Delegation of the European Union to Rwanda

Deklarata e Përfaqësueses së Lartë Federica Mogherini në emër të Bashkimit Evropian me rastin e Ditës Ndërkombëtare Kundër Homofobisë, Transfobisë dhe Bifobisë, 17 maj 2018

Bruxelles, 16/05/2018 - 12:19, UNIQUE ID: 180516_40
Statements on behalf of the EU

Deklarata e Përfaqësueses së Lartë Federica Mogherini në emër të Bashkimit Evropian me rastin e Ditës Ndërkombëtare Kundër Homofobisë, Transfobisë dhe Bifobisë, 17 maj 2018

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare kundër Homofobisë, Transfobisë dhe Bifobisë, Bashkimi Evropian riafirmon angazhimin e tij për të luftuar të gjitha format e diskriminimit dhe krimit të urrejtjes në bazë të orientimit seksual, identitetit gjinor dhe karakteristikave të seksit, si dhe të vazhdojë të promovojë dhe të mbrojë të drejtat e njeriut të personave lezbike, homoseksualë, biseksualë, transgjinorë dhe interseksualë (LGBTI).

Brenda dhe jashtë Bashkimit Evropian, personat LGBTI shumë shpesh janë objekt i dhunës dhe krimit të urrejtjes. Ata janë ende subjekt i shpeshtë i diskriminimit dhe keqtrajtimit në bazë të orientimit të tyre seksual, identitetit gjinor ose karakteristikave të seksit. Në shumë vende pasja e një partneri të të njëjtit seks mbetet krim. Njerëzit arrestohen, burgosen, dhe në disa raste ekzekutohen, vetëm për shkak të marrëdhënies në të cilën ndodhen. Edhe në vendet me mbrojtje ligjore të orientimit seksual, stigmatizimi për shkak të homofobisë, transfobisë dhe bifobisë mbetet i lartë, duke çuar në përjashtim social me kosto ekonomike dhe shëndetësore për shoqëritë.

Viti 2018 është një vit i rëndësishëm për të drejtat e njeriut, ndërsa shënojmë 70-vjetorin e Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut. Neni i parë i saj thotë: "Të gjitha qeniet njerëzore kanë lindur të lira dhe të barabarta në dinjitet dhe të drejta". Personat LGBTI nuk janë përjashtim, prandaj BE-ja do të vazhdojë të luftojë për "të drejta të barabarta për të gjithë", pavarësisht nga orientimi seksual.

Përmes një kombinimi të dialogëve politikë dhe atyre mbi të drejtat e njeriut, aktiviteteve për rritjen e ndërgjegjësimit, ndihmës financiare dhe mekanizmave specifikë të politikës, siç është "Lista e veprimeve të Komisionit Evropian për të avancuar barazinë e personave LGBTI" dhe “Udhëzime të BE-së për promovimin dhe mbrojtjen e gëzimit të të gjitha të drejtave të njeriut nga personat LGBTI", Bashkimi Evropian do të vazhdojë ta adresojë diskriminimin dhe dhunën në bazë të orientimit seksual ose identitetit gjinor, si dhe të tregojë angazhimin e Bashkimit Evropian për të avancuar barazinë e personave LGBTI në Bashkimin Evropian dhe më gjerë.

Sot Bashkimi Evropian nderon të gjithë ata që punojnë për të promovuar dhe mbrojtur të drejtat e njeriut të personave LGBTI. Na lejoni të përsërisim: "Mbrojtës të të Drejtave të Njeriut, ju nuk jeni vetëm dhe Bashkimi Evropian do të jetë gjithmonë me ju".

Seksionet editoriale: