Zhvillimi i qëndrueshëm është pjesë e identitetit tonë dhe do të udhëheqë të ardhmen tonë

16.09.2019

Fjalimi i Shefes së Zyrës së BE/Përfaqësueses së Posaçme të BE-së, Nataliya Apostolova, në hapjen e Javës së Zhvillim të Qëndrueshëm në Kosovë

 

Check against delivery

Të nderuar partnerë të Javës për Zhvillim të Qëndrueshëm në Kosovë,

të nderuar ambasadorë,

të nderuar mysafirë,

Hapja e Javës së Zhvillimit të Qëndrueshëm në Kosovë (JZHQK) 2019 është një kënaqësi e veçantë!

Para adresimit të komenteve të mia të hapura për ju, dua të prezantoj partnerët e JZHQK dhe të falënderoj sinqerisht të gjithë ata kolegë në institucione dhe organizata për përkushtimin dhe punën e palodhur:

  • Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor
  • Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik
  • Institucionin tim – Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë/Përfaqësuesja e Posaçme e BE-së
  • GIZ/Bashkëpunimin Gjerman dhe Qeverinë e Gjermanisë
  • Fondacionin e Gjelbër të Ballkanit (FGJB), dhe
  • Institutin për Politika Zhvillimore (INDEP).

 

Të gjithë ne jemi të shtyrë nga dëshira për të vendosur zhvillimin e qëndrueshëm dhe mbrojtjen e mjedisit në agjendën politike. Ne duam të arrijmë një ndryshim të vërtetë pozitiv në terren.

Aktivitetet e JZHQK përfshijnë ndërgjegjësimin, shkëmbimin e informatave të rëndësishme dhe kritike, si dhe eksplorimin e pengesave dhe mundësive për një rrugë të qëndrueshme përpara.

Qëllimi kryesor i JZHQK është nisja e dialogut publik dhe kërkimi i mënyrave efektive për të promovuar zhvillimin e qëndrueshëm nga njëra anë, dhe rritjen e gjelbër ekonomike nga ana tjetër.

 

event

 

Java e Zhvillimit të Qëndrueshëm në Kosovë është një platformë për zyrtarët, përfaqësuesit e shoqërisë civile, komunitetin e donatorëve, ekspertët kombëtarë dhe ndërkombëtarë dhe akademinë për të diskutuar rreth çështjeve që lidhen me zhvillimin e qëndrueshëm me fokus në problemet mjedisore dhe energjetike në Kosovë dhe rajon.

 

Duke pasur parasysh suksesin e jashtëzakonshëm dhe ndikimin e gjerë të kësaj ngjarje vitin e kaluar, dhe kërkesat e pjesëmarrësve, u konstatua se JZHQK duhet të kthehet në një ndërmarrje vjetore. Është shumë pozitive që JZHQK po ndodh për herë të dytë.

 

Bashkimi Evropian është i përkushtuar fuqishëm për zbatimin e Agjendës 2030. Zhvillimi i qëndrueshëm është pjesë e identitetit tonë dhe do të udhëheqë të ardhmen tonë. Struktura e paraqitur nga Presidentja e zgjedhur e Komisionit Ursula von der Leyen tregon se ajo po ndjek premtimet e saj mbi klimën dhe mjedisin duke i kushtuar vëmendjen e nivelit më të lartë arritjeve të Marrëveshjes së Gjelbër Evropiane. Veprimet për klimën dhe mbrojtja e mjedisit janë të sistemuar në të gjithë sektorët përkatës, të tilla si bujqësia, energjia dhe transporti.

 

event

 

Të nderuara zonja dhe zotërinj,

Për herë të parë në historinë njerëzore, planeti ynë po i afrohet fundit të aftësisë së tij për të na mbartur të gjithë. Në dhjetë vitet e ardhshme duhet të gjejmë një mënyrë për të përmirësuar mirëqenien e të gjithë njerëzve pa i varfëruar burimet tona natyrore, pa dëmtuar mjedisin tonë dhe pa nxitur ndryshimin e klimës. Kjo është një sfidë e madhe globale.

 

Me këtë në mendje, ne - Bashkimi Evropian - synojmë të avancojmë më tej përpjekjet tona për t'u zhvendosur në një ekonomi të gjelbër dhe gjithëpërfshirëse deri në vitin 2030.

 

Bashkimi Evropian ka hartuar tashmë një Plan Veprimi të Ekonomisë Qarkore në vitin 2015 për të larguar Evropën nga sistemi "marr-prodho-konsumo-hedh" dhe në vend të kësaj të ndërtojë një ekonomi me të vërtetë qarkore ku produktet janë të dizajnuara për ripërdorim dhe riciklim, dhe mbeturinat konsiderohen një burim i vlefshëm.

 

Strategjia për Plastikë e BE-së dhe legjislacioni i miratuar së fundmi në gjithë BE-në për ndalimin e disa plastikave me përdorim të njëhershëm është një shembull prijës i planit tonë të ekonomisë qarkore.

 

Shtylla Evropiane e të Drejtave Sociale është udhëzimi ynë kryesor për zbatimin e dimensionit social të qëndrueshmërisë. Ajo përqendrohet në trajtimin e varfërisë në të gjitha dimensionet e saj dhe sigurimin e sistemeve të drejta, të përshtatshme dhe të qëndrueshme të mirëqenies. Ajo gjithashtu mbështet mundësitë e barabarta, përfshirë barazinë gjinore, dhe qasjen në punësim të duhur; dhe promovon kushte të drejta pune për të gjithë.

 

Plani i Veprimit për Financa të Qëndrueshme është shembulli i tretë që do të përmendja, pasi do t'u sigurojë për herë të parë investitorëve informata të plota mbi atë se çfarë është një investim i qëndrueshëm, në mënyrë që financat të fillojnë të mbështesin plotësisht objektivat tona të qëndrueshmërisë.

 

Për të bërë të gjitha këto, ne kemi nevojë për një mjedis mundësues, që do të thotë se duhet të përdorim edhe politikat dhe mjetet tona tjera drejt tranzicionit të qëndrueshmërisë. Evropa ka një pikënisje shumë të mirë dhe jemi të bindur që ne mund të përfitojmë shumë nga tranzicioni i gjelbër ekonomik ndërsa ndihmojmë në formimin e standardeve globale.

 

Ne do të vazhdojmë të punojmë në bashkëpunim të ngushtë me të gjithë partnerët tanë ndërkombëtarë.

 

event

 

Këtu në Kosovë më duhet t’ua kujtoj:

Zhvillimi i qëndrueshëm ka të bëjë edhe me Integrimin Evropian të Kosovës. Kosova duhet urgjentisht të ri-përqendroje vëmendjen e saj në masa efektive dhe urgjente që kanë një ndikim të madh në shëndetin dhe mirëqenien e popullatës. BE-ja ka publikuar Raportin e Kosovës 2019 në maj, ku kapitulli për Mjedisin dhe Ndryshimet Klimatike mbetet veçanërisht shqetësues. BE-ja mbetet thellësisht e shqetësuar me përparimin shumë të ngadaltë. Kosova në rrugën e saj evropiane do të duhet të afrohet me standardet e BE-së dhe synimet e strategjisë afatgjatë.

 

Zhvillimi i qëndrueshëm është parakusht për stabilitet politik, ekonomik dhe shoqëror. Nuk ka stabilitet dhe përparim pa një mjedis të pastër dhe të sigurt, furnizim të qëndrueshëm me energji dhe popullsi të shëndetshme. Burimet natyrore të Kosovës janë të kufizuara dhe është evidente se ato nuk përdoren në mënyrë të qëndrueshme! Ruajtja e mjedisit ka të bëjë me ruajtjen e Kosovës, ka të bëjë me kujdesin për të tashmen dhe të ardhmen.

 

BE është investitori më i madh dhe partneri më i madh tregtar në Kosovë. Fatkeqësisht, furnizimi jo i besueshëm dhe prania e shumë ndotësve me energji nuk jane vetëm rrezik për shëndetin e popullatës por krijojnë paqëndrueshmëri për investime, vende të punës dhe zhvillim të biznesit. Kjo është një nga shqetësimet kryesore të shprehura nga kompanitë që bëjnë biznes në Kosovë. Një furnizim më i pastër, më i besueshëm me energji dhe ambienti duhet të jenë përparësi kryesore për Kosovën. Vendet e reja të punës do të vijnë si rezultat i një 'ekonomie të gjelbër'. Më shumë se 50 milion Euro të parave të taksapaguesve të BE-së janë investuar vetëm në sektorin e mjedisit në 10 vitet e fundit. BE-ja nga ana e saj do të vazhdojë të mbështesë aktivitete dhe politika që kontribuojnë për një Kosovë më të pastër dhe një Ballkan më të pastër. Ndotja e mjedisit është çështje ndërkufitare. Burimet ripërtëritëse, masat për efikasitet të energjisë, investimet për uljen e ndotjes së ajrit dhe ujit, menaxhimi i mbeturinave dhe masat për zbutjen e sfidave të ndryshimit të klimës janë të nevojshme në të gjithë rajonin. 

 

Javës së Zhvillimit të Qëndrueshëm të Kosovës i uroj çdo sukses. Është shumë e nevojshme. Së shpejti do të vijë dimri, koha kur ne të gjithë vuajmë nga ndotja e lartë e ajrit. Një ndryshim për të mirë është i nevojshëm urgjentisht nga i cili përfitojnë të gjithë qytetarët.

 

Dua ta përfundoj fjalimin tim këtë vit me parullën e cila është shtypur në kapëset e JZHQK:

 

RUAJENI NATYRËN

RUAJENI TË ARDHMEN

 

Faleminderit shumë për vëmendjen tuaj!