Delegation of the European Union to Ukraine

Bashkitë në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian - Raporti i parë 2018

26/04/2018 - 12:45
Reports

Bashkimi Evropian është plotësisht i vendosur të mbështesë Shqipërinë në rrugën drejt anëtarësimit në BE. Anëtarësimi bëhet realitet nëpërmjet kontributit të të gjitha niveleve të qeverisjes dhe të gjithë shoqërisë. Kur administrata vendore dhe qytetarët përfshihen në mënyrë të drejtpërdrejtë, mund të mësojnë më mirë, të përqafojnë mundësitë dhe të përballen në mënyrë me efektive me sfidat që mbart integrimi në BE.

Ngritja e një Këndi të BE-së/EU Desk në çdo bashki kushtuar Bashkimit Evropian është një nismë e përbashkët me autoritetet shqiptare. Këndet e BE-së janë ngritur tashmë dhe janë funksionale. Ato kontribuojnë në shpërndarjen e informacionit dhe angazhimin e administratës vendore dhe qytetarëve në çështjet që kanë lidhje me BE-në: politikat e saj, fondet dhe programet. Gjithashtu, ato janë mjaft thelbësore në matjen e kontributit të bashkive në përputhje me axhendën që ka vendi në lidhje me BE-në.

Integrimi në Bashkimin Evropian përbën një sfidë më vete. Me progresin në hapat drejt aderimit, drejtuesit e qeverisjes lokale dhe administratat e tyre do të përballen edhe me më shumë kërkesa të tjera që duhen plotësuar. Ata duhet të sigurojnë që qytetarëve të tyre t’u ofrohen të njëjtat shërbime, ashtu si edhe qytetarëve të Bashkimit Evropian dhe që demokracia lokale të zbatohet në mënyrë efiçiente dhe gjithëpërfshirëse. Zhvillimi i politikave dhe programeve të reja duhet të bazohet në të dhëna të vërtetueshme, të mbështetura plotësisht në informacione të qarta dhe të sakta sa u përket zbatimit të standardeve dhe kritereve të BE-së në nivel vendor.

Ky Raport i performancës së Bashkive në lidhje me çështjet e BE-së është ushtrimi i parë i këtij lloji. Ai bën një fotografim të shpejtë të situatës lidhur me statusin e përmbushjes së përgjegjësive të bashkive shqiptare që qartazi lidhen me procesin e anëtarësimit të vendit. Bashkitë japin një kontribut shumë të rëndësishëm ndër të tjera edhe në fushën e sundimit të së drejtës, të drejtave të njeriut, politikave sociale, bujqësisë dhe zhvillimit rural, arsimit dhe mjedisit. Tani që Shqipëria po zhvillon një arkitekturë institucionale kushtuar posaçërisht integrimit në BE në nivel vendor, ky ushtrim do të shërbejë si një pikë e rregullt referimi për monitorim të mëtejshëm të procesit të integrimit në BE në nivel vendor.

Së bashku me Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe Ministrinë e Brendshme, ne besojmë se bashkitë shqiptare që do të kontribuojnë si një motorr i fuqishëm në rrugën e vendit drejt Bashkimit Evropian.

 

SH.S.Zj. Romana Vlahutin Ambasadore e BE-së në Shqipëri

Languages:
Seksionet editoriale: