Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë
Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian në Kosovë

BE do të sigurojë përkrahje me ekspertë për Qeverinë e Kosovës

11/03/2020 - 15:31
Lajmet

BE-ja është e gatshme ta mbështesë një proces të tillë të udhëhequr nga qeveria, si dhe të ndajë me qeverinë e Kosovës përvojat e veta të përpjekjeve të ngjashme për reforma nga vendet anëtare të BE-së dhe rajoni

 

Pas vendimit të marrë nga qeveria e re për zvogëlimin e numrit të ministrive dhe kërkesës së Kryeministrit Kurti drejt BE-së për sigurimin e asistencës me ekspertë, dje, për të diskutuar modalitetet e një mbështetje të tillë, u zhvillua një takim i parë i kryesuar nga zëvendës kryeministrat Avdullah Hoti e Haki Abazi dhe Udhëheqësja e Zyrës së BE-së/PPBE-së, Ambasadorja Nataliya Apostolova, përfaqësuesit e SIGMA-s dhe ministritë përkatëse të linjës për të diskutuar çështjet që lidhen me një riorganizim të tillë dhe implikimet që kanë të bëjnë me Ligjin e ri për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore dhe agjencive të pavarura. Pronësia e plotë nga Qeveria është vendimtare për ta kthyer në sukses bashkimin dhe ristrukturimin e ministrive. BE-ja është e gatshme ta mbështesë një proces të tillë të udhëhequr nga qeveria, si dhe të ndajë me qeverinë e Kosovës përvojat e veta të përpjekjeve të ngjashme për reforma nga vendet anëtare të BE-së dhe rajoni. Kështu, u ndërmor një hap për fillimin e një dialogu me ministrat e përfshirë, sekretarët e përgjithshëm dhe personelin tjetër përgjegjës për procesin e ristrukturimit, në mënyrë që të kuptohen gjendjen aktuale, objektivat specifikë, nismat në vazhdim, si dhe pritshmëritë ndaj një mbështetjeje të tillë. Gjatë ditëve të ardhshme, do të zhvillohen diskutime të mëtutjeshme dhe më të hollësishme me ministrat dhe ministritë e interesuara.

 

Informata shtesë

SIGMA (Mbështetje për Përmirësim në Qeverisje dhe Menaxhim ) është një iniciativë e përbashkët e OECD-së (Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik) dhe BE-së. Objektivi i saj kyç është forcimi i themeleve për qeverisje të përmirësuar publike përmes ndërtimit të kapaciteteve të sektorit publik, përmirësimit të qeverisjes horizontale, dhe përmirësimit të dizajnit dhe zbatimit të reformave të administratës publike, duke përfshirë prioritizimin, renditjen dhe buxhetimin e duhur. Nga ana tjetër, dje ka startuar projekti specifik i Asistencës Teknike të BE-së në mbështetje të zbatimit e të tre ligjeve të RAP-së që u miratuan në shkurt të vitit të kaluar. Ligji për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore dhe agjencive të pavarura siguron kornizën kyçe për punën në vazhdim.

Seksionet editoriale: