Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë
Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian në Kosovë

Dita e Evropës u takon kosovarëve po aq sa u takon qytetarëve të BE-së

10/05/2019 - 09:53
News stories

Fjalimi për Ditën e Evropës nga Shefja e Zyres së BE-së/Përfaqësuesja e Posaçme e BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova

 

I nderuari Kryeministër

Shkëlqesitë e Juaja, të nderuar ambasadorë,

ministra dhe kryetarë të komunave,

zonja dhe zotërinj të shquar

Jam shumë e nderuar të festoj ditën e Evropës me të gjithë ju dhe e lumtur që kaq shumë prej jush jeni bashkuar me ne sot.

Të bashkuar në diversitet do të qëndrojmë. Uniteti nuk është diçka që duhet marrë si i mirëqenë. Uniteti kërkon kompromis, besim dhe vullnet të mirë. Uniteti është i bazuar në bashkëpunim. Bazohet në vlerën e të qëndruarit së bashku në një botë gjithnjë e më të pasigurtë.

Vlerat e Bashkimit Evropian janë universale. Nuk janë pronë e BE-së. Ato janë vlera të përbashkëta. Por ne i identifikojmë ato me vlera evropiane për t'ia kujtuar vetes mësimet e një të kaluare të dhimbshme. Këto vlera të demokracisë, sundimit të ligjit, barazisë gjinore, respektimit të pakicave dhe promovimit të të drejtave universale të njeriut, të bashkëpunimit dhe kompromisit janë ato që kanë siguruar kontinentin tonë prosperues dhe paqësor.

Jemi shumë krenarë me projektin tonë evropian.

Këto vlera janë sfiduar, madje edhe kërcënuar, nga brenda BE-së dhe nganjëherë edhe në Kosovë. Herë pas here, ka përpjekje serioze për të minuar sundimin e ligjit dhe liritë demokratike. Pas 3 javëve do të mbajmë zgjedhjet evropiane, dhe këto zgjedhje kanë të bëjnë edhe me sigurimin e atyre vlerave dhe lirive.

Kjo ditë na takon të gjithëve. Kjo ditë i takon kosovarëve aq sa u takon qytetarëve të BE-së. Ajo përfaqëson festimin e vlerave të përbashkëta tëcilat jemi duke i mbrojtur bashkërisht.

Gjatë tre viteve e gjysmë sa jam këtu kam takuar qindra kosovarë të rinj që aspirojnë të njëjtat vlera dhe mundësi si bashkëmoshatarët e tyre në vendet e BE-së; me energji dhe entuziazëm të pabesueshëm. Ndërsa filluam fushatën tonë "Të flasim për ekonominë" kam hasur një brez të ri sipërmarrësish dhe shumë të tjerë i kam takuar gjatë viteve të fundit. Është rinia dinamike e Kosovës që kërkon diqka më mirë nga ne të gjithë dhe nga Kosova. Pa dyshim, është një frymë evropiane!

Kjo është arsyeja pse BE-ja e ka vendosur, dhe do të vazhdojë, ta vendosë rininë dhe arsimin si priroitet kryesor. Arsimimi i mirë është çelësi për të siguruar një të ardhme prosperuese. Duam ta shohim sistemin arsimor të denjë për potencialin e rinisë që kam takuar.

Që Kosova të ketë sukses në planin afatgjatë, nxitja duhet të vijë nga brenda. Të rinjtë po e tregojnë rrugën. Asnjë udhëheqës nuk duhet të jetë i kënaqur me një perspektivë ku më të mirët dhe më të zgjuarit duan të largohen. Në vend të kësaj, ata duhet të bëjnë gjithçka që është në fuqinë e tyre që ata të duan të qëndrojnë në Kosovë. Investimi në arsim, krijim të vendeve të punës, sundim të ligjit dhe zhvillim të qëndrueshëm është rruga e drejtë.

Është detyra jonë që çdo ditë t’u përmbahemi vlerave tona të përbashkëta përballë sfidave të vështira. Kjo është në fakt sfida e çdo shoqërie demokratike, si në Evropë ashtu edhe në Kosovë.

Gëzuar Dita e Evropës!

Seksionet editoriale: