Delegation of the European Union to Peru

Fjalimi i Ambasadorit të BE-së Luigi Soreca në Konferencën e Nivelit të Lartë të edicionit të dytë të Javës së Integritetit

Tirana, Albania, 02/12/2020 - 13:04, UNIQUE ID: 201202_36
Speeches of the Ambassador

E dashur Ministre,

Të dashur kolegë,

Të nderuar pjesëmarrës,

Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri është përsëri një nga partnerët kryesorë të Javës së Integritetit. Dhe këtë vit, Delegacionit të BE-së do t’i bashkohen në organizimin e veprimtarive disa nga projektet tona.

Jam veçanërisht i lumtur që, për herë të parë, disa prej bashkive do të marrin pjesë përmes njësive të tyre të integrimit në BE. Siç e dini, ato janë krijuar me mbështetjen tonë për ta sjellë BE-në më pranë qytetarëve shqiptarë.

Kjo Javë e Integritetit u kushtohet pesë temave kryesore - mirëqenia, arsimi, të drejtat e njeriut, industria dhe teknologjia - të cilat janë në zemër të procesit të integrimit të Shqipërisë në BE.

Transparenca, integriteti dhe llogaridhënia janë të gjitha parakushte thelbësore që një demokraci të bazohet në sundimin e ligjit. Ato janë thelbësore për qeverisjen e mirë dhe për politikëbërjen legjitime e të besueshme.

Integriteti është një koncept shumë i thjeshtë. Ka të bëjë me të qenit i ndershëm, ka të bëjë me respektimin e moralit të fortë dhe ka të bëjë me promovimin e llogaridhënies.

Vetë institucionet tona të BE-së kanë bërë përpjekje të konsiderueshme për t'u bërë më të hapura dhe më të përgjegjshme. Për këtë qëllim, BE-ja ka miratuar instrumente legjislativë në përputhje me standardet më të larta të mundshme të transparencës, llogaridhënies dhe integritetit dhe posaçërisht për të parandaluar korrupsionin.

Ne e nxisim pa pushim këtë agjendë në Shqipëri. Gjatë 7 viteve të fundit, BE-ja e ka mbështetur vendin me 20 milionë euro për të luftuar korrupsionin dhe krimet ekonomike, për të mbështetur ripërdorimin social të pasurive të konfiskuara dhe për të mbështetur organizatat e shoqërisë civile.

Është qetësuese të shohësh se është bërë njëfarë progresi kohët e fundit për përmirësimin e integritetit dhe transparencës. Kodi i Sjelljes për anëtarët e Parlamentit, detyrimi për të deklaruar pasuritë dhe konfliktet e interesit dhe regjistrat elektronikë për kërkesat për të hyrë në informacion janë hapa të mirë përpara.

Por nuk ka një masë të vetme magjike që mund të çrrënjosë korrupsionin dhe të krijojë një kulturë të vërtetë të integritetit pa një ndjekje efektive dhe konkrete. Tani është thelbësore që administratat publike të miratojnë plane integriteti, të vlerësojnë nivelin e cenueshmërisë së një organizate dhe ekspozimin e saj ndaj praktikave joetike dhe korrupsionit, si dhe të ndihmojnë institucionet për të vlerësuar rreziqet e korrupsionit dhe për t'i menaxhuar ato në mënyrë efikase.

Para disa javësh, Ministria e Drejtësisë bëri publik Planin e saj të Integritetit, hartuat me ndihmën e BE-së. 16 bashki gjithashtu kanë hartuar planet e tyre, disa prej tyre do të prezantohen këtë javë. Dhe përmes projektit tonë PAMECA, ne e kemi ndihmuar Ministrinë e Brendshme për të hartuar Planin e Integritetit për Policinë e Shtetit Shqiptar.

Të gjitha këta janë hapa shumë të mirë në drejtimin e duhur. Por siç është thënë ajo që ka rëndësi tani është të tregojmë vullnetin e nevojshëm politik për të kaluar nga planet në veprime.

Në gjithë këtë punë, shoqëria civile dhe media luajnë një rol vendimtar për parandalimin e korrupsionit, raportimin e situatave të paligjshme, monitorimin e shërbimeve publike dhe ngritjen e vetëdijes publike.

Organizatat e shoqërisë civile duhet të jenë pjesë integrale e një zgjidhjeje të qëndrueshme dhe afatgjatë dhe roli i të rinjve dhe universiteteve është veçanërisht i rëndësishëm në këtë përpjekje.

Unë jam shumë i lidhur me qëllimin për fuqizimin e të rinjve që të jenë në gjendje të marrin pjesë në jetën publike të vendit dhe të japin kontributin e tyre në formësimin e politikave.

Po aq e rëndësishme është pasja e një mjedisi ku promovohet gazetaria investigative - dhe siç kam njoftuar javën e kaluar, kjo është një fushë ku BE-ja po sjell mbështetje të fortë shtesë këtë vit.

Për ta përmbyllur, ju uroj të gjithëve diskutime dhe debate të frytshme gjatë kësaj Jave të Integritetit. Ju, gjithashtu, do të shihni kolegët e mi nga Shtetet Anëtare dhe nga Delegacioni që do të marrin pjesë në shumë prej aktiviteteve. Shpresojmë të ndërveprojmë me të gjithë ju.

Ju ftoj të gjithëve të shikoni filmat e shkëlqyer të Festivalit të Filmit kundër Korrupsionit që Delegacioni është krenar që e ka organizuar së bashku me Ministrinë e Drejtësisë.

Faleminderit dhe ju uroj një javë të shkëlqyer.

Languages:
Seksionet editoriale: