Delegacioni i Bashkimit Europian në Republikën
e Maqedonisë së Veriut

Gjetjet kryesore të Raportit të vitit 2020 për Maqedoninë e Veriut

Bruksel, 06/10/2020 - 17:09, UNIQUE ID: 201006_47
Press releases

Kriteret politike

Maqedonia e Veriut vazhdoi të zbatojë reformat evropiane gjatë gjithë periudhës së raportimit. Përpjekjet vazhduan për të forcuar demokracinë dhe sundimin e ligjit, përfshirë aktivizimin e mekanizmave ekzistues të kontrollit dhe përmes diskutimeve dhe debateve për çështje në lidhje me politikat kyçe dhe legjislacionin. Partitë opozitare mbetën të angazhuara në Parlament dhe mbështetën çështjet kryesore me interes të përbashkët kombëtar, si reformat evropiane dhe procesin e integrimit në NATO, të cilës Maqedonia e Veriut iu bashkangjit në Mars të vitit 2020. Pas rezultatit të Këshillit Evropian në Tetor 2019, partitë politike vendosën në marrëveshje të përbashkët për të mbajtur zgjedhje të parakohshme parlamentare më 12 Prill 2020. Në përputhje me legjislacionin vendor, qeveria teknike, me Ministra dhe Zëvendës Ministra nga partia kryesore opozitare, u emërua në janar 2020. Pas shpërthimit të pandemisë së COVID-19, u shpall gjendje e jashtëzakonshme midis marsit dhe qershorit të vitit 2020, e cila i dha mundësi qeverisë teknike të sundojë me dekret. Zgjedhjet e parakohshme parlamentare u shtynë për në korrik 2020. Zyra për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut pranë Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE / ODIHR) vlerësoi se këto zgjedhje në përgjithësi ishin drejtuar mirë dhe fushata ishte vërtet konkurruese, por stabiliteti ligjor u dëmtua nga rishikimet thelbësore të kornizës ligjore dhe dekretet pasuese të qeverisë. Gjatë periudhës së raportimit, Parlamenti përmirësoi rolin e tij si forumi kryesor për dialog politik konstruktiv dhe përmbushi funksionet e tij legjislative, duke përfshirë miratimin e ligjeve kryesore në lidhje me BE-në. Sidoqoftë, rritja e konsiderueshme e përdorimit të procedurave të shpejta ngre shqetësime dhe duhet të kufizohet. Parlamenti veproi me një transparencë më të madhe dhe përdori funksionet e tij të mbikëqyrjes, duke rivendosur mekanizmat kontrollues mbi ekzekutivin. Parlamenti u shpërnda në shkurt të vitit 2020, në pritje të zgjedhjeve të parakohshme dhe pikëpamja e Kryetarit ishte se nuk mund të mblidhej përsëri. Pas zgjedhjeve të korrikut të vitit 2020, Parlamenti i sapoformuar zgjodhi qeverinë në gusht të vitit 2020.

Situata ndëretnike në përgjithësi mbeti e qetë. Janë bërë përpjekje për të forcuar marrëdhëniet ndëretnike dhe për të zbatuar Marrëveshjen Kornizë të Ohrit, e cila i dha fund konfliktit të vitit 2001 dhe siguron kornizën për ruajtjen e karakterit multietnik të shoqërisë. Shoqëria civile mbetet aktive dhe luan një rol kryesor në politikat dhe proceset e vendimmarrjes. Janë marrë masa për të zbatuar Strategjinë dhe Planin e veprimit 2018-2020 për bashkëpunimin midis qeverisë dhe shoqërisë civile. Sidoqoftë, nevojiten përpjekje për të siguruar një proces konsultimi më kuptimplotë dhe në kohë.

 

Reforma e vazhdueshme e shërbimeve të sigurisë rezultoi në formimin e Agjencisë së Sigurisë Kombëtare në Shtator të vitit 2019, e krijuar si një organ i pavarur shtetëror pa kompetenca policore, ndryshe nga ajo e mëparshmja, Byroja për Siguri dhe Kundërzbulimin (BSK). Kjo është në përputhje me rekomandimet e Grupit të Lartë të Ekspertëve për çështjet sistemike të sundimit të ligjit. Agjencia Operative Teknike vazhdoi të funksiononte. Nevojiten përpjekje të mëtejshme për të siguruar që ajo të ketë qasje në të gjitha mjetet e nevojshme për të realizuar mandatin e saj. Kapaciteti për mbikëqyrje parlamentare mbi shërbimet e inteligjencës duhet të forcohet.

Maqedonia e Veriut është e përgatitur mesatarisht në reformën e administratës së saj publike. Disa përparime u bënë në përmirësimin e transparencës, me miratimin e Strategjisë së Transparencës 2019-2021, funksionalizimin e portalit të hapur të të dhënave të qeverisë dhe publikimin e të dhënave për shpenzimet qeveritare. Raportet e monitorimit për zbatimin e Strategjisë së Reformave të Administratës Publike dhe Programit të Reformës së Menaxhimit të Financave Publike u prodhuan dhe u shoqëruan me veprime të duhura dhe të dukshme. Sigurimi i respektit për parimet e transparencës, meritës dhe përfaqësimit të drejtë mbetet thelbësor.

Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit vazhdoi të trajtojë pretendimet për nepotizëm dhe ndikim politik në procesin e rekrutimit të punonjësve në sektorin publik. Duhet të sigurohet ndjekje e duhur e raporteve dhe rekomandimeve të Komisionit Shtetëror.

Sistemi gjyqësor i Maqedonisë së Veriut ka një nivel të caktuar të përgatitjes / është i përgatitur mesatarisht. Ka pasur progres të mirë në zbatimin e strategjisë së reformës gjyqësore, duke adresuar kështu 'Prioritetet Urgjente Reformuese’ dhe rekomandimet nga Komisioni i Venecias dhe Grupi i Ekspertëve të Lartë për çështjet sistemike të Sundimit të Ligjit. Akoma janë të nevojshme përpjekjet për të siguruar zbatimin sistematik të planit të përditësuar aksional të strategjisë së reformës gjyqësore. Institucionet gjyqësore po zbatojnë rregulla të reja për emërimin, ngritjen në detyrë, masat disiplinore dhe shkarkimin e gjyqtarëve kurse Këshilli Gjyqësor ka ushtruar rolin e tij në mënyrë më proaktive. Si rezultat i përpjekjeve të saj për reforma në vitet e fundit, Maqedonia e Veriut ka krijuar mekanizma për të siguruar pavarësinë gjyqësore dhe llogaridhënien, siç janë rregullat për emërimet e bazuara në merita, kontrollimin e pasurisë dhe konfliktet e interesit dhe procedurat disiplinore. Ajo duhet të sigurojë përdorimin e tyre në mënyrë të vendosur dhe të qëndrueshme përpara se të parashikojë ndryshime të mëtejshme në këtë fushë. Ligji për Prokurorinë Publike hyri në fuqi në Qershor 2020.  Qëllimi i ligjit është ndër të tjera të sigurojë një zgjidhje të qëndrueshme për rastet e Prokurorisë Speciale dhe të caktojë përgjegjësi për krimet që burojnë nga dhe prej përgjimeve të paligjshme. Ligji i reviduar për Këshillin e Prokurorëve Publikë u miratua gjithashtu. Zbatimi efektiv i kornizës ligjore si dhe përpjekjet e rritura nga të gjithë aktorët për të demonstruar shembullin e tyre pozitiv do të kontribuojnë në rritjen e besimit të opinionit publik në gjyqësor.

Sa i përket luftës kundër korrupsionit, Maqedonia e Veriut ka një nivel të caktuar të përgatitjes / është e përgatitur mesatarisht. Është bërë përparim i mirë përmes konsolidimit të dosjes së hetimeve, ndjekjes penale dhe gjykimin e rasteve të nivelit të lartë të korrupsionit. Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit ka qenë veçanërisht pro-aktiv në parandalimin e korrupsionit dhe hapi një numër të madh çështjesh, përfshirë ato me zyrtarë të nivelit të lartë nga i gjithë spektri politik, në përputhje me rekomandimin e vitit të kaluar. Përpjekjet vazhdojnë për procesuimin e rasteve të Prokurorisë Speciale dhe për përcaktimin e përgjegjësisë për përgjimet e paligjshme. Ish-kryeprokurorja speciale u dënua në qershor të vitit 2020 në vendimin e shkallës së parë, në të ashtuquajturin 'Rasti Zhvatja ' në lidhje me pretendimin e zhvatjes dhe abuzimit të detyrës në lidhje me një rast të Prokurorisë Speciale. Korrupsioni është i përhapur në shumë fusha dhe duhet të sigurohet një qasje më proaktive nga të gjithë aktorët e përfshirë në parandalimin dhe luftimin e korrupsionit.

Vendi ka një nivel të caktuar të përgatitjes në luftën kundër krimit të organizuar. Korniza ligjore është gjerësisht në përputhje me standardet evropiane dhe përpjekjet për të zbatuar strategji kundër krimit të organizuar duhet të vazhdojnë. Përparim i caktuar u bë në përmbushjen e rekomandimit të vitit të kaluar për të krijuar një zyrë për rikuperimin e aseteve në përputhje me Legjislacionin e BE-së. Zyra tani do të duhet të demonstrojë aftësinë e saj për të mbështetur një politikë proaktive të konfiskimit të pasurisë. Vendi është i përfshirë në vlerësimin e kërcënimeve në nivel rajonal dhe do të duhet të zgjerojë fushën e tij në përputhje me praktikat e BE-së. Ka një përparim të caktuar në nivelin operacional, por duhet të bëhet më shumë për të përmirësuar efektivitetin e zbatimit të ligjit në luftimin e formave specifike të krimit, të tilla si pastrimi i parave dhe krimet financiare. Bashkëpunimi me Europol po rritet në fusha të ndryshme që kanë të bëjnë me krimin. Koordinimi mbetet vendimtar për të gjithë aktorët e përfshirë në luftimin e krimit të organizuar.

Është bërë një përparim i caktuar në luftën kundër terrorizmit dhe parandalimin / luftimin e ekstremizmit të dhunshëm në përputhje me pikësynimet e përcaktuara në Planin e Përbashkët të Veprimit mbi kundër-terrorizmin për Ballkanin Perëndimor dhe marrëveshjen dypalëshe.

Korniza ligjore për mbrojtjen e të drejtave themelore është kryesisht në përputhje me standardet evropiane. Procesi i deinstitucionalizimit dhe zhvendosja e fëmijëve në shtëpi të vogla të kujdesit janë në vijim e sipër.  Ministria e Punës dhe Politikës Sociale po investon në shërbimet e komunitetit, përfshirë edhe mbështetjen e viktimave të dhunës me bazë gjinore. Është thelbësore që këto shërbime të mbeten të disponueshme. Nevojiten përpjekje shtesë për të adresuar rekomandimet e organeve evropiane dhe ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, veçanërisht në lidhje me trajtimin e personave në paraburgim dhe atyre të dënuar. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e Ligjit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi për arsye procedurale do të thotë se vendi aktualisht ka mungesë të një kornize ligjore gjithëpërfshirëse mbi mos-diskriminimin dhe të një organi barazie. Ky hendek serioz duhet të adresohet nga legjislatura e re. Është gjithashtu e rëndësishme për vendin të përmirësojë zbatimin e legjislacionit mbi gjuhën e urrejtjes dhe të planit kombëtar të veprimit për zbatimin e Konventës së Stambollit. Ndërsa vendosja e mekanizmit të mbikëqyrjes së jashtme të policisë është e plotë, mungesa e hetuesve vërtet të pavarur mund të pengojë punën e njësisë për të adresuar në mënyrë efektive mosndëshkimin e policisë. Vendi duhet të marrë masa urgjente për të përmirësuar më tej situatën në burgje dhe për të mbështetur alternativat e paraburgimit.

Vendi ka një nivel të caktuar të përgatitjes / është mesatarisht i përgatitur në fushën e lirisë së shprehjes dhe ka shënuar përparim të kufizuar gjatë periudhës së raportimit. Situata e përgjithshme dhe klima në të cilën veprojnë mediat mbeten përgjithësisht të favorshme për lirinë e mediave dhe lejojnë raportimin kritik të mediave, megjithëse ka pasur një rritje të tensioneve gjatë krizës me COVID-19 dhe në kontekstin e zgjedhjeve. Përpjekjet për vetë-rregullim duhet të intensifikohen për të mbështetur përparimin në standardet profesionale dhe cilësinë e gazetarisë. Është e rëndësishme të sigurohet transparencë më e madhe e reklamimit mediatik nga institucionet shtetërore, partitë politike dhe ndërmarrjet publike. Nevojiten zgjidhje të qëndrueshme për të siguruar pavarësinë e Servisit publik, standardet profesionale dhe qëndrueshmërinë financiare. Është thelbësore të vazhdojmë të mbështesim pluralizmin mediatik, duke promovuar profesionalizëm, raportim të paanshëm dhe gazetari hulumtuese, dhe ndërtimin e qëndrueshmërisë për të luftuar në mënyrë efektive dezinformimin. Qëndrueshmëria financiare e mediave të pavarura dhe kushtet e punës së gazetarëve mbeten një sfidë.

Në lidhje me bashkëpunimin rajonal, vendi mbajti marrëdhënie të mira me vendet e tjera të përfshira me procesin e zgjerimit si dhe mori pjesë aktive në iniciativat rajonale. Është e rëndësishme të vazhdohet me zbatimin e marrëveshjeve dypalëshe, përfshirë Marrëveshjen e Prespës dhe Marrëveshjen për Fqinjësisë së Mirë me Bullgarinë.

Maqedonia e Veriut vazhdon të luajë një rol aktiv dhe konstruktiv në menaxhimin e flukseve të përziera të migracionit. Mbetet në një nga rrugët kryesore të tranzitit për lëvizje të përzier. Vendi bashkëpunon në mënyrë efektive me vendet fqinje dhe Shtetet Anëtare të BE-së, duke përfshirë edhe oficerë të ftuar nga Shtetet Anëtare të BE-së në terren. Vazhduan përpjekjet e konsiderueshme për të siguruar kushtet themelore të jetesës dhe shërbimet për të gjithë migrantët që qëndrojnë në vend. Regjistrimi i migrantëve dhe profilizimi i duhur i ndjeshëm ndaj mbrojtjes u përmirësua, por duhet të kryhet në një mënyrë më sistematike. Marrëveshja Statusore me Agjencinë Evropiane të Kufirit dhe Rojes Bregdetare nuk është nënshkruar ende. Problemi i veprimeve të shpeshta të kontrabandës në kufirin verior duhet të adresohet më tej.

Sa i përket kritereve ekonomike, Maqedonia e Veriut është në një nivel të mirë të përgatitjes për zhvillimin e një ekonomie tregu funksionale, por ka bërë përparim të kufizuar gjatë periudhës raportuese. Rritja ekonomike u përshpejtua në vitin 2019 ndërsa investimet u rritën, por që nga Prilli i vitit 2020, kriza me COVID-19 ka lënë gjurmë në ekonomi dhe në financat publike. Autoritetet kanë ndërmarrë një sërë masash për mbështetje të kompanive dhe amvisërive, për të zbutur ndikimin ekonomik dhe social të krizës. Në periudhën raportuese, transparenca fiskale u përmirësua më tej. Sidoqoftë, reformat e rëndësishme fiskale të taksimit të të ardhurave dhe sistemit të pensioneve, të prezantuara në fillim të vitit 2019, u përmbysën. Për më tepër, zbatimi i shpenzimeve kapitale publike mbeti dukshëm i ulët, dhe stabilizimi i borxhit publik nuk është siguruar ende. Para krizës së COVID-19, niveli i papunësisë shënoi rënie edhe më tej, gjithashtu edhe për punëtorët e rinj, dhe punësimi joformal shënoi rënie të butë. Sidoqoftë, ndikimi i krizës së COVID-19 ka të ngjarë të përmbysë këto trende pozitive. Shkalla e pjesëmarrjes mbetet e ulët, edhe pse përqindja e grave në tregun e punës është rritur. Sektori financiar mbeti i fortë dhe huadhënia për sektorin privat u forcua. Mjedisi i biznesit vazhdon të pengohet nga një pjesë e lartë e ekonomisë joformale. Maqedonia e Veriut ka bërë një përparim të caktuar dhe është mesatarisht e përgatitur për të përballuar presionet konkurruese dhe forcat e tregut brenda BE-së. Integrimi me BE-në në tregti dhe investime u thellua më tej. Eksportet dhe prodhimi i industrial më tej u zgjeruan drejt produkteve me vlerë më të lartë. Sidoqoftë, mungesa e aftësive, që pasqyrojnë mangësitë në sistemin arsimor dhe ikjen e punëtorëve të kualifikuar, si dhe boshllëqet e investimeve në infrastrukturë dëmtojnë produktivitetin e punës dhe konkurrencën e ekonomisë. Ndërsa masat për të zbutur ndikimin e menjëhershëm të kundërt të krizës së COVID-19 mbi rritjen dhe punësimin aktualisht mbizotërojnë, adresimi i këtyre nevojave strukturore në kohën e duhur do të mbështeste një rimëkëmbje të shpejtë ekonomike pas krizës.

Për sa i përket aftësisë së tij për të marrë përsipër detyrimet e anëtarësimit, vendi vazhdon të jetë mesatarisht i përgatitur në shumicën e fushave, përfshirë fushat e konkurrencës, prokurimit publik, statistikave, kontrollit financiar, transportit dhe energjisë. Vendi tregon një nivel të mirë të përgatitjes në fusha të tilla si ligji i ndërmarrjeve, Unioni doganor, rrjetet trans-evropiane dhe shkenca dhe kërkimi. Vendi është në një fazë të hershme të përgatitjes në fusha të tilla si lëvizja e lirë e punëtorëve, si dhe dispozitat financiare dhe buxhetore. Gjatë periudhës së ardhshme, më shumë vëmendje nevojitet gjithashtu në kapacitetet administrative dhe zbatimin efektiv. Vendi ka vazhduar të përmirësojë harmonizimin me politikën e jashtme dhe të sigurisë së përbashkët të BE-së

Datat kryesore

Qershor 2003: Samiti i Selanikut BE-Ballkani Perëndimor konfirmon perspektivën e BE-së për Ballkanin Perëndimor.

Mars 2004: Vendi aplikon për anëtarësim në BE.

Prill 2004: Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit hyn në fuqi.

Dhjetor 2005: Jepet statusi i vendit kandidat.

Tetor 2009: Komisioni Evropian rekomandon për herë të parë hapjen e negociatave të pranimit.

Dhjetor 2009: Udhëtim pa viza në zonën Shengen për qytetarët e vendit.

Mars 2012: Filloi Dialogu i Anëtarësimit i Nivelit të Lartë me Komisionin.

Nëntor 2015: Komisioni Evropian jep rekomandimin të kushtëzuar me zbatimin e vazhdueshëm të marrëveshjes së Përzhinës dhe me progresin thelbësor në zbatimin e “Reformave Urgjente Prioritare".

Shkurt 2018: Komisioni Evropian miraton strategjinë për "Perspektivë e besueshme zgjerimi për dhe angazhim të zgjeruar të BE-së me Ballkanin Perëndimor".

Prill 2018: Komisioni Evropian rekomandon që Këshilli të vendosë që negociatat e pranimit me vendin të hapen në dritën e progresit të arritur.

Maj 2018: Samiti i Sofjes BE-Ballkan Perëndimor konfirmon perspektivën evropiane të rajonit dhe përcakton një numër veprimesh konkrete për të forcuar bashkëpunimin në fushat e lidhjes, sigurisë dhe sundimit të ligjit.

Qershor 2018: Këshilli përcakton rrugën drejt hapjes së negociatave të pranimit me vendin në qershor 2019, në varësi të progresit të bërë.

Shkurt 2019: BE njoftohet zyrtarisht për hyrjen në fuqi të marrëveshjes së Prespës.

Maj 2019: Komisioni Evropian rekomandon hapjen e negociatave të pranimit.

Shkurt 2020: Metodologjia e rishikuar, e paraqitur nga Komisioni, për të çuar përpara procesin e zgjerimit me një drejtim politik më të fortë dhe në një mënyrë më të besueshme, të parashikueshme dhe dinamike.

Mars 2020: Anëtarët e Këshillit Evropian miratuan vendimin e Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme për të hapur negociatat e pranimit me Maqedoninë e Veriut.

Maj 2020: Samiti i Zagrebit BE-Ballkan Perëndimor.

Korrik 2020: Prezantimi i draftit të kornizës negociuese Shteteve Anëtare.

Tetor 2020: Komisioni propozon Planin Ekonomik dhe Investues për të mbështetur dhe afruar Ballkanin Perëndimor me BE.-në

 

Për më shumë informacion

North Macedonia Report 2020

Enlargement Package 2020

North Macedonia Factograph