Delegation of the European Union to Peru

Fjalimi i Ambasadorit Soreca në workshop-in online "Adresimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit përmes ri-përdorimit të pasurive kriminale të konfiskuara në Shqipëri"

Tirana, Albania, 24/11/2020 - 12:20, UNIQUE ID: 201124_13
Speeches of the Ambassador

Të dashur kolegë,

Të dashur miq,

Faleminderit Prezencës së OSBE-së në Shqipëri për ftesën e sotme për të diskutuar se si mund të trajtohet krimi i organizuar dhe korrupsioni përmes ripërdorimit të pasurive kriminale të konfiskuara.

Lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit është një përparësi kyçe për Shqipërinë në rrugën e saj drejt integrimit evropian. Unë jam një mbështetës i fortë i mënyrës “ndiq paratë”, që përqendrohet te sekuestrimi dhe konfiskimi i pasurive të fituara në mënyrë të paligjshme, e cila ka rezultuar shumë efektive në vende si Italia.

Vendime si ai i marrë javën e kaluar, që do t’u mundësojnë bashkive të përdorin apartamente të sekuestruara nga veprimtaritë kriminale për strehimin social, janë hapa në drejtimin e duhur.

Siç e dini, Delegacioni i BE-së është në ballë të kësaj agjende në Shqipëri. Për më shumë se 4 vjet ne kemi punuar për krijimin e ndërmarrjeve të para sociale të vendit që përdorin pasuritë e konfiskuara. Kjo nismë nuk ishte e re vetëm për Shqipërinë, por edhe për rajonin.

Projekti CAUSE, i financuar nga BE-ja, tregoi se kjo mund të funksionojë. Ishte një fitore e shoqërisë civile kundër krimit të organizuar, që dërgoi mesazhin e qartë se ajo që është vjedhur mund dhe duhet t'i kthehet shoqërisë.

Jam shumë krenar që BE-ja ishte pas këtij rrugëtimi emocionues.

Koncepti i ripërdorimit shoqëror të pasurive të konfiskuara nuk është i ri brenda Bashkimit Evropian. Ai e ka treguar qartë efikasitetin dhe kontributin e tij në shoqëri, për shembull, në Itali. Dhe unë jam shumë i lumtur që sot do të dëgjojmë përvojën e Liberas. Më lejoni të përgëzoj punën e bërë që nga vitet 90’ nga Libera nën udhëheqjen e Don Luigi Ciotti-t, me të cilin kam pasur privilegjin të punoja së bashku në të kaluarën.

Është shembulli i përkryer i një qasjeje “të të gjithë shoqërisë”. Dhe siç e di nga përvoja ime, ripërdorimi i pasurive të konfiskuara në bashkëpunim me organizatat e shoqërisë civile kontribuon shumë për rikonfirmimin e vlerës së ligjshmërisë dhe sjelljen e shpresës tek qytetarët.

Falë financimit nga BE-ja, tashmë janë ngritur dhe po funksionojnë tri ndërmarrje të suksesshme sociale.

 

Në nëntor 2018, ne hapëm dyqanin e ëmbëlsirave “KE BUONO” në Fier, i cili do t'ju prezantohet sot.

Një vit më vonë, hapëm kafe bibliotekën KINFOLK për të rinjtë e Durrësit. Ajo e shndërroi një bar të pluhurosur kriminal në një qendër multikulturore, duke ofruar një gamë të gjerë aktivitetesh si trajnime, kurse gjuhësh apo shkolla verore.

Ndërsa në fillim të këtij viti hapëm Garazhin Social të Artizanatit në Sarandë, ku janë punësuar gra dhe vajza viktima të krimit të organizuar, si trafiku njerëzor, prostitucioni i detyruar, abuzimi seksual dhe dhuna në familje.

 

U desh një udhëtim i vështirë mes frikës dhe kërcënimeve që këto tre projekte të bëheshin realitet.

Delegacioni i BE-së ka mësuar shumë nga kjo përvojë e parë në Shqipëri dhe ne jemi të gatshëm të diskutojmë mësimet e nxjerra dhe rrugën e ardhshme. Sidoqoftë, ky nuk është fundi i ndihmës sonë. BE-ja aktualisht po investon për përmirësimin e kornizës rregullatore duke kontribuar në udhëzimet për përdorimin e këtyre pasurive për qëllime shoqërore dhe duke mbështetur krijimin e një Zyre për Rehabilitimin e Pasurive.

Disa nga këto aktivitete anojnë shumë nga aktivitetet e projektit të ardhshëm të OSBE-së, dhe janë përfshirë disa nga të njëjtët ekspertë. Koordinimi i ndihmës, ndërtimi i sinergjive dhe nxitja e diskutimeve mes përfituesve do të jenë thelbësore. E ftoj Ministrinë e Brendshme të sigurojë që ky koordinim të kryhet.

Ndërsa sot do të diskutoni gjithashtu rrugën dhe mundësitë e ardhshme për ripërdorimin social, jam i lumtur të njoftoj se në fillim të vitit tjetër do të vihen në dispozicion grante të reja. Së shpejti do të publikohet një thirrje për propozime për të mbështetur ndërmarrjet sociale me qëllim krijimin e vlerës ekonomike, punësimin gjithëpërfshirës dhe ndryshimet pozitive shoqërore.

Do të doja të inkurajoja qeverinë, Agjencinë, organizatat e shoqërisë civile, si Libera dhe Engim, të shkojnë edhe më tej dhe të sigurohen që të shohim shumë më tepër nisma të tilla në të ardhmen.

Do të doja ta mbyllja duke falënderuar personalisht organizatat vendore për guximin e tyre për t'u ngritur kundër rrjeteve kriminale. Ju jeni në vijën e parë të betejës për një shoqëri të mirë dhe të kujdesshme.

Ishte një rrugë e vështirë dhe u desh një kohë e gjatë, por projektet e BE-së në Durrës, Fier dhe Sarandë kanë provuar se sipërmarrja sociale brenda pasurive të konfiskuara është e mundur në Shqipëri.

Rruga e ardhshme është përcaktuar. Le të punojmë së bashku në mënyrë që ato të bëhen praktikë normale dhe jo përjashtime.

Faleminderit!

Languages:
Seksionet editoriale: