbështesë Maqedoninë e Veriut në rrugën e saj drejt BE-së dhe mezi pret që të mbajë Konferencën e parë Ndërqeveritare sa më shpejt të jetë e mundur.