Delegation of the European Union to Swaziland

Deklaratë e përbashkët me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Grave 2018

Bruksel, 07/03/2018 - 17:19, UNIQUE ID: 180306_4
Joint Statements

Barazia mes grave dhe burrave është një nga vlerat themelore të Bashkimit Evropian të mishëruara në traktatet tona. Bashkimi ynë është pionier i trajtimit të diskriminimit gjinor dhe mund të jemi krenarë me progresin e arritur: Evropa është një nga rajonet më të sigurta dhe më të barabarta për gratë në botë.

Barazia mes grave dhe burrave është një nga vlerat themelore të Bashkimit Evropian të mishëruara në traktatet tona. Bashkimi ynë është pionier i trajtimit të diskriminimit gjinor dhe mund të jemi krenarë me progresin e arritur: Evropa është një nga rajonet më të sigurta dhe më të barabarta për gratë në botë.

Por puna jonë nuk ka përfunduar - rruga drejt barazisë së plotë në praktikë është ende e gjatë. Gratë dhe vajzat ende përballen me ngacmime, abuzime dhe dhunë. Shumë shpesh, gratë kanë pengesa në thyerjen e tavanit të qelqit, duke marrë paga më të ulëta dhe duke pasur më pak mundësi për karrierë dhe për zhvillimin e biznesit.

Ne duam që vajzat dhe gratë të arrijnë barazi në të gjitha aspektet e jetës: qasje në arsim, paga të barabarta për punë të barabartë, qasje në pozitat më të larta në kompani dhe në politikë, si dhe mbrojtje nga dhuna.

Avancimi i udhëheqjes së grave dhe fuqizimi ekonomik janë përparësi absolute për ne. Bashkimi Evropian ka vendosur legjislacion të ri për të përmirësuar ekuilibrin mes punës dhe të jetës për prindërit dhe kujdestarët që punojnë, si dhe një Plan Veprimi për të mbyllur hendekun gjinor të pagave; dhe po kujdesemi që të udhëheqim me shembullin tonë: në shkurt të vitit 2018, përqindja e grave në pozita drejtuese në Komisionin Evropian arriti 36%, nga 11% kur morëm detyrën në nëntor 2014. Presidenti Juncker është zotuar të arrijë 40% deri më 31 tetor 2019, në fund të mandatit tonë.

Gjithashtu, ne jemi konsistente në të gjitha aspektet e të gjitha politikave tona, si brenda BE-së ashtu dhe në veprimin tonë të jashtëm, duke promovuar barazinë gjinore dhe fuqizimin e grave. Politika jonë kontribuon në zbatimin e suksesshëm global të Synimeve të Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe Agjendës së Grave, Paqes dhe Sigurisë. Këtë vit, Ditët Evropiane të Zhvillimit do të përqendrohen në rolin jetësor të grave dhe vajzave në zhvillimin e qëndrueshëm, si dhe në pjesëmarrjen dhe udhëheqjen e tyre të barabartë në të gjitha sferat e jetës. Përveç kësaj, këtë vit BE-ja mban kryesimin e "Thirrjes për Veprim për Mbrojtje kundër Dhunës Gjinore", e cila bashkon mbi 60 shtete dhe organizata që përpiqen të sigurojnë trajtimin e dhunës me baza gjinore gjatë krizave humanitare.

Anembanë botës, Bashkimi Evropian ndihmon gratë dhe vajzat në zhvendosje e sipër ose të zhvendosura, të cilat janë viktima të dhunës, për shembull përmes iniciativës Spotlight, ose të cilat janë të përjashtuara nga arsimi, qasja e barabartë në shërbimet shëndetësore dhe të planifikimit familjar, tregu i punës dhe jeta politike në përgjithësi. Anembanë botës, mbi 15 milionë vajza të moshës së shkollës fillore nuk shkojnë në shkollë, kështu që BE-ja po ndihmon në rritjen e qasjes në arsim, nga Afrika, Amerika Latine dhe Lindja e Mesme, deri në Azinë Juglindore.

Barazia gjinore nuk ka të bëjë vetëm me drejtësinë dhe ekuitetin në Evropë - gjithashtu ka të bëjë me domosdoshmërinë për të arritur paqe, siguri, zhvillim, prosperitet ekonomik dhe rritje të qëndrueshme në mbarë botën.

Investimi në potencialin e grave dhe vajzave është investim në gjithë shoqërinë tonë, dhe është përgjegjësi e burrave dhe djemve po aq sa e grave dhe vajzave.

Seksionet editoriale: