Delegation of the European Union to Peru

Ambasadori i BE-së Soreca nis fushatën “Evropa është këtu” për bujqësinë dhe shpall fondet e reja të BE-së për sektorët e bujqësisë dhe peshkimit

Tirana, Albania, 16/12/2020 - 17:05, UNIQUE ID: 201216_16
Press releases

Fier, 16 dhjetor 2020 - Ambasadori i BE-së Luigi Soreca nisi sot në Fier, në prani të Ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Bledar Çuçi, fazën e tretë të fushatës së komunikimit “Evropa është këtu” kushtuar bujqësisë dhe zhvillimit rural.

Nën moton “Evropa është këtu”, fushata gjashtëmujore - e nisur në korrik 2020 - informon qytetarët shqiptarë mbi ndihmën financiare të BE-së në tre sektorë kryesorë socio-ekonomikë: infrastruktura / lidhshmëria, mjedisi dhe bujqësia.

Fushata “Evropa është këtu” për bujqësinë dhe zhvillimin rural ka për qëllim të shpjegojë dhe të rrisë ndërgjegjësimin e qytetarëve për mënyrat se si BE-ja mbështet modernizimin e bujqësisë dhe sektorëve ruralë të Shqipërisë. Ato përfshijnë mbështetjen për fermerët për diversifikimin e prodhimit dhe hyrjen në tregje, krijimin e vendeve të punës - veçanërisht për të rinjtë dhe gratë, përmirësimin e kushteve rurale të jetesës, mbështetjen për industrinë agroushqimore dhe promovimin e peshkimit të qëndrueshëm.

“Evropa është këtu për të investuar te fermerët dhe peshkatarët, për të mbështetur aspiratat e tyre. Evropa është këtu për të zhvilluar një sektor të qëndrueshëm agroushqimor që respekton mjedisin. Evropa është këtu, në mënyrë që shqiptarët të shijojnë ushqimin e prodhuar me standarde evropiane edhe para se vendi të bëhet Shtet Anëtar”, tha Ambasadori i BE-së Luigi Soreca gjatë prezantimit.

Programi IPARD (Instrumentit për Para-Anëtarësim – Programit të Zhvillimit Rural) i financuar nga BE-ja dhe i menaxhuar nga autoritetet shqiptare, vë në dispozicion 71 milionë euro si grante të drejtpërdrejta për të mbështetur investimet në sektorët e agroushqimit dhe zhvillimit rural. Mbi 700 aplikime janë pranuar gjatë dy thirrjeve të para dhe një total prej 236 fermash tashmë kanë përfituar nga fondet e BE-së.

Ambasadori i BE-së Luigi Soreca njoftoi gjithashtu sot çeljen e thirrjes së 3-të për propozime në kuadrin e IPARD dhe thirrjen e parë për propozime për programin Peshkimi Blu - Mbështetje për sektorin e peshkimit në Shqipëri.

Programi Peshkimi Blu mbështet komunitetin e peshkimit, si dhe promovon shfrytëzimin e qëndrueshëm të burimeve të peshkimit dhe parandalimin e mbipeshkimit. Thirrja për propozime do të sigurojë grante për të përmirësuar lundrimin dhe sigurinë, sigurinë e ushqimit, përpjekjet për peshkim dhe ndotjen e mjedisit. 1.4 milionë euro do t'u vihen në dispozicion pronarëve të anijeve të peshkimit dhe kompanive të peshkimit të regjistruara në Regjistrin shqiptar të Anijeve të Peshkimit.

 

Për më shumë informacion mbi thirrjen e 3-të për programin IPARD: http://www.ipard.gov.al/thirrje-1-2-3-2/

Për më shumë informacion mbi thirrjen për aplikime për të mbështetur sektorin e peshkimit: https://fishingblue.eu/en/grant-application/

Për më shumë informacion mbi ndihmën financiare të BE-së për Shqipërinë, lutemi vizitoni www.euprojects.al. Platforma mbledh informacion mbi projektet e kaluara dhe ato në vazhdim të financuara nga BE-ja. Për secilin projekt, faqja në internet ofron informacion në lidhje me partnerët zbatues, përfituesit, objektivat, veprimet dhe rezultatet e pritura, në një mënyrë plotësisht transparente. Baza e të dhënave ka një ndërfaqe të thjeshtë për përdoruesit dhe funksioni i kërkimit lejon kërkimin e projekteve sipas sektorit apo çdo fjale kyçe.

 

Fakte dhe shifra mbi mbështetjen e BE-së për sektorin e bujqësisë në Shqipëri

  • 100 milionë € kontribute nga BE-ja për sektorin e bujqësisë në 10 vitet e fundit.
  • BE-ja kontribuon për programin IPARD 2014-2020 me 71 milionë €.
  • BE-ja po e mbështet sektorin e peshkimit me 4 milionë €.
  • Mbështetja për sigurinë e ushqimit, standardet veterinare dhe fitosanitare arrin në 5 milionë € kontribut i BE-së.

 

 Për fjalimin e Ambasadorit të BE-së Soreca vizitoni: https://bit.ly/3gUW012

Languages:
Seksionet editoriale: