THIS CONTENT HAS BEEN ARCHIVED

Komisioni Evropian dhe autoritetet e Kosovës diskutojnë arsimin, politikat sociale dhe punësimin

11.02.2019
Teaser

Në takim u mbulua një gamë e gjerë temash nga arsimi, politikat sociale dhe punësimi, telekomunikacioni dhe politikat audio-vizuale, trashëgimia kulturore

Text

Përfaqësuesit e Komisionit Evropian dhe autoritetet e Kosovës mbajtën takimin e Nen Komitetin për Inovacionin, Shoqërinë e Informacionit dhe Politikën Sociale të Marrëveshjes për Stabilizim Asociim më 8 shkurt 2019 në Bruksel. Në takim u mbulua një gamë e gjerë temash nga arsimi, politikat sociale dhe punësimi, telekomunikacioni dhe politikat audio-vizuale, trashëgimia kulturore. Diskutimi u mbajt në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA), e cili hyri në fuqi në prill 2016. Në të gjitha fushat, Komisioni dhe Kosova u pajtuan për rëndësinë e zbatimit të Agjendës përkatëse të Reformave Evropiane dhe prioriteteve të Programit të Reformave Ekonomike si dhe rekomandimeve nga Raporti i fundit të Komisionit për Kosovën dhe rekomandimet e mëhershme të Nën Komitetit.

Sa i përket arsimit, Komisioni ripërsëriti nevojën për të prioritizuar sigurimin e cilësisë në të gjitha nivelet, që nga arsimi parashkollor deri te arsimi i lartë. Kjo mund të arrihet kryesisht duke forcuar organet e sigurimit të cilësisë, përkatësisht inspektoratin e arsimit dhe koordinatorët e cilësisë për arsimin parauniversitar, Agjencinë e Akreditimit për arsimin e lartë dhe Autoritetin Kombëtar të Kualifikimeve për arsimin profesional, por gjithashtu duke financuar në mënyrë të duhur institucionet arsimore, duke përfunduar reformën e kurrikulës me tekste të reja shkollore dhe me cilësi më të mirë, si dhe me sigurimin e infrastrukturës së re për arsimim të hershëm. Komisioni pozitivisht vlerësoi emërimin e Bordit të ri të Agjencisë së Akreditimit përmes konkursit të hapur dhe inkurajon autoritetet që të respektojnë pavarësinë e tyre. Autoritetet u inkurajuan të miratojnë Ligjin e ri për Arsimin e Lartë në Kuvend, në përputhje me rekomandimet e ofruara përmes Instrumentit të Përbashkët BE-Këshilli i Evropës për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë, si dhe ligjin për arsimin parashkollor. Komisioni vuri re se autoritetet po ofrojnë numër të kufizuar mësimdhënësish ndihmës për fëmijët me nevoja të veçanta, por duhet të përmirësohet qasja në arsim cilësor dhe për komunitetet pakicë.

Në përgjithësi për arsimin, si dhe për shkencën dhe kërkimin, Komisioni i kërkoi Kosovës që të ofrojë të dhëna të sakta, përfshi edhe për treguesit e Arsimit dhe Trajnimit 2020.

Lidhur me hulumtimin dhe kërkimin, Komisioni theksoi rëndësinë e kapaciteteve të mira për kërkim dhe inovacion për të rritur konkurrencën, integrimin në Zonën Evropiane të Kërkimit dhe pjesëmarrjen në programet e BE si Horizon 2020 dhe Erasmus +, përfshi edhe emërimin e pikave të kontaktit për secilin program. Sa i përket mbrojtjes së trashëgimisë kulturore, Komisioni theksoi se Kosova duhet të sigurojë zotimin e vazhdueshëm në Këshillin Zbatues dhe Monitorues dhe punën e tij.

Te punësimi, Komisioni vlerësoi masat aktive të tregut të punës të zbatuara nga Agjencia për Punësim, veçanërisht ato që synojnë rininë dhe gratë. Palët përsëri ranë dakord se nevojiten përpjekje më të mëdha për të zbatuar Ligjin e punës dhe legjislacionin për shëndetin dhe sigurinë në punë, kryesisht duke synuar inspektimet në sektorët me rrezik të lartë dhe duke rritur numrin e vogël të inspektorëve të punës. Palët gjithashtu diskutuan lidhur me zbatimin e dialogut social në Kosovë.

Sa i përket shoqërisë së informacionit, Kosova u pajtua të adresojë nevojat e resurseve, veçanërisht në fushën e Sigurisë Kibernetike, duke siguruar staf të mjaftueshëm për Ekipin Kompjuterik për Reagime Emergjente (Computer Emergency Response Team). Kosova u dakordua të rrisë përpjekjet për të harmonizuar dhe zbatuar Direktivën për Sigurinë e Sistemeve të Rrjetit dhe Informacionit (Security of Network and Information Systems-NIS) si dhe për të transponuar Rregulloren për eIDAS (Shërbimet e Identifikimit Elektronik dhe Besimit për Transaksionet Elektronike në Tregun e Brendshëm - Electronic Identification and Trust Services for Electronic Transactions in the Internal Market).

Lidhur me politikat audio vizuale, në veçanti kalimi në digjitale, Komisioni shprehu keqardhje lidhur me mungesën e progresit dhe inkurajoi Komisionin e Pavarur për Media të gjejë mënyra për të liruar frekuencat gjatë vitit që vjen. Komisioni gjithashtu inkurajoi Kosovën që të gjejë një zgjidhje të qëndrueshme për financimin e transmetuesit publik, në pajtim me acquis të BE-së.

Takimi u bashkë kryesua nga Ministria për Integrime Evropiane dhe Drejtoria e Përgjithshme e Komisionit Evropian për Fqinjësi dhe Negociata të Zgjerimit, me pjesëmarrjen e ekspertëve nga drejtoritë e tjera të përgjithshme dhe ministritë.

Sfondi

  • Marrëveshja e Stabilizim Asociimit është korniza për BE-në dhe administratën e Kosovës për diskutime të rregullta mbi çështjet teknike dhe të politikave në lidhje me agjendën evropiane. 
  • Takimet e Komitetit të SA dhe nën-komiteteve bashkë-kryesohen nga Komisioni Evropian dhe Kosova. Çdo takim rezulton në veprime përcjellëse të përcaktuara bashkërisht e të cilat duhet të ndërmerren nga autoritetet e Kosovës. Konkluzionet nga takimet mund të gjenden në faqen e internetit të Zyrës së BE-së në Kosovë (https://eeas.europa.eu/delegations/kosovo_en dhe www. https: //www.mei-ks.net.). Shtatë fusha mbulohen përmes mbledhjeve sektoriale të nën-komiteteve, për drejtësinë, lirinë dhe sigurinë; inovacionin, shoqërinë e informacionit, politikat sociale, arsimin dhe kulturën; tregtinë, industrinë, doganat dhe tatimet; tregun e brendshëm, konkurrencën, mbrojtjen e konsumatorëve dhe shëndetit, bujqësinë, peshkatarinë, pylltarinë, sigurinë e ushqimit; transportin, mjedisin, energjinë, zhvillimin rajonal; çështjet ekonomike dhe financiare, statistikat.   Dy grupe të veçanta mbulojnë reformën e administratës publike dhe normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
  • Çdo takim i nën-komitetit mbikëqyr dhe përcjell zbatimin e reformave nga ana e Kosovës dhe identifikon se si BE mund të ndihmojë në këtë proces. Takimet e trupave gjithashtu japin një kontribut të drejtpërdrejtë në raportet vjetore të Komisionit Evropian. 
Kategoria
Joint Press Releases
Location

Bruksel

Editorial sections
Kosovo*