Nënkomiteti i 12-të BE-Shqipëri për Inovacionin, Shoqërinë e Informacionit dhe Politikën Sociale

28.01.2021

Takimi i Nënkomitetit të 12-të mbi temat në lidhje me Arsimin, Kërkimin dhe Inovacionin, Shoqërinë e Informacionit dhe Politikën Sociale midis BE-së dhe Shqipërisë u mbajt më 28 janar me video konferencë. Përfaqësues nga Komisioni Evropian (Komisioni) diskutuan me autoritetet përkatëse shqiptare zhvillimet më të fundit në këto fusha. Takimi u bashkëkryesua për BE-në nga z. Alberto Cammarata, zëvendësshef i Njësisë për Shqipërinë dhe Bosnjë dhe Hercegovinën në Drejtorinë e Përgjithshme për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit të Komisionit Evropian, ndërsa për Shqipërinë nga z. Ilir Bejtja, zëvendësministër i Infrastrukturës dhe Energjisë.

Komisioni u informua mbi përpjekjet e bëra nga autoritetet shqiptare për të kapërcyer efektet e pandemisë COVID-19 në tregun e punës, si dhe në sektorët e arsimit dhe kulturës, veçanërisht në lidhje me grupet më të prekshme. U pranua se teknologjitë digjitale kishin një rol të rëndësishëm për mbështetjen e ekonomisë dhe zbutjen e efekteve të pandemisë.

Komisioni njohu përpjekjet e bëra nga Shqipëria gjatë vitit 2020 në fushën e punësimit dhe tregut të punës dhe mirëpriti përparimin në plotësimin e vendeve të lira në Agjencinë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive, si dhe përfundimin e ristrukturimit të Drejtorive Rajonale të Punësimit dhe Drejtorive Rajonale të Aftësimit Profesional. U nënvizua rëndësia e burimeve të mjaftueshme njerëzore për politikat e punësimit dhe aftësimit profesional. Komisioni inkurajoi autoritetet të forcojnë bashkëpunimin ndërmjet ministrive dhe organeve qeveritare për hartimin dhe miratimin e Strategjisë shqiptare të Specializimeve të Zgjuara. Komisioni rikujtoi se diskutimet teknike me Shqipërinë për pjesëmarrjen në Programin e ri Kuadër të BE-së për Kërkimin dhe Inovacionin (Horizon Europe) po vazhdojnë. Komisioni njohu rolin udhëheqës të Shqipërisë në rajon në fushën e lidhjes me brez të gjerë (broadband). Komisioni përgëzoi Shqipërinë për miratimin e Strategjisë Kombëtare të Sigurisë Kibernetike dhe nënvizoi nevojën e përfundimit të zbatimit të kalimit në digjital. Komisioni mirëpriti rezultatet e mira të pjesëmarrjes së Shqipërisë në programin Erasmus+ dhe inkurajoi autoritetet që të aplikojnë zyrtarisht për t'u bërë Vend i Programit gjatë periudhës së ardhshme të financimit. Komisioni theksoi gjithashtu nevojën e finalizimit dhe miratimit të Strategjisë 2020-2024 për Arsimin, si dhe miratimin e akteve nënligjore për zbatimin e Ligjit për Rininë.