Delegation of the European Union to Nicaragua

Fjalimi i Ambasadorit të BE-së Luigi Soreca në prezantimin e projektit “Lufta kundër krimit të organizuar në Shqipëri përmes hetimit kriminal dhe financiar”

Tirana, Albania, 23/03/2021 - 14:44, UNIQUE ID: 210323_15
Speeches of the Ambassador

I dashur Ministër Çuçi,

Të dashur kolegë ambasadorë,

I dashur Drejtor Terrón Cusí,

Është kënaqësi t’ju mirëpres sot dhe të nisim së bashku këtë projekt të ri që përmirëson luftën kundër krimit të organizuar përmes hetimeve financiare proaktive dhe të bazuara në shërbimet e inteligjencës.

Që kur kam mbërritur në Tiranë, “Ndiq paratë” ka qenë një moto e përhershme e qasjes sonë për të mbështetur luftën kundër grupeve kriminale.

Organizatat e krimit të organizuar kanë një objektiv të thjeshtë: fitimin financiar, të arritur përmes pastrimit të parave në mënyra gjithnjë e më kreative dhe të sofistikuara.

Vetëm hetimet financiare të bazuara në teknologji të reja dhe pajisje të kriminalistikës, mund të sigurojnë shkëputjen dhe privimin e organizatave kriminale nga këto fitime.

Projekti që po nisim sot shënon një kthesë. Me 5.5 milionë euro, përfshirë 2.4 milionë euro për pajisje, ai do t’u mundësojë zyrave të prokurorisë, agjencive të zbatimit të ligjit (përfshirë BKH-në), autoriteteve tatimore, si dhe njësive doganore dhe atyre të inteligjencës financiare të ndërtojnë ekspertizën e kërkuar dhe të rrisin aftësinë e tyre për të zbuluar veprimtarinë e krimit të rëndë dhe të organizuar.

Mbështetja është me të vërtetë evropiane, pasi kombinon praktikat më të mira nga disa prej Shteteve tona Anëtare. Unë do të doja të falënderoja kolegët e mi nga Spanja, Holanda dhe Italia që besuan në këtë projekt dhe u siguruan që ai të konkretizohet sot.

Bashkëpunimi ynë udhëhiqet nga vlera e partneritetit, e mbështetur mbi shkëmbimin e njohurive dhe ekspertizës. Ky është një angazhim i përbashkët i të gjithë partnerëve.

Lufta kundër krimit të organizuar është një përparësi kyçe për pranimin e Shqipërisë në BE. Rritja e kapaciteteve të hetimit financiar të të gjithë aktorëve të përfshirë do të sjellë prova më të qëndrueshme para gjykatave, duke kontribuar për ndërtimin e një historiku më të fortë.

Projekti do të ndihmojë gjithashtu progresin e Shqipërisë në përpjekjet e saj për përmirësimin e performancës në kontekstin e Task Forcës së Veprimit Financiar (FATF). Zbatimi i Planit të Veprimit të Task Forcës është në rrugën e duhur, por ende nevojiten më shumë dënime të formës së prerë dhe më shumë konfiskime të pasurive kriminale.

Pritshmëritë ndaj kësaj mbështetjeje të BE-së janë të mëdha dhe do të kërkojnë bashkëpunimin e plotë të të gjithë partnerëve dhe institucioneve. E mbështetur nga 15 milionë euro të investuara në katër vitet e fundit nga Bashkimi Evropian për modernizimin e policisë dhe doganave, si dhe drejt krijimit të plotë të BKH-së, Shqipëria tani ka një numër të rëndësishëm burimesh në anën e saj për t’u përballur me këtë sfidë.

Sigurisht që BE-ja do të vazhdojë të mbështesë përpjekjet dhe përkushtimin e prokurorëve dhe oficerëve të shumtë të policisë, të cilët janë çdo ditë në vijën e parë të mbrojtjes së Shqipërisë dhe qytetarëve të saj.

Faleminderit shumë!

Languages:
Seksionet editoriale: