The Office of the European Union Representative
(West Bank and Gaza Strip, UNRWA)

Debatet e shkollave të mesme përtej kufijve: Nxënësit nga Maqedonia e Veriut diskutojnë sfidat me bashkëmoshatarët nga Kosova dhe Serbia dhe me Ambasadorët e BE-së

05/02/2021 - 13:41
News stories

Shëndeti mendor dhe arsimi cilësor në një kohë pandemie ishin temat e dy debateve të para që Ambasadori Dejvid Gir dhe homologët e tij nga Prishtina dhe Beogradi patën me nxënës të shkollave të mesme nga rajonet kufitare. Debatet provuan se shqetësimet dhe aspiratat e adoleshentëve janë identike dhe se takimet e këtij lloji i inkurajojnë ata të jenë edhe më të zëshëm për çështjet me të cilat përballen dhe kështu të ndihmojnë ata që janë përgjegjës për përcaktimin e zgjidhjeve.

 

Debatet tradicionale të Ambasadorit të BE-së në Maqedoninë e Veriut me nxënës të shkollave të mesme po fitojnë një dimension të ri, atë ndërkufitar.

Më 3 shkurt, u zhvilluan dy takime onlajn - i pari që përfshinte nxënës nga Tetova dhe Prizreni, Kosovë, dhe i dyti nxënës nga Kumanova dhe Vranja, Serbi. Pjesëmarrësit, së bashku me ambasadorët e BE-së, Dejvid Gir, Tomaš Szunyog dhe Sem Fabrizi, dhe ambasadorët e rinj evropianë, diskutuan për shëndetin mendor dhe të mësuarit cilësor - çështje që kanë qenë veçanërisht të rëndësishme gjatë periudhës së Covid-19 dhe janë ndër qëllimet e Strategjisë për Rininë të BE-së.

Diskutimi mbi temën e parë ishte veçanërisht i gjallë - për një arsye të mirë. Të gjithë nxënësit ranë dakord që kufizimet në jetën e tyre shoqërore dhe arsimore po i bënin një dëm emocional (një nga pjesëmarrësit tha që 'janë marrëdhëniet shoqërore ato që na përcaktojnë ne si qenie njerëzore). Ata thane njëzëri se ishte koha për të thyer stigmën shoqërore të lidhur me njerëzit që përjetojnë çështje të shëndetit mendor, për të rritur ndërgjegjësimin e opinionit dhe për të siguruar mbështetje më të madhe nga shkollat, veçanërisht ekipet e tyre të psikologëve. Një vajzë me zgjuarsi vuri në dukje se 'shkolla nuk ka të bëjë vetëm me suksesin akademik; domethënë, duhet të punohet në funksionimin e trekëndëshit  Shkollë- prindër- nxënës ". Një pjesëmarrës ndau përvojën personale të sindromit Asperger për të sqaruar se një moment pikëllimi nuk është i njëjtë me depresionin dhe se të gjithë duhet të mësojnë të pranojnë ndjenjat e tyre. "Çështja është të mos jesh i lumtur gjatë gjithë kohës. Është normale të ndjehesh i pikëlluar herë pas here', tha nxënësi.

Ambasadori Gir i këshilloi nxënësit të dëgjojnë emocionet e tyre – kërkimi i mbështetjes profesionale (nëse e kërkon situata) është i rëndësishëm, por është gjithashtu me rëndësi që nxënësit të jenë aty për miqtë dhe shokët e tyre të klasës të cilët po përballen me vështirësi, përfshirë luftën kundër bulizmit dhe ngacmimeve.

Arsimi ishte gjithashtu një temë stimuluese për nxënësit, dhe jo vetëm për shkak të sfidave që të mësuarit onlajn u ka imponuar atyre. Blendi Hodai, kryetar i Unionit të Shkollave të Mesme të Maqedonisë së Veriut dhe nxënës nga Tetova, i cili ishte pjesë e debatit, theksoi dy gjëra: që ka dallim midis shkollimit dhe arsimimit (e para është formale dhe e dyta është e përjetshme), dhe se mësimdhënia është një proces i dyanshëm, i cili përfshin profesorë të aftë për të përcjellur dituri dhe nxënës të gatshëm për të mësuar.

Secili prej ambasadorëve të BE-së shpjegoi se në BE, Shtetet Anëtare shkëmbejnë praktikat dhe përvojën më të mirë në mënyrë që të zhvillojnë aftësitë dhe njohuritë për t'i mundësuar nxënësve të përmbushin kërkesat gjithnjë në ndryshim të tregut të punës dhe zhvillimin social, ekonomik dhe teknologjik siç janë dixhitalizimi dhe Axhenda e Gjelbër. Ata theksuan angazhimin e BE-së në reformat arsimore në rajon, duke vënë në dukje se ekziston një mospërputhje midis aftësive dhe vendeve të punës, gjithashtu si pasojë e ikjes së trurit që po ndikonte në të gjithë rajonin. Ambasadori Gir tha se arsimi ka të bëjë me sjelljen e vlerës së shtuar në shoqëri - ai duhet t'u sigurojë nxënësve aftësitë e nevojshme, por gjithashtu të jetë gjithëpërfshirës dhe të promovojë të mësuarit gjatë gjithë jetës. Prandaj, mbështetja e BE-së për konceptet që synojnë të përshtatin programet mësimore me kërkesat e tregut të punës dhe kështu të ndihmojnë në krijimin e mundësive më të mira të punës për të rinjtë.

Provë e rëndësisë që BE-ja i kushton të rinjve është Strategjia e saj për Rininë. E zhvilluar rreth tre fjalëve (Angazhohu, Lidhu, Fuqizo), Strategjia nxit pjesëmarrjen e të rinjve në jetën demokratike, mbështet angazhimin shoqëror dhe qytetar dhe synon të sigurojë që të gjithë të rinjtë të kenë burimet e nevojshme për të marrë pjesë në shoqëri.  Shëndeti mendor dhe të mësuarit cilësor janë ndër 11 Qëllimet Evropiane të Rinisë, të cilat gjithashtu përfshijnë: lidhjen e BE-së me të rinjtë, barazinë gjinore, shoqërinë gjithëpërfshirëse, informacionin dhe dialogun konstruktiv, çuarjen e të rinjve rural përpara, punësim cilësor për të gjithë, hapësirë ​​dhe pjesëmarrje për të gjithë, Evropë të gjelbër të qëndrueshme, dhe organizata rinore & programe evropiane.