Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë
Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian në Kosovë

Fjalimi i Ambasadorit të BE-së Luigi Soreca për Ndihmën e BE-së për njerëzit e dëmtuar nga tërmetet dhe përmbytjet në Shqipëri

Tirana, Albania, 28/09/2019 - 13:10, UNIQUE ID: 190928_2
Speeches of the Ambassador

Kjo javë ka qenë shumë e vështirë për Shqipërinë. Tërmetet e fundjavës së kaluar e kanë tronditur thellësisht popullsinë shqiptare në Durrës, Tiranë dhe, në fakt, në të gjithë vendin.

 

Më pas Shqipëria u përball me stuhi dhe shira të dendur të pazakontë që shkaktuan përmbytje të menjëhershme në disa prej zonave të prekura nga tërmetet.

 

Deri më tani, afro 1.500 shtëpi janë konfirmuar si të dëmtuara, si dhe dy qendra shëndetësore, pesë ura dhe katër struktura energjetike. Rreth 148 persona u plagosën, por për fat të mirë nuk janë raportuar të vdekur.

 

Më duhet të duartrokas autoritetet shqiptare të cilat kanë qenë të shpejta në reagim, duke krijuar qendra të përkohshme evakuimi për njerëzit e zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

 

BE-ja dhe Shtetet e saj Anëtare gjithashtu kanë qenë të shpejtë në ofrimin e ndihmës. Shqipëria nuk është vetëm e afërt gjeografikisht, por edhe afër zemrës dhe shqetësimeve të tyre. Më duhet gjithashtu të duartrokas bujarinë dhe shpejtësinë e përgjigjes së Shteteve Anëtare të BE-së.

 

Ne jemi krenarë për efikasitetin e Mekanizmit tonë të BE-së për Mbrojtjen Civile. U deshën vetëm disa ditë pas aktivizimit të tij për të ngritur një ekip prej 8 ekspertësh dhe për ta dërguar atë në Shqipëri. Ekipi i plotë, i formuar nga qendra e koordinimit të reagimit ndaj emergjencave e BE-së, është sot këtu dhe do të punojë ngushtësisht me autoritetet shqiptare gjatë 2 javëve të ardhshme.

 

Deri më sot, 8 Shtete Anëtare të BE-së kanë ofruar ndihmë përmes Mekanizmit të BE-së për Mbrojtjen Civile: Austria, Kroacia, Finlanda, Greqia, Hungaria, Italia, Sllovenia dhe Sllovakia. Norvegjia dhe Mali i Zi gjithashtu po kontribuojnë.

 

Përmes koordinimit të Bashkimit Evropian, furnizimet dhe artikujt e ndihmës së parë, të tilla si tendat e emergjencës, gjeneratorët e energjisë elektrike dhe pakot ushqimore tashmë janë mobilizuar në zonat e prekura.

 

Ekipi i Qendrës së Koordinimit për Reagimin ndaj Emergjencave (ERCC) i dislokuar dje është atje për të mbikëqyrur marrjen e mirë dhe shpërndarjen në terren të ndihmës së BE-së, si dhe për t’i siguruar ekspertizë autoriteteve shqiptare në fushën ku nevojitet.

 

Tani po kujdesemi për nevojat aktuale, por në të njëjtën kohë duhet të punojmë në perspektivën afatgjatë. Tërmetet kanë treguar domosdoshmërinë e krijimit të një agjencie të fortë për mbrojtjen civile për të ngritur kapacitete për menaxhimin e rreziqeve, veçanërisht parandalimin dhe gatishmërinë.

 

Ngjarjet e kësaj jave kanë ekspozuar veçanërisht mungesën e ndërgjegjësimit dhe edukimit të popullatës dhe medieve, të cilat mund të jenë katastrofike në rrethana më të rënda.

 

Të dashur ministra dhe kolegë,

 

I uroj ekipit të BE-së për Mbrojtjen Civile dhe homologëve të tyre shqiptarë përpjekjet dhe koordinimin më të mirë të përbashkët për dy javët e ardhshme.

 

Ajo që ne shohim sot në punë është një shembull se si funksionon më së miri BE-ja, ku solidariteti dhe efikasiteti kombinohen në dobi të qytetarëve jo vetëm në vendet e BE-së, por kudo në botë.

 

Languages:
Seksionet editoriale: