Delegation of the European Union
to the United Nations - New York

BE, Ballkani Perëndimor dhe Turqia: punojnë së bashku për të kapërcyer efektet ekonomike të krizës

Tirana, Albania, 20/05/2020 - 16:31, UNIQUE ID: 200520_10
Press releases

Më 19 maj 2020, Ballkani Perëndimor dhe Turqia u mblodhën së bashku përmes video konferencës për dialogun e tyre vjetor shumëpalësh ekonomik dhe financiar me BE-në. Ministrat e Financave të shtatë partnerëve u takuan me homologët e tyre të BE-së dhe ranë dakord mbi Përfundimet e Përbashkëta që përshkruajnë sfidat kryesore ekonomike me të cilat përballen Ballkani Perëndimor dhe Turqia, si dhe udhëzimet e synuara politike që përqendrohen në reagimin e menjëhershëm të politikës fiskale, ekonomike dhe sociale për të lehtësuar ndikimin e pandemisë, si dhe kalimin nga masat afatshkurtra në masa më strukturore për të nxitur rimëkëmbjen ekonomike.

Palët shqyrtuan shkurtimisht sfidat kryesore me të cilat përballen Ballkani Perëndimor dhe Turqia në situatën aktuale. Ato theksuan gjithashtu nevojën për të siguruar një nivel të lartë të zbatimit të udhëzimeve politike të vendosur bashkërisht, çka do të jetë thelbësore për zbutjen e ndikimit të krizës, si dhe për të vendosur bazat për një rimëkëmbje të fortë dhe të qëndrueshme pas kësaj.

Dialogu bazohet në Programet e Reformës Ekonomike, të përgatitura nga secili partner i zgjerimit dhe të vlerësuara nga Komisioni Evropian dhe Banka Qendrore Evropiane. I gjithë procesi imiton një pjesë të koordinimit të politikave ekonomike midis Shteteve Anëtare të BE-së që zhvillohet gjatë Semestrit Evropian.

Në dritën e vlerësimit të PRE-së për Shqipërinë, vendi është i ftuar:

Ta mbajë të përkohshme rritjen e deficitit fiskal dhe të borxhit publik, ndërsa akomodon kostot fiskale të rindërtimit pas tërmetit, si dhe të adresojë ndikimin pandemik në një mënyrë transparente dhe me kosto efektive. Shqipëria gjithashtu ra dakord të përcaktojë afatet kohore për masat e lehtësimit të taksave, ndërsa paguan të gjitha rimbursimet e TVSH-së në kohë, si dhe të miratojë strategjinë afatmesme të të ardhurave, me një fokus të veçantë në rishikimin e shpenzimeve tatimore. Të parandalojë çdo rritje të stokut të të gjitha borxheve të shpenzimeve publike; rritjen e kapaciteteve institucionale për monitorimin dhe frenimin e rreziqeve fiskale që vijnë nga partneritetet publik-privat, koncesionet dhe ndërmarrjet shtetërore. Të monitorojë nga afër sfidat e stabilitetit financiar që vijnë si rezultat i pandemisë së koronavirusit dhe të ndërmarrë veprimet e duhura, nëse është e nevojshme. Të zgjidhë pengesat e mbetura ligjore për zgjidhjen e huave me probleme.

Me qëllim zbutjen e pasojave ekonomike të pandemisë Covid-19 dhe stimulimin e rimëkëmbjes ekonomike, Shqipëria është e ftuar të krijojë një mekanizëm efektiv dhe transparent për të mbështetur bizneset e prekura nga kriza, në veçanti ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, si dhe të vetëpunësuarit; të zgjerojë mbulimin e mbrojtjes sociale, të marrë masa afatshkurtra për të ruajtur punësimin, përfshirë përmes skemave afatshkurtra të punës, dhe pasi të largohet pandemia Covid-19, të garantojë shtimin e ofrimit të politikave aktive të tregut të punës, veçanërisht trajnimin, përmirësimin e aftësive dhe rikualifikimet. Të rrisë qasjen në kujdesin shëndetësor dhe mbulimin me sigurime shëndetësore publike, ndërsa redukton pjesën e pagesave nga xhepi në shpenzimet totale shëndetësore.

Duke marrë parasysh investimet e mëdha që do të bëhen për rindërtimin pas tërmetit, të shpejtohet miratimi i legjislacionit dytësor për ligjet mbi efiçiencën e energjisë dhe performancën e energjisë së ndërtesave, si dhe të sigurohen stimuj për masat e efiçiencës së energjisë në sektorin privat dhe në banesa.

Lidhja te Përfundimet e Përbashkëta të Dialogut me Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë mund të gjendet këtu: https://www.consilium.europa.eu/media/44029/st08101-en20.pdf

 

Shënim: Ushtrimi i Programit të Reformës Ekonomike i përgatit vendet kandidate dhe kandidatët potencialë për pjesëmarrjen e tyre eventuale në Semestrin Evropian, por ajo çka është më e rëndësishme, mbështet forcimin e qeverisjes ekonomike. Qeverisja e fortë ekonomike është themeli për stabilitetin makroekonomik dhe aftësinë për të zbatuar reformat strukturore, si dhe së fundmi, përmirësimin e jetës së qytetarëve përmes rritjes së zhvillimit dhe krijimit të vendeve të punës. Qeverisja e forcuar ekonomike do t’i ndihmojë gjithashtu Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë të zbusin ndikimin negativ të pandemisë, të nxisin rimëkëmbjen ekonomike dhe të rrisin qëndrueshmërinë e ekonomive, si dhe të plotësojnë gradualisht kriteret ekonomike të anëtarësimit për të pasur një ekonomi tregu funksionale dhe konkurruese.

FilePërfundime të përbashkëta mbi Shqipërinë

Languages:
Seksionet editoriale: