Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë
Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian në Kosovë

Fjalimi i Ambasadorit të BE-së Luigi Soreca gjatë hapjes së Shkollës për Integrimin Evropian

Tirana, Albania, 18/11/2019 - 13:29, UNIQUE ID: 191118_10
Speeches of the Ambassador

E dashur Kryetare e Këshillit,

I dashur Zëvendëskryetar,

Të dashur pjesëmarrës,

 

Vitin e kaluar mbajta fjalimin tim të parë si Ambasador i BE-së në Shqipëri, këtu në hapjen e Shkollës për Integrimin Evropian. Ndaj jam shumë i emocionuar dhe i lumtur që jam rikthyer sot për të mirëpritur grupin e ri të pjesëmarrësve për edicionin 2019.

Nuk do t'jua fsheh se, duke marrë parasysh ngjarjet e 12 muajve të fundit, më duket shumë më tepër se një vit!

Më lejoni ta filloj me problemin kyç: moshapjen e negociatave të anëtarësimit gjatë Këshillit të fundit Evropian. Si studentë të integrimit evropian, mund të mendoni se Shqipëria ka marrë një goditje të rëndë.

Më lejoni ta theksoj shumë qartë: angazhimi ynë ndaj perspektivës së BE-së për Shqipërinë mbetet i palëkundur dhe i pandryshuar.

Siç tha Komisioneri Hahn para Parlamentit Evropian: "Politika e zgjerimit është e mishëruar në Traktat. Ajo ka të bëjë me takimin tonë me historinë. Ajo është mbi të gjitha në interesat tona gjeostrategjike."

Ju gjithashtu mund ta keni parë që Presidentja e Zgjedhur Von der Leyen ka bërë deklarata të shumta mbi nevojën që BE-ja të hapë negociatat muajt e ardhshëm. Në fakt, duhet të kthehemi shumë vite pas në kohë për të kujtuar një President të Komisionit kaq të zëshëm lidhur me zgjerimin.

Vetëm javën e kaluar, nuk ka kaluar ditë që Presidentja e Zgjedhur të mos ketë folur për Ballkanin - në Samitin e Paqes në Paris, në 30-vjetorin e rënies së murit të Berlinit apo në intervista. Në Berlin, ajo tha realisht se: "Historia e BE-së që prej vitit 1989 ka dëshmuar se sa shpaguese është kur bashkimi ynë hap zemrën".

Unë do të thosha se, për ironi, dështimi për të hapur negociatat ka hapur një debat të gjerë dhe në fakt një impuls të ri rreth zgjerimit. Asnjëherë në 10 vitet e kaluara nuk është diskutuar kaq shumë dhe në një nivel kaq të lartë - me shumë njerëz që kanë rizbuluar vlerën e politikës së zgjerimit të BE-së dhe mbrojtësit e saj që janë bërë shumë më të zëshëm.

Dhe nëse më lejoni një provokim të vogël pas ndeshjes së djeshme të futbollit, më lejoni t'ju lexoj se çfarë tha Presidenti Macron javën e kaluar: "Nëse e reformojmë metodologjinë e zgjerimit në muajt e ardhshëm, unë jam i gatshëm të hap negociatat. Nëse edhe vendet kandidate bëjnë gjithashtu përpjekjet shtesë që mbeten".

Pra, dera sigurisht që nuk është e mbyllur dhe përparësia duhet të jetë tek ato përpjekje shtesë - domethënë te realizimi i reformave. Për shembull, krijimi i institucioneve të reja kyçe si SPAK dhe pasja e një Gjykate Kushtetuese plotësisht funksionale janë në krye të agjendës së integrimit të BE-së.

Lidhur me reformat, unë nuk mund ta theksoj më shumë rëndësinë e dialogut ndërpartiak. Në një moment kaq kritik për të ardhmen e Shqipërisë, të gjithë duhet të investojmë për ndërtimin e një konsensusi politik dhe të punojmë me angazhim drejt integrimit në BE. Ky synim kombëtar është mbi interesat personale dhe partiake, është në të mirë të qytetarëve shqiptarë.

Java e kaluar u shënua nga disa zhvillime të rëndësishme dhe shqetësuese. Ne i kemi mirëpritur anëtarët e rinj të Gjykatës Kushtetuese që u zgjodhën.

Tani u bëjmë thirrje institucioneve shqiptare në fjalë që të zgjidhin me shpejtësi konfliktet e interpretimit dhe të sjellin qartësi mbi përbërjen e Gjykatës Kushtetuese. Kjo është thelbësore që Shqipëria të adresojë takimin e integrimit në BE-të të muajve të ardhshëm.

Reforma zgjedhore është një fushë tjetër ku na duhen rezultate. Ne presim që të gjitha palët të angazhohen në një mënyrë gjithëpërfshirëse për të adresuar rekomandimet e OSBE / ODIHR-it. Tashmë është bërë një punë e shkëlqyer dhe konstruktive. Ne presim që këto përpjekje të finalizohen sa më shpejt që të jetë e mundur me ndryshime në ligjin zgjedhor.

Të dashur pjesëmarrës,

Procesi i anëtarësimit dhe qeverisja e mirë që nevojitet për të, do të kërkojnë nivele gjithnjë e më të larta të aftësive teknike dhe dialogut brenda shoqërisë.

Për ta thënë këtë thjesht: njerëzit duhet të kuptojnë pse janë të nevojshme reformat, si do të zhvillohen, sa do të kushtojnë dhe çfarë do të përfitojnë prej tyre.

Që të gjitha këto të kenë sukses dy gjëra janë thelbësore:

1. Vullneti i qartë politik. Politika e mirë nënkupton konkurrencën e ideve, politikave dhe zgjidhjeve të shëndosha. Qytetarët shqiptarë kanë pasur mjaft zënka dhe grindje. Ata duan rezultate dhe, në fund të fundit, duan të jetojnë si pjesa tjetër e Evropës.

2. Gjëja e dytë janë njohuritë. Ndryshimi i vërtetë nuk mund të vijë përmes improvizimit dhe zgjidhjeve gjysmake.

Kjo është arsyeja pse jeni mbledhur këtu: për të fituar më shumë njohuri rreth proceseve që do të kenë një rëndësi të madhe për të ardhmen e vendit tuaj.

Asnjë vend nuk ka luksin të humbasë talentin dhe potencialin. Përfaqësuesit e zgjedhur, nëpunësit publikë, gazetarët apo shoqëria civile, të gjithë do të luajnë një rol. Këshilli Kombëtar, me larminë e anëtarëve të tij dhe krijimin e kapaciteteve që ka mbështetur ndër vite, do të ketë një rol të rëndësishëm.

Kjo është arsyeja pse Shkolla e Integrimit Evropian është një instrument i shkëlqyer për të forcuar ekspertizën dhe për të ndërtuar rrjete të lidhura me BE-në. Duke ardhur nga administrata publike në nivel qendror dhe vendor, OJQ-të, bota akademike, media, apo komuniteti i biznesit, ju të gjithë jeni pjesë të ndryshme por po aq thelbësore të procesit të integrimit në BE.

Jam shumë i lumtur që Delegacioni i BE-së po e mbështet Shkollën për të katërtin vit. Dua gjithashtu të falënderoj Këshillin për hartimin e një programi të cilësisë më të lartë dhe shndërrimin këtë javë në një investim institucional afatgjatë.

Gjatë 5 ditëve të ardhshme do t’ju thuhen shumë terma teknikë: "kapitujt e acquis", "përafrim" dhe "standarde". Por kurrë mos harroni, prapa tyre qëndron mundësia për ta ndryshuar jetën e shqiptarëve për mirë.

Është shumë komplekse dhe shumë e thjeshtë njëkohësisht. Është komplekse sepse do të thotë fjalë për fjalë një rishikim i të gjithë sistemit, dhe është e thjeshtë sepse besojmë se këtu është veçse një destinacion i natyrshëm për Shqipërinë. Punë, mësim dhe ndryshim.

Shqipëria ia vlen të gjithë energjinë dhe përkushtimin tuaj. Kjo është detyra e brezit tuaj dhe ne do të bëjmë gjithçka për t'ju ndihmuar.

Ju uroj një javë të shkëlqyer!

Shumë faleminderit!

Languages:
Seksionet editoriale: