Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë
Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian në Kosovë

Fjalimi i Ambasadorit të BE-së Luigi Soreca në konferencën për shtyp me kryeministrin Edi Rama pas prezantimit zyrtar të Raportit Vjetor 2019 për Shqipërinë

Tirana, Albania, 29/05/2019 - 17:48, UNIQUE ID: 190529_19
Speeches of the Ambassador

I dashur Kryeministër, Zonja dhe Zotërinj,

 

Në qershor 2018, Këshilli i Bashkimit Evropian iu përgjigj pozitivisht progresit të bërë nga Shqipëria në pesë prioritetet kryesore dhe përcaktoi rrugën drejt hapjes së negociatave për anëtarësim në qershor 2019.

 

Kjo "rrugë" ka për qëllim që Shqipëria të ruajë dhe thellojë vrullin e reformave, veçanërisht në fushën kyçe të shtetit ligjor.

 

Që atëherë, Komisioni Evropian i ka monitoruar imtësisht zhvillimet në Shqipëri.

 

Raporti i miratuar sot bazohet në një gamë shumë të gjerë kontributesh nga Qeveria Shqiptare, Shtetet Anëtare të BE-së, Delegacioni i BE-së dhe Komisioni Evropian, raportet e Parlamentit Evropian, organizatat e shoqërisë civile dhe komuniteti i biznesit.

 

Vlerësimi i Komisionit Evropian është se Shqipëria ka arritur progres të rëndësishëm në fushat e përcaktuara nga Këshilli në qershor 2018.

 

Në bazë të këtij progresi të rëndësishëm, Komisioni rekomandon që Këshilli të hapë tani negociatat e pranimit me Shqipërinë dhe pa asnjë kushtëzim.

 

Nuk do të hyj në të gjitha hollësitë e raportit. Por më lejoni, megjithatë, të theksoj disa elemente të rëndësishme që motivuan vendimin tonë:

 

Zbatimi i reformës në drejtësi ka vazhduar në mënyrë të qëndrueshme. Janë krijuar institucionet e reja për vetëqeverisjen e gjyqësorit - Këshilli i Lartë Gjyqësor, Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe Këshilli për Emërimet në Drejtësi. Rivlerësimi i të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve, vetingu, gjithashtu ka përparuar në mënyrë të qëndrueshme, duke prodhuar më shumë se 140 vendime.

 

Në luftën kundër krimit të organizuar, operacionet policore për të shpartalluar organizatat kriminale janë intensifikuar. Disa operacione kanë rezultuar me arrestime të shumëfishta, si dhe janë kryer një numër padish dhe dënimesh të rëndësishme. Ka pasur një intensifikim të bashkëpunimit ndërkombëtar të policisë, veçanërisht me Shtetet Anëtare të BE-së, duke çuar në një numër operacionesh ndërkufitare të zbatimit të ligjit në shkallë të gjerë.

 

Për antikorrupsionin, krijimi i një Task Force Antikorrupsion ka rritur proaktivitetin e hetimeve administrative dhe procesi i vetingut ka çuar në shkarkimin nga detyra të një numri magjistratësh të korruptuar të nivelit të lartë, përfshirë edhe në nivelin e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë.

 

Sa i përket migracionit, numri i aplikimeve të pabazuara për azil të paraqitura nga shtetasit shqiptarë në BE ka rënë, megjithëse mbetet i lartë në disa Shtete Anëtare të BE-së dhe kërkon përpjekje të vazhdueshme dhe të qëndrueshme. Një zhvillim i rëndësishëm ishte që Shqipëria u bë shteti i parë jo anëtar i BE-së që nënshkroi dhe zbatoi Marrëveshjen Status me BE-në për Rojat Kufitare dhe Bregdetare Evropiane. Dhe rezultatet e para operative të këtij bashkëpunimi tashmë po mbërrijnë.

 

Për të drejtat themelore, Shqipëria ka bërë përpjekje të mëtejshme për të përmbushur detyrimet që rrjedhin nga instrumentet ligjore të BE-së dhe ato ndërkombëtare, veçanërisht në fushat e të drejtave të fëmijëve dhe dhunës në familje. Puna duhet të çohet përpara si duhet në fushën themelore të të drejtave pronësore.

 

Së fundi, në administratën publike, përpjekjet e kanë përmirësuar kuadrin rregullator për vlerësimin e ndikimit të politikave, kanë çuar në procedura më transparente rekrutimi.

 

Më lejoni tani të sqaroj një pikë që është shumë e rëndësishme. Vendimi i Komisionit Evropian për të konfirmuar rekomandimin pozitiv bazohet në progresin e mjaftueshëm që duhet të arrijë vendi për të hapur negociatat. Ky nivel progresi sigurisht që nuk është aspak i njëjtë me atë që Shqipëria do të duhet të arrijë në të ardhmen për t'u bërë një Shtet Anëtar. Kjo do të ndodhë në fund të negociatave.

 

Ndaj hapja e negociatave përfaqëson fundin e fillimit, jo fillimin e fundit.

 

Mbeten ende sfida dhe duhet bërë më shumë në periudhën afatgjatë për ta konsoliduar dhe mbështetur progresin e bërë. Raporti i sotëm ofron udhëzime politike në dy fusha në të cilat Shqipëria duhet të përqendrohet:

 

nevoja për të vazhduar ndërtimin e një historiku të qëndrueshëm kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

 

nevoja për një konsensus të fortë kombëtar mbi prioritetin thelbësor të integrimit në BE, duke tejkaluar polarizimin dhe duke demonstruar vullnet politik përtej ndarjeve partiake.

 

Kjo përpjekje kolektive nënkupton që të gjitha palët duhet të bashkohen pas objektivit të integrimit në BE dhe t’i lënë mënjanë ndarjet e tyre.

 

Prandaj ne përsërisim thirrjet e bëra muajt e fundit për të gjitha palët që të angazhohen në dialog, në interesin më të lartë kombëtar.

 

Sot Shqipëria ka arritur një tjetër moment të rëndësishëm. Unë do të doja të përgëzoja kryeministrin Rama dhe qeverinë e tij për arritjet e tyre dhe për rikonfirmimin e rekomandimit pozitiv të Komisionit për hapjen e negociatave për anëtarësim.

 

Mbështetja dhe besimi popullor në BE e ka ndihmuar sistematikisht Shqipërinë për të shtyrë dhe për të konsoliduar reformat e paprecedente në vend.

 

Shqiptarët vazhdojnë të jetë një nga vendet e Evropës që ka besimin më të madh te Bashkimi Evropian.

 

Hapja e negociatave dhe fillimi seriozisht i procesit të shqyrtimit do të nisë një proces të gjatë dhe intensiv për të gjithë vendin për t’i përshtatur të gjithë sektorët e jetës së tij publike dhe ekonomike me standardet e BE-së. Për të qenë të qartë, kjo do të kërkojë reforma në lidhje me mjedisin, sigurinë e konsumatorit, konkurrencën, median dhe gjithsej 34 prej atyre që ne i quajmë kapitujt e acquis.

 

Prandaj mbetet shumë për të bërë që Shqipëria të bëhet një Shtet Anëtar. Por arritja e një progresi të mjaftueshëm do të thotë se Komisioni Evropian mendon se Shqipëria tani është gati të kalojë në hapin tjetër.

 

Meqë po flasim për hapat e ardhshëm, Shtetet Anëtare në Këshill tani do të vlerësojnë progresin e bërë në bazë të këtij raporti vjetor.

 

3 javët e ardhshme të diskutimit do të jenë vendimtare. Secili nga Shtetet tona Anëtare duhet të jetë plotësisht i bindur dhe secili Shtet Anëtar ka procesin e vet të vendimmarrjes për këtë çështje. Kjo është mënyra e funksionimit të Bashkimit Evropian dhe kjo është mënyra se si do të merret vendimi përfundimtar.

 

Prandaj ne inkurajojmë të gjithë sistemin politik shqiptar, qeverinë, por edhe opozitën, për të kontribuar për këtë qëllim duke ju drejtuar të gjithë partnerëve tuaj në Shtetet Anëtare të BE-së për të shpjeguar rastin tuaj, çfarë ka arritur Shqipëria, si dhe për të vazhduar ndërtimin e besimit te vendi juaj dhe tek e ardhmja jonë e përbashkët.

 

Languages:
Seksionet editoriale: