Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë
Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian në Kosovë

RAPORTI VJETOR 2018 I BE-SË PËR TË DREJTAT E NJERIUT DHE DEMOKRACINË NË BOTË

27/05/2019 - 11:56
Reports

Shqipëria

1. Përmbledhje e situatës së të drejtave të njeriut dhe demokracisë:

Ju lutemi, referojuni Raportit të Vendit nga Paketa e Zgjerimit 2019 për Shqipërinë.

2. Veprimi i BE-së - fushat kyçe të fokusit: BE-ja vazhdon ta mbikëqyrë plotësisht mbrojtjen e të drejtave të njeriut, duke përfshirë të drejtat e grave, të drejtat e fëmijëve, mbrojtjen e pakicave, lirinë e shprehjes, të drejtat e pronës, mbrojtjen e grupeve të cenueshme dhe, në veçanti, integrimin e komuniteteve rome dhe egjiptiane si dhe përmirësimin e kushteve të paraburgimit dhe provës në sistemin shqiptar të burgjeve.

3. Angazhimi politik dypalësh i BE-së: Seminari i katërt semestral i dialogut politik BE-Shqipëri në lidhje me përfshirjen e komuniteteve rome dhe egjiptiane në Shqipëri u mbajt më 12 dhjetor 2018 në Tiranë. Rekomandimet që dalin nga seminari do të vlerësohen në mënyrë të rregullt, në veçanti në Nënkomitetet BE-Shqipëri për Stabilizim dhe Asocim për Drejtësinë, Lirinë dhe Sigurinë. Nënkomiteti më i fundit për Drejtësinë, Lirinë dhe Sigurinë diskutoi zhvillimet lidhur me të drejtat e njeriut, rezultatet e arritura dhe masat e planifikuara.

4. Angazhimi financiar i BE-së:

Në vitin 2018, përmes Instrumentit të Ndihmës për Para-Anëtarësimin (IPA), BE-ja vazhdoi të ofrojë mbështetje në vlerë prej 4 milionë Eurosh për fuqizimin ekonomik dhe social të komuniteteve rome dhe egjiptiane në Shqipëri dhe 14.3 milionë Euro për ndërtimin e një qendre paraburgimi dhe një burgu në Shkodër, sipas standardeve të BE-së, që u finalizua në vitin 2018.

Nëpërmjet Instrumentit Evropian për Demokraci dhe të Drejtat e Njeriut (EIDHR), dy projekte, të filluara në vitin 2017 vazhduan zbatimin në vitin 2018, duke synuar mbrojtjen e fëmijëve dhe fuqizimin e grave në rajonet malore në veri të vendit. Përveç kësaj, në vitin 2018 filluan dy kontrata të reja (gjithsej 1.2 milionë Euro) në mbështetje të fëmijëve dhe të rinjve në konflikt me ligjin dhe për mbrojtjen e të drejtave LGBTI. Në kuadrin e Programit për Shoqërinë Civile dhe Median të financuar nga BE-ja (2016-2017), Shqipëria mbështeti organizatat e shoqërisë civile me një shumë totale prej 5.4 milionë Eurosh, me qëllim ngritjen e kapaciteteve të organizatave vendore të shoqërisë civile për trajtimin e çështjeve të ndryshme të të drejtave të njeriut.

BE-ja po siguron gjithashtu mbështetje financiare rajonale për Shqipërinë nëpërmjet projektit “Horizontal Facility” për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë i Këshillit të Evropës. Çështjet e trajtuara nga projekti ishin, ndër të tjera: kapacitetet e autoriteteve gjyqësore, duke përfshirë mbështetjen e mjeteve juridike efektive vendase dhe lehtësimin e zbatimit të vendimeve në fushën e të drejtave pronësore; korniza strategjike / legjislative e antikorrupsionit; dhe antidiskriminimi, me fokus në kuadrin ligjor dhe kapacitetet e organeve kryesore përgjegjëse për mbrojtjen nga diskriminimi. Në kuadrin e komponentit të fundit, “Horizontal Facility” u përqendrua te burgjet, pakicat dhe ngacmimet në shkollë.

5. Konteksti multilateral: Në shtator 2018 u miratua një Plan Veprim Ndërinstitucional (2018-2020) mbi zbatimin e Rezolutës 1325 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. U miratuan ndryshime në Ligjin “Për dhunën në familje” në përputhje me Konventën e Stambollit. Ligji tani siguron mbrojtje të menjëhershme të viktimave të dhunës në familje. Në maj 2019, Shqipëria pritet t’i nënshtrohet ciklit të tretë të Rishikimit Periodik Universal (UPR). Shqipëria ka vazhduar të bashkëpunojë me Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Një marrëveshje bashkëpunimi me Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP) u nënshkrua në korrik dhe u ratifikua nga Kuvendi i Shqipërisë në nëntor 2018.

Lexoni këtu raportin e plotë:

Languages:
Seksionet editoriale: