Veloshtad (kombinim nga velo = biçikletë dhe ploshtad = shesh) është emri i parkingut për biçikleta i përuruar më 29 shtator në kuadër të Qendrës së Transportit në Shkup. Ky vend synon të përmbushë nevojat praktike të biçiklistëve, kryesisht sa i përket parkimit dhe servisimit, pasi ata frekuentojnë Qendrën, e cila përfshin hekurudhën e Shkupit dhe stacionin kryesor të autobusëve.
Përurimi i Veloshtad zëvendësoi shënimin e Ditës pa Makina pasi parada tradicionale e biçikletave nuk mund të mbahej këtë vit për shkak të Covid-19. Ngjarja bashkoi Javën Evropiane të Lëvizjes dhe Javën Evropiane të Sporteve, parullat e të cilave këtë vit janë 'Lëvizshmëria me emisione zero për të gjithë' dhe 'Bëhu Aktiv'.
Delegacioni i BE-së i dha ‘dorën e fundit’ projektit (mbështetur nga Agjencia Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar - GIZ), duke financuar një mural, vepër e tre artistëve të diplomuar: Sanja Simoska, Sali Ertunc dhe Brankica Jordankovska.
Ambasadori Dejvid Gir deklaroi se murali është vetëm një pjesë e vogël e ndihmës përndryshe të konsiderueshme që BE-ja ia jep Maqedonisë së Veriut në fushën e mjedisit.
'Çiklizmi dhe ecja janë mënyra të thjeshta praktike që mund të na ndihmojnë të jemi të shëndetshëm dhe në formë, si dhe të japin një kontribut në arritjen e synimit ambicioz të BE-së për një kontinent neutral nga karboni deri në vitin 2050. Numri i çiklistëve në Shkup është rritur në mënyrë mbresëlënëse gjatë kohës së koronës. Por, disa pjesë të qytetit akoma nuk kanë infrastrukturën e duhur. Unë ndaj shpresën e çiklistëve të Shkupit se kjo do të ndryshojë së shpejti ', tha Ambasadori.