Delegation of the European Union to Peru

Komisioneri Várhelyi në Shkup: Viti 2020 është një vit historik për Maqedoninë e Veriut - duhet të mbahet vrulli i reformave, Plani Ekonomik dhe i Investimeve do të sjellë përfitime praktike për qytetarët

08/10/2020 - 18:12
News stories

Vizita u bë një ditë pasi Komisioni Evropian publikoi Paketën e Zgjerimit dhe Planin Ekonomik dhe të Investimeve (EIP), i cili duhet të ndihmojë rimëkëmbjen socio-ekonomike të rajonit dhe ta sjellë atë më pranë BE-së.

 

“Unë jam duke e filluar vizitën time në rajon, prej këtu në Maqedoninë e Veriut për të dhënë një mesazh të qartë – viti 2020 ka qenë një vit historik dhe i shumëpritur për vendin tuaj, i cili shpërbleu vendosmërinë dhe qëndrueshmërinë tuaj për të përparuar në rrugën drejt BE-së. Dhe ju mund të mbështeteni tek unë që të vazhdoj t'ju mbështes në çdo mënyrë që të mund të çoj më tej procesin e pranimit në BE ", theksoi Komisioneri për Fqinjësi dhe Zgjerim Oliver Várhelyi në fjalimin e tij në Parlament në Shkup më 7 Tetor (https://ec.europa.eu/commission/commissioners/2019-2024/varhelyi/announc...).

Komisioneri përsëriti se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor qëndron në BE. "Është në interesin tonë strategjik ta afrojmë rajonin më pranë BE-së, pasi është interesi juaj strategjik të integroheni në BE", tha ai.

Falë metodologjisë së reviduar të zgjerimit, KE-ja ka kapërcyer bllokadën në Këshill për hapjen e negociatave të pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë dhe ka propozuar kornizat negociuese për të cilat diskutimi po vazhdon. Në përgjigje të pyetjeve të gazetarëve mbi çështjet bilaterale me Bullgarinë gjatë konferencës për shtyp me Kryeministrin Zoran Zaev, Várhelyi tha: "Le të punojë diplomacia dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore: Unë besoj se Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria do të gjejnë një zgjidhje". Ai shpreson se korniza negociuese do të dakordohet së shpejti dhe se konferenca ndërqeveritare do të mbahet deri në fund të vitit, gjatë Presidencës Gjermane.

 

 

Lidhur me reformat, Komisioneri tha se vendi ka mbajtur ritëm të qëndrueshëm të përparimit dhe ka vazhduar t’i realizojë ato në fushat kyçe të sundimit të ligjit, përfshirë gjyqësorin, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. “Është e rëndësishme që ju të mbani lart këtë vrull. Lufta kundër korrupsionit duhet të vazhdojë në mënyrë të pandërprerë dhe nevojiten përpjekje të mëtejshme për të siguruar respektimin e plotë të parimit të transparencës dhe meritokracisë në Reformën e Administratës Publike ”. Ai inkurajoi Parlamentin të sigurojë konsultime të duhura dhe debate demokratike duke përdorur procedura normale, si dhe mekanizma kontrollues duke forcuar mbikëqyrjen mbi ekzekutivin dhe shërbimet e sigurisë.

Gjatë vizitës, Komisioneri prezantoi raportin vjetor dhe EIP-në Presidentit Stevo Pendarovski, Kryetarit të Parlamentit Talat Xhaferit, deputetëve dhe Qeverisë.

EIP-ja synon të nxisë rimëkëmbjen afatgjate të rajonit përmes një pakete të konsiderueshme investimesh (9 miliardë euro) që duhet të çojë në rritje të qëndrueshme ekonomike, zbatimin e reformave dhe afrimin e Ballkanit Perëndimor në Tregun e Vetëm të BE-së. Paketa e investimeve është strukturuar rreth fushave kryesore – transportit, energjisë, mjedisit, dixhitalizimit, sektorit privat dhe rinisë.

"Maqedonia e Veriut është në masë të madhe pjesë e këtij plani dhe qytetarët tuaj dhe do të përfitojnë drejtpërdrejt nga ai. Në fushën e transportit, Plani përfshin veçanërisht autostradën hekurudhore të korridorit VIII (që lidh Shkupin me Bullgarinë). Në fushën e energjisë, Plani përfshin interkonektorët e gazit Maqedonia e Veriut - Kosova dhe Maqedonia e Veriut - Serbia, të cilat do të kontribuojnë në diversifikimin e energjisë së Maqedonisë së Veriut. Për më tepër, Plani do të mbështesë energjitë e rinovueshme, përfshirë ndërtimin e Termocentraleve të Erës dhe ato solare. Më në fund, në fushën kyçe të mjedisit, Plani përqendrohet në ndërtimin e impianteve të trajtimit të ujërave të zeza në Shkup dhe sistemeve të integruara rajonale të menaxhimit të mbeturinave. Këto investime të mëdha do të plotësojnë projektet ekzistuese të mbështetura tashmë si pjesë e ndihmës sonë dypalëshe, siç janë investimet e rëndësishme për zhvillimin e rrjetit hekurudhor për të përmisuar lidhjen", tha Komisioneri.

Plani shoqërohet nga një Agjendë e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor, e cila bazohet në Marrëveshjen e Gjelbër Evropiane. Ai parashikon një veprim të përbashkët për të trajtuar sfidat e tranzicionit të gjelbër, ndryshimit të klimës, humbjes së biodiversitetit dhe përdorimit të tepruar të burimeve dhe ndotjes ... Vëmendje e veçantë do t'i kushtohet angazhimit të BE-së për të arritur neutralitetin e klimës deri në vitin  2050.

Në Shkup, Komisioneri gjithashtu u takua me udhëheqësin e VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski, duke theksuar rëndësinë e kontributit të të gjitha forcave politike në përshpejtimin e reformave të BE.