Delegation of the European Union to Russia

Rojat Kufitare dhe Bregdetare Evropiane: Nis operacioni i parë i përbashkët jashtë BE-së

Tirana, Albania, 21/05/2019 - 16:06, UNIQUE ID: 190521_14
Press releases

Tiranë, 21 maj 2019

Sot Agjencia Evropiane e Rojave Kufitare dhe Bregdetare, në bashkëpunim me autoritetet shqiptare, nisi operacionin e parë të përbashkët në territorin e një vendi fqinjë jo anëtar të BE-së. Duke filluar nga data 22 maj, ekipet e Agjencisë do të dislokohen  së bashku me rojat kufitare shqiptare në kufirin greko-shqiptar për të forcuar menaxhimin e kufirit dhe për të rritur sigurinë në kufijtë e jashtëm të BE-së, në marrëveshje të plotë me të gjitha vendet në fjalë. Ky operacion shënon një fazë të re për bashkëpunimin ndërkufitar midis BE-së dhe partnerëve të saj të Ballkanit Perëndimor dhe është një tjetër hap drejt funksionimit të plotë të Agjencisë.

Veprimtaria prezantuese u zhvilloua në Tiranë, në prani të Dimitris Avramopoulos, Komisioner për Migracionin, Çështjet e Brendshme dhe Shtetësinë, Fabrice Leggeri, Drejtor Ekzekutiv i Agjencisë Evropiane të Rojave Kufitare dhe Bregdetare, Edi Ramës, Kryeministër i Shqipërisë dhe Sandër Lleshajt, Ministri i Brendshëm i Shqipërisë.

Dimitris Avramopoulos, Komisioner për Migracionin, Çështjet e Brendshme dhe Shtetësinë, tha: "Me dislokimin e parë të ekipeve të rojave kufitare dhe bregdetare evropiane jashtë BE-së, ne po hapim një kapitull krejtësisht të ri në bashkëpunimin tonë për migracionin dhe menaxhimin e kufijve me Shqipërinë dhe me të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor. Kjo është një kthesë e vërtetë dhe një hap me të vërtetë historik, që e afron këtë rajon me BE-në duke punuar së bashku në një mënyrë të koordinuar dhe reciprokisht mbështetëse për sfidat e përbashkëta, si menaxhimi më i mirë i migracionit dhe mbrojtja e kufijve tanë të përbashkët."

Fabrice Leggeri, Drejtori Ekzekutive i Agjencisë Evropiane të Rojave Kufitare dhe Bregdetare, tha: “Sot ne shënojmë një moment historik për agjencinë tonë dhe bashkëpunimin më të gjerë ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Shqipërisë. Ne po nisim operacionin e parë të plotë të përbashkët jashtë Bashkimit Evropian për të mbështetur Shqipëria për kontrollin kufitar dhe trajtimin e krimit ndërkufitar”.

Ndërsa Shqipëria mbetet përfundimisht përgjegjëse për mbrojtjen e kufijve të saj, Rojat Kufitare dhe Bregdetare Evropiane mund të japin mbështetje dhe asistencë teknike e operative. Ekipet e Rojave Kufitare dhe Bregdetare Evropiane do t’i mbështesin rojat kufitare shqiptare për të kryer kontrolle kufitare në pikat e kalimit, për shembull, si dhe për parandalimin e hyrjeve të paautorizuara. Të gjitha operacionet dhe dislokimet në kufirin shqiptar me Greqinë do të kryhen në marrëveshje të plotë me autoritetet shqiptare dhe greke.

Në fillim të operacionit, Agjencia do të dislokojë 50 oficerë, 16 makina patrullimi dhe një furgon me termo-vizion nga 12 shtete anëtare të BE-së (Austria, Kroacia, Çekia, Estonia, Finlanda, Franca, Gjermania, Letonia, Holanda, Rumania, Polonia dhe Sllovenia) për të mbështetur Shqipërinë për kontrollin kufitar dhe trajtimin e krimit ndërkufitar.

Forcimi i bashkëpunimit midis vendeve të treta prioritare dhe Agjencisë Evropiane të Rojave Kufitare dhe Bregdetare do të kontribuojë për menaxhimin më të mirë të migracionit të parregullt, do të rrisë më tej sigurinë në kufijtë e jashtëm të BE-së, si dhe do të forcojë aftësinë e Agjencisë për të vepruar në zonat fqinjë me BE-në, ndërsa i afron edhe më shumë ato me BE-në.

Të dhëna

Agjencia Evropiane e Rojave Kufitare dhe Bregdetare mund të kryejë dislokime dhe operacione të përbashkëta në territorin e vendeve fqinje jo-anëtare të BE-së, në varësi të arritjes së një marrëveshjeje status midis Bashkimit Evropian dhe vendit në fjalë. Marrëveshja status e negociuar me Shqipërinë dhe e nënshkruar në tetor 2018 hyri në fuqi më 1 maj 2019. Është e para marrëveshje e tillë që hyn në fuqi me një vend partner të Ballkanit Perëndimor.

 

Marrëveshje të ngjashme janë sigluar me Maqedoninë e Veriut  (korrik 2018), me Serbinë (shtator 2018), Bosnje dhe Hercegovinën (janar 2019) dhe me Malin e Zi (shkurt 2019) dhe janë në pritje të finalizimit.

 

Më herët këtë vit, sipas propozimit të Komisionit Evropian, Parlamenti Evropian dhe Këshilli vendosën të përforconin mandatin e Agjencisë Evropiane të Rojave Kufitare dhe Bregdetare, duke i dhënë asaj nivelin e duhur të ambicies që korrespondon me sfidat e përbashkëta me të cilat përballet Evropa në menaxhimin e migracionit dhe kufijve të saj. Kjo do të mundësojë kryerjen e operacioneve të përbashkëta dhe dislokimeve në vende jashtë zonave të afërta të BE-së.

Për më shumë informacion

Marrëveshja status mes BE-së dhe Shqipërisë mbi veprimet e kryera nga Agjencia Evropiane e Rojave Kufitare dhe Bregdetare në Shqipëri

Njoftim për shtyp: Menaxhimi i kufijve: BE nënshkruan marrëveshjen me Shqipërinë mbi bashkëpunimin me Rojat Kufitare dhe Bregdetare Evropiane (5 tetor 2018)

Njoftim për shtyp: Menaxhimi i kufijve: Agjencia Evropian e Rojave Kufitare dhe Bregdetare forcon bashkëpunimin operativ me Shqipërinë (12 shkurt 2018)

 

IP/19/2591

 

Kontakte shtypi:

 

Pyetje të përgjithshme: Europe Direct me telefon 00 800 67 89 10 11 ose me email 

Languages:
Seksionet editoriale: