Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë
Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian në Kosovë

RAPORTI PËR KOSOVËN 2019 – Komentet kryesore nga Ambasadorja Apostolova

29/05/2019 - 14:42
News stories

 

Check against delivery

Zonja dhe zotërinjë,

BE-ja i ka dhënë sinjale të qarta Ballkanit Perëndimor gjatë vitit të fundit, duke rikonfirmuar perspektivat evropiane të rajonit dhe të çdo vendi. Me paketën e sotme të zgjerimit dhe raportet e vendeve, Komisioni Evropian rikonfirmon këtë angazhim dhe vlerat themelore të BE-së si thelbësore për zgjerimin. Por gjithashtu ne do të dërgojmë një mesazh të qartë: nuk ka rrugë të shkurtër për në BE. Boshllëqe të rëndësishme mbeten. Në të gjithë rajonin duhet të shohim reformat të zbatohen më me forcë dhe të prodhohen rezultate të qëndrueshme, veçanërisht në sundimin e ligjit.

Duke u bazuar në raportet e mëparshme të vitit të kaluar, raporti ofron krahasueshmëri më të madhe midis vendeve, duke mundësuar një vlerësim të përgjithshëm se ku qëndrojnë vendet e Zgjerimit me përgatitjet për sfidat e anëtarësimit në BE.

Raporti tregon se ku është bërë progres, ku vazhdojnë problemet dhe cilët hapa mbeten të domosdoshëm për avancuar reformën. Ky është vlerësim nga dora e parë i përparimit të Kosovës në rrugën e saj evropiane dhe jep rekomandime të qarta për periudhën në vijim. Raporti i Kosovës i vitit 2019 ofron një vlerësim të drejtë dhe të balancuar dhe tregon një gotë gjysmë të plotë.

Ne e vlerësojmë progresin e bërë deri më sot. Kemi parë përparim të rëndësishëm në miratimin e reformave kryesore të lidhura me BE-në. Qeveria ka demonstruar përkushtim për zbatimin e disa zotimeve kryesore të Agjendës Evropiane të Reformës, dhe është bërë përparim i rëndësishëm.

Lidhur me administratën publike dhe qeverisjen e mirë paketa legjislative e miratuar në shkurt paraqet një reformë të gjerë dhe gjithëpërfshirëse të shërbimit civil, të funksionimit dhe llogaridhënies së organeve dhe agjencive publike dhe reformë të pagave.

Disa përparime të mëtejshme janë bërë në sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar me reformë të rëndësishme të Kodit Penal dhe rritje të hetimeve dhe ndjekjeve penale të rasteve të nivelit të lartë.

Shoqëria civile është duke luajtur një rol gjithnjë e më aktiv dhe më efektiv në jetën publike dhe Kosova përfiton nga një tablo mediatike pluraliste dhe e gjallë dhe nga liria e shprehjes.

Rritja ekonomike është e fuqishme dhe është është bërë përparim në harmonizimin e mëtejshëm me acqui në fushat e lëvizjes së lirë të mallrave, shërbimeve dhe kapitalit. Shërbimet financiare mbeten stabile dhe shtrirja e prokurimit elektronik po siguron një shtysë pozitive për transparencën dhe tenderimin konkurrues.

Është bërë progres i mirë në forcimin e kontrollit financiar publik dhe statistikat kombëtare janë duke u përmirësuar.

Kjo tregon se Kosova gjithnjë e më shumë ka kapacitet politik dhe administrativ për të ndjekur dhe zbatuar reforma të vërteta. BE-ja është e lumtur të vazhdojë me mbështetje, siç po bëjmë me reformën e administratës publike dhe me këshilla dhe ekspertizë të sinqertë, të hapur dhe të ndershme.

Tani është koha për të dhënë rezultate të prekshme duke zbatuar ligjet e miratuara dhe duke vazhduar me reforma në praktikë për të siguruar një gjyqësor efektiv, luftë efektive kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, administrate publike efikase dhe ekonomi më të fortë.

Por, rruga drejt Evropës nuk është e rrafshtë – kjo është vërtetë si për Kosovën ashtu edhe për të tjerët në rajon.

Fatkeqësisht edhe raporti i Kosovës, në frymën e balancit dhe ndershmërisë, reflekton mbi sfidat e vazhdueshme me të cilat ballafaqohet Kosova dhe ato vendime që minojnë koherencën dhe efektivitetin e rrugës së reformave që ka zgjedhur Kosova.

Funksionimi i Kuvendit minohet nga një mjedis politik shumë i polarizuar, dobësitë në funksionimin e tij, mungesat e shpeshta të kuorumit dhe vonesat e rezultateve në aktivitetet legjislative. Mbikëqyrja parlamentare e ekzekutivit mbetet e dobët.

Vendimet e shpeshta problematike ad-hok të Qeverisë nuk janë as në harmoni me objektivat e deklaruara për reformë e as në frymën e tyre.

Tarifa prej 100% për mallrat serbe dhe boshnjake ka minuar përpjekjet e suksesshme të bashkëpunimit rajonal dhe nuk është e qëndrueshme. Shpresojmë ta tejkalojmë këtë pengesë për marrëdhënie të mira BE Kosovë së shpejti.

Janë miratuar ligje që paraqesin rreziqe për financat publike, skemat pensionale jo-kontributdhënse të pafinancuara për grupe të ndryshme dhe pagat konsiderueshëm të ngritura të sektorit publik pengojnë zhvillimin e sektorit privat. Dështimi i vazhdueshëm për të reformuar përfitimet e patargetuara të veteranëve të luftës mbetet një shqetësim.

Emërimet e politizuara, jo të bazuara në merita, në pozita të larta publike kanë vazhduar në shumë raste. Po ashtu, emërimi i një të dënuari për krime lufte në pozitë të lartë në qeveri është zhgënjyes dhe shkon në kundërshtim me vlerat evropiane.

Për më tepër, ka ende shumë fusha ku përparimi ka qenë shumë i ngadalshëm ose ka munguar, sidomos në fushën e mjedisit dhe arsimit. Ngadalë po fillojnë reformat në arsim, por nevojitet shumë më shumë angazhim politik për të përmirësuar cilësinë e arsimit dhe për të adresuar boshllëqet e shkathtësive në tregun e punës.

Në mjedis, po shohim një kërkesë publike të rritur për të adresuar sfidat serioze të mbrojtjes së mjedisit dhe ndryshimeve klimatike të cilat dëmtojnë shëndetin dhe jetesën e qytetarëve të Kosovës. Institucionet e Kosovës duhet ta marrin këtë shumë më seriozisht dhe të fillojnë me ofrimin e rezultateve.

Ky ka qenë një vit plot ngjarje politike për Kosovën.

Korrikun e kaluar, Komisioni ka konfirmuar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizim të vizave, por siç e dini, për fat të keq, diskutimet në Këshill janë zgjatur. Raporti i vitit 2019 për Kosovën e thekson këtë qartë dhe përsërit fuqishëm mbështetjen e Komisionit Europian për të përfunduar pozitivisht dhe urgjentisht këtë proces në Këshill.

Zonja dhe Zotërinjë,

Çështjet që kam përshkruar janë vetëm një fotografi e tërë raportit. Është e rëndësishme të mbahet mend se ne mbulojmë gjithë gjerësinë dhe thellësinë e marrëdhënieve BE-Kosovë, duke përfshirë edhe ato në shumë fusha teknike. Siç thashë në fillim, ka fusha ku është arritur progres dhe ka fusha ku nevojitet shumë më tepër që Kosova të përmbushë kërkesat për pranim në BE. Kjo është një rrugë e gjatë. BE-ja do ta ecë këtë rrugë së bashku me ju.

Faleminderit.

Seksionet editoriale: