Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë
Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian në Kosovë

Verëtarët e Rahovecit i qasen tregut të Bashkimit Evropian

26/04/2019 - 14:19
News stories

Projekti “Mbështetje e komunikimit të procesit të integrimit evropian” i financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, në bashkëpunim me Ministrinë e Integrimit Evropian, synon që të rrisë vetëdijen e qytetarëve për katër fusha me rëndësi që parashihen në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, si Bujqësia, Mbrojtja e konsumatorit, Siguria e ushqimit dhe Siguria në punë.

Industria e verës në Rahovec ka shënuar përparim të dukshëm në prodhim dhe eksport në vendet e Bashkimit Evropian. Bejtullah Haxhimurati, nga Biopak Winery, thotë se kompania që ai përfaqëson, rreth 80% të prodhimit e eksporton në tregun e jashtëm. “Kjo është arritur falë punës sonë të pandalshme dhe donacioneve në teknologji që kemi marrë nga zyra e BE-së në Kosovë”, është shprehur Haxhimurati.

Haxhimurati e paraqiti këtë të dhënë, në një panel diskutimi të zhvilluar në Shtëpinë e Verës në Rahovec, që u organizua në kuadër të projektit “Përkrahje për komunikim në procesin e integrimit evropian”, i financuar nga zyra e BE-së në Kosovë, në bashkëpunim me Ministrinë e Integrimit Evropian. Por, ai dhe prodhuesit tjerë kërkuan nga Institucionet e Kosovës që të mbështesin më shumë prodhuesit vendor.

 

 

Kryetari i Komunë së Rahovecit, Smajl Latifi, ka deklaruar se përkundër vështirësive që kanë fermerët, ai krenohet me rezultatet që kanë arritur. “Ne kemi gjetur rrugë për të eksportuar në tregun e jashtëm, si vera, rakia e rrushit, prodhime që dalin nga rrushi. Ekportojmë edhe perime dhe produkte që vijnë nga perimet, mirëpo shtimi i eksportit dhe vazhdimi i reformave për krijim të lehtësirave të mëtutjeshme për prodhuesit tanë, sigurisht që ndikon në rritjen e rezultateve për prodhuesit tanë. Ne jemi të interesuar për më shumë mundësi që të përfshihemi më mirë në skemën e granteve të Ministrisë së Bujqësisë dhe në parteritetet e tjera që kanë edhe Ministria e Integrimit Evropian, si dhe nga fondi mbështetës i BE-së në Republikën e Kosovës”, ka deklaruar Latifi.

Ndërkohë, Arton Osmani, menaxher i projekteve për bujqësi në zyrën e BE-së në Kosovë, ka kërkuar nga prodhuesit vendor të verës që bashkërisht të punojnë në përmirësim të infrastrukturës dhe të plotësojnë standardet e BE-së, në mënyrë që t’i qasen një tregu me më shumë se 500 milion banorë. “Në 10 vitet e fundit e kemi mbështetë sektorin privat të Bujqësisë me grante. Ne planifikojmë të vazhdojmë të mbështesim rajonin e Rahovecit edhe këtë vit, sepse është vlerësuar si potencial për zhvillim të mëtutjeshëm, dhe tregu për eksport është më lehtë i qasëshëm në raport me prodhimet tjera”.

 

 

Sipas Nuhi Nurës, shef i Divizionit për bujqësi, pylltari, zhvillim rural dhe siguri të ushqimit, në Ministrinë e Integrimit Evropian, në negociatat me Komisionin Evropian për implementim të Marëveshjes së Stabilizimit, është arritur që t’i mundësohet prodhuesve vendorë që të eksportojnë në tregun e BE-së pa asnjë tarifë doganore. “Kosova, që nga hyrja në fuqi e MSA-së, ka shfuqizuar tarifat doganore për 1,044 nga 2,564 produkte bujqësore nga BE-ja. Në saje të koncesioneve me BE-në, i lejohet Kosovës që të gjitha produktet bujqësore t’i eksportojë në shtetet e BE-së me tarifë doganore zero”, ka thënë ai.

Seksionet editoriale: