Delegation of the European Union to Uganda

Dita e Shumanit në vitin 2020 – pikëpamja ime personale për Idenë Evropiane

08/05/2020 - 19:55
From the blog

Më 9 maj ne shënojmë Ditën e Evropës. 70 vjetori i Deklaratës së Shumanit ofron një mundësi për të reflektuar për atë se çka nënkupton integrimi evropian dhe për rolin e BE-së në botë. Dua të përdor këtë postim në ‘blog’ për ta bërë këtë nga një këndvështrim personal, për të treguar se pse Evropa si ide dhe projekt politik ia vlen të mbrohet

HRVP Josep Borrell on Europe Day

 

Ashtu si për të tjerët, rrugëtimi im personal i ka drejtuar bindjet e mia politike.

Interesimi dhe përkushtimi im për idenë evropiane - personalisht dhe profesionalisht - datojnë që kur e fitova një bursë në moshën 17 vjeçare, atëbotë akoma nën regjimin e Frankos, për një ese mbi perspektivën e pranimit të Spanjës në atë që quhej atëherë ‘Tregu i Përbashkët Evropian’. Për mua dhe gjeneratën time në Spanjë, që jetonim në një diktaturë ushtarake, Evropa ishte një simbol i shpresës, progresit, demokracisë, lirisë dhe solidaritetit.

Kur e kam kaluar herët e para kufirin e shtetit tim - diçka që nuk ishte aq e lehtë atëherë siç u bë më vonë – ka qenë për për të punuar si student gjatë verës: për të punuar në një fermë në Danimarkë, në sektorin e ndërtimtarisë në Gjermani, në biznes të hotelerisë në Britani dhe për vjelje të rrushit në Francë. Udhëtimi nëpër Evropë më dha perspektiva të reja, liri të reja dhe rastin për të ndjekur mundësi të reja. 

Pas studimeve në Universitetin Politeknik të Madridit, në verën e vitit 1969, punova në një kibuc (kibbutz) dhe udhëtova nëpër tërë Izraelin dhe në territoret e okupuara palestineze, nga Rrafshnaltat e Golanit e deri në Eilat. Ky ishte kontakti im i parë me konfliktin izraelito-palestinez. Ai shërbeu si një përkujtim i natyrës tragjike të historisë njerëzore dhe nevojës për të ikur nga historia. Gjithashtu kjo është pjesë e asaj që na motivon ne evropianëve.

Historia e Evropës është histori e luftërave për kufij. Miliona njerëz kanë vdekur si rezultat i tyre. Prandaj kufijtë janë vragë të historisë. Gjenialiteti i idesë së integrimit evropian ishte të thuhet, të pushojmë së luftuari për atë se ku janë kufijtë dhe në vend të kësaj të fokusohemi që t’i bëjmë ata të parëndësishëm. Në fakt, BE-ja është bërë kampione e botës në heqjen e kufijve. Fatkeqësisht, në shumë mënyra sot ka përsëri më shumë mure në botë sesa kur ka rënë muri i Berlinit.

Është pabesueshme dhe e dhimbshme të jetohet aktualisht në një Evropë ku kufijtë janë përsëri shumë të rëndësishëm, sepse janë mbyllur për njerëzit për më shumë se një muaj. Kishte dhe ka arsye të forta për ta bërë këtë. Por dëshiroj shumë që të gjithë ne të kthehemi te kufijtë e hapur, që të udhëtojmë përsëri nëpër Evropë, sapo të lejojnë rrethanat.

70-vjetori i Deklaratës së Shumanit është momenti që të kthehemi te parimet e para të asaj se çka është Evropa: paqe dhe demokraci, tejkalim i historisë, solidaritet ndërkombëtar, kufijtë të hapur. Duhet të mendojmë dhe të veprojmë me ambicie të mëdha. Siç e ka thënë Shumani në Deklaratën e tij: “Paqja botërore nuk mund të mbrohet pa bërë përpjekje kreative që janë në proporcion me rreziqet që e kërcënojnë atë”.

Shuman nuk mendonte me ambicie të vogël. As nuk ishte peng i mënyrave të vjetra të të menduarit. Projekti që ai e lansoi ka pasur sukses të mahnitshëm. Ai i mundësoi Evropës së thyer e në gërmadha që të besonte në vetvete dhe të ngrihej përsëri. Të rritet nga 6 anëtarë në 12, 15 e në 27 sa janë sot. Nga një komunitet i qymyrit dhe çelikut, në një treg të përbashkët, në Bashkim politik me ambicie për t’u bërë një aktor i vërtetë gjeo-politik.

Po, ka shumë arsye për të qenë kritik. Ne duhet të dëshmojmë se solidariteti nuk është një fjalë boshe dhe se e kemi seriozisht për një Evropë që mbron. Detyra e parë e qeverisë është që të mbrojë dhe BE-ja duhet të jetë në qendër të luftës kundër koronavirusit dhe luftës për rimëkëmbje. Pas një fillimi të pasigurt, BE-ja tani është mobilizuar në të gjitha frontet. Në fund të kësaj krize, ideali Evropian do të gjykohet nga qytetarët në bazë të përgjigjes në këtë pyetje të thjeshtë të tyre: “A më mbrojti Bashkimi Evropian?”.

Në thelb, Evropa duhet t’i adresojë tri sfida njëkohësisht. Së pari, duhet ta bëjmë kujdesin shëndetësor si pjesë e të menduarit tonë për sigurinë dhe qasjen ndaj sovranitetit Evropian. Së dyti, për të shmangur shkatërrimin e ekonomive tona, duhet të dalim me një përgjigje të fuqishme, të koordinuar dhe të imagjinuar mirë. Dhe së treti, Evropa duhet të udhëheqë një përpjekje të koordinuar botërore për të luftuar pandeminë. Është e qartë se nëse shtetet që veprojnë vetëm, nuk do të kenë sukses.

Për javë të tëra, qeveritë tona qëllimisht i kanë ngadalësuar ekonomitë tona për të na mbrojtur ne. Efektet e rënda ekonomike nuk janë pasojë e krizës shëndetësore, por e veprimeve të ndërmarra për ta parandaluar atë. Kjo nuk ka ndodhur kurrë më parë në histori. Këto rrethana të papara deri më sot po i prekin shtetet në shkallë shumë të ndryshme, gjë që rrezikon krijimin e tensioneve brenda Evropës dhe në mbarë botën. Fjalët kyçe sot janë siguria shëndetësore, qëndrueshmëria, autonomia strategjike, multilateralizmi dhe rimëkëmbja e gjelbër.

Bota e sotme është shumë e ndryshme nga ajo e kohës së Deklaratës së Shumanit. Kemi bërë rrugë për këto 70 vite, duke kapërcyer shumë kriza.

Si do të duket BE-ja pas 70 viteve? Kjo do të varet nga vendimet që i marrim sot.
Si dikush që ka jetuar gjatë historisë evropiane me të gjitha ngritjet dhe rëniet e saj, jam i bindur se duhet të mendojmë në mënyrë po aq të madhe dhe kreative sa Shumani - dhe të veprojmë në atë frymë.

 

Seksionet editoriale: