Delegation of the European Union to Ukraine

Fjalimi i Ambasadorit të BE-së Luigi Soreca në prezantimin e metodologjisë për "Monitorimin e integritetit gjyqësor"

Tirana, Albania , 24/05/2019 - 11:49, UNIQUE ID: 190524_22
Speeches of the Ambassador

E nderuar Ministre,

I nderuar kryetar i Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe i nderuar Kryetar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë,

të nderuar anëtarë të shoqërisë civile, akademikë, zonja dhe zotërinj,

Jam krenar që mbështes këtë veprimtari mbi drejtësinë, organizuar nga shoqëria civile.

Reforma e drejtësisë i dha një vrull të ri pjesëmarrjes së shoqërisë civile. Tani, ju nuk jeni thjesht vëzhgues apo vlerësues të sistemit, ju jeni aktorë në sistem. Zonja Llagami nga njëra anë dhe zoti Ibrahimi nga ana tjetër, janë shembulli konkret. Ata kryesojnë dy këshillat themelorë të drejtësisë dhe e bëjnë këtë si përfaqësues të shoqërisë civile.

Në këtë drejtim, reforma ka bërë një ndryshim thelbësor, duke hapur dyert për aktorët që monitorojnë, vlerësojnë dhe raportojnë për sistemin e drejtësisë, për të qenë me të vërtetë pjesë e tij dhe për të pasur një kontribut të drejtpërdrejtë në përmirësimin e tij.

Mesazhi im kryesor sot është t’ju inkurajoj të gjithëve ju që të jeni pjesë aktive e sistemit të ri të drejtësisë. Sistemi tani është edhe juaji dhe është gjithashtu përgjegjësia juaj e drejtpërdrejtë që ta përmirësoni dhe forconi atë ditë pas dite.

Dje përkujtova përvjetorin e vdekjes së Giovanni Falcone-s dhe citova një nga mesazhet e tij kryesore: "Një botë më e mirë nuk është një ëndërr e paarritshme por një përgjegjësi e të gjithëve ne". Kjo është e vlefshme më shumë se kurrë edhe tani këtu në Shqipëri.

BE-ja, si partneri juaj kryesor, po siguron që ju të keni në dispozicionin tuaj burimin e nevojshëm të fondeve dhe mbështet pjesëmarrjen e OShC-ve në sistemin e drejtësisë. Këtu ne e shohim këtë në praktikë, përmes kësaj skeme, të zbatuar nga Save the Children dhe duke mbështetur 34 grante të ndryshme të të gjitha përmasave në të gjithë vendin, nga Tropoja në Vlorë!

Ne sigurisht që do ta vazhdojmë mbështetjen tonë bashkë me një angazhim dhe partneritet më të madh në sektorin e drejtësisë. Kur shoh punën tonë, kjo është padyshim fusha kryesore e mbështetjes sonë dhe do të mbetet e tillë, duke pasur parasysh rëndësinë e Kapitullit 23 dhe 24 në procesin e integrimit dhe në fazat e hershme të negociatave të anëtarësimit në BE.

Sot, Instituti për Studime Politike dhe Ligjore do të paraqesë një mekanizëm për monitorimin e integritetit gjyqësor dhe monitorimin e çështjeve thelbësore si transparenca, paanshmëria dhe efikasiteti në dhënien e drejtësisë.

Shoqëria civile është një pjesë thelbësore e imunitetit të organit gjyqësor dhe bëhet veçanërisht kështu kur zhvillon mekanizma që sigurojnë monitorim të përhershëm dhe të vazhdueshëm.

Ruajtja e sistemit është detyrë e të gjithëve ne; është detyrë e çdo qytetari që refuzon të japë ryshfet; detyrë e të gjithë atyre që përdorin të gjitha mekanizmat ligjore për të denoncuar veprimet e paligjshme; detyrë e institucioneve, e dy këshillave tani dhe së shpejti edhe për Inspektoriatin e Lartë të Drejtësisë, për të garantuar që janë ndërmarrë masa konkrete kundër shkelësve, por edhe që është ngritur një sistem i shëndoshë llogaridhënës.

Pjesa më e madhe e popullit shqiptar dëshiron që reforma të funksionojë dhe dëshiron të shohë rezultatet e saj të plota. Këto aspirata nuk duhet të zhgënjehen, sepse qëllimi është kombëtar. Është një vizion që nuk ndan, por bashkon.

Sot ne numërojmë më shumë institucione të reja se dje dhe nesër do të numërojmë më shumë.

Sa i përket integritetit, është arritur përparim i madh në vënien para përgjegjësisë të gjyqtarëve dhe prokurorëve, asetet, formimi dhe profesionalizmi i të cilëve nuk ishin të qarta.

Reforma në drejtësi po zbatohet në përputhje të plotë me Kushtetutën e Shqipërisë dhe legjislacionin kombëtar përkatës. Ky është një proces kompleks, por reforma po ecën përpara dhe është e pakthyeshme, dhe është me rëndësi të madhe që të gjitha institucionet shqiptare ta mbështesin atë.

Pas disa ditësh ne, Komisioni Evropian, do t’i paraqesim edhe shoqërisë civile, ashtu siç kemi bërë gjithmonë, vlerësimin tonë të plotë për progresin e vendit me të gjitha hollësitë e tij.

Vlerësimi do të shqyrtojë tranzicionin, progresin e bërë dhe progresin që ende nevojitet. Sigurisht që tranzicionet janë sfiduese, ato kërkojnë qëndresë dhe durim. Por nuk duhet të harrojmë se çmimi që do të duhet të paguanim pa këtë reformë do të ishte shumë më i lartë për të ardhmen e Shqipërisë.

Reforma e drejtësisë dhe procesi i integrimit në BE në Shqipëri duhet të jetë një përparësi për çdo politikan shqiptar, një arsye për unitet, jo përçarje, për të mirën e qytetarëve. BE-ja do ta vazhdojë mbështetjen e saj ndaj procesit të reformës dhe do të sigurojë monitorimin e duhur të standardeve në bashkëpunim të ngushtë me SHBA-të.

Më lejoni të përgëzoj organizatorët dhe pres me padurim veprimtari në të ardhmen ku shoqëria civile dhe institucionet e drejtësisë të diskutojnë haptazi reformat themelore siç është reforma e drejtësisë.

Faleminderit!

Languages:
Seksionet editoriale: