Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë
Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian në Kosovë

Fjalët e Kryesuesit të Komisionit për Punë të Jashtme, z. David McAllister

04/03/2019 - 09:40
Lajmet

Check against delivery

Delegacioni i Parlamentit Evropian (MEP), kryesuar nga Kryesuesi i Komisionit për Punë të Jashtme, z. David McAllister (EPP, DE), vizitoi Kosovën prej 28 shkurtit deri 2 mars 2019. Në fund të vizitës z. McAllister iu drejtua medieve. Këto janë fjalët hyrëse të tij:
 

Unë jam David McAllister dhe jam Anëtar i Parlamentit Evropian nga Gjermania dhe kam nderin të jem kryesues i Komisionit për Punë të Jashtme. Këtë javë Serbinë dhe Kosovën vizituan 6 Anëtarë të Parlamentit Evropian që përfaqësojnë 5 grupet më të mëdha politike në Parlament. Njëkohësisht në Shqipëri dhe Maqedoni të Veriut shkoi një delegacion tjetër nga Parlamenti Evropian– këto janë misionet tona të fundit jashtë BE-së para zgjedhjeve evropiane dhe si prioritet kemi zgjedhur Ballkanin Perëndimor.

Kemi kënaqësinë të jemi në Prishtinë sot. Kemi arritur të enjten në mbrëmje. Së bashku me z. Elmar Brok (EPP), znjsh Neena Gill (S&D) dhe Raportuesin për Kosovë, z. Igor Soltes (Greens), jemi takuar me Kryeministrin Ramush Haradinaj, Zëvendës Kryeministrin Enver Hoxhaj, Ministrin e Drejtësisë Abelard Tahiri, Ministren për Integrime Evropiane Dhurata Hoxha, Kryeparlamentarin Kadri Veseli, Deputetë të Parlamentit që kryesojnë Komisionet dhe Anëtarë që përfaqësojnë koalicionin dhe partitë opozitare duke përfshirë parlamentarë nga Srpska Lista.

Gjithashtu jemi takuar me përfaqësues të shoqërisë civile si dhe disa studentë të Universitetit të Prishtinës që ndajnë shpresat dhe shqetësimet për të ardhmen evropiane të Kosovës.

Dua të filloj me agjendën e reformave në Kosovë. Jemi të lumtur që shohim progres në aprovimin e reformave në fushën e Sundimit të Ligjit – ku është rishikuar Kodi Penal dhe Ligji për Konfiskim të Pasurisë – si dhe reformat në administratën publike. Kjo ka të bëjë me luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Kjo është për modernizim të institucioneve kosovare kryesisht gjyqësorit. Megjithatë, nuk mjafton vetëm aprovimi i legjislacionit: çelësi është tek implementimi. Gjithashtu, vëmendje duhet kushtuar edhe sektorëve tjerë – si për shembull arsimit, punësimit dhe mjedisit.

Bashkësia Evropiane përkrah Kosovën në gjitha fushat e reformave dhe çdo vit e mbështet Kosovën me 100 milion euro. Më lejoni të theksoj që pas Palestinës, BE-ja në Kosovë shpenzon më së shumti për kokë banori.

Ne investojmë në fusha siç janë arsimi, sektori i energjisë, mjedisi – duke përfshirë cilësinë e ajrit! - infrastruktura, ekonomia dhe shumë tjera. BE-ja gjithashtu ofron ekspertizë për të gjitha këto fusha – por edhe për fushën e policisë, gjyqësorit dhe sundimit të ligjit. E tëra kjo tregon që BE-ja ka investuar shumë – dhe akoma investon – në të ardhmen e Kosovës.

Integrimi evropian nuk mund të realizohet pa të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor në BE. Por, më lejoni të jem i qartë – as Kosova, dhe as Serbia nuk do t’i bashkohen BE-s pa një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht detyruese që trajton të gjitha çështjet e mbetura. Dhe ka shumë të tilla – drejtat për minoritetet, çështjet pronësore, personat e zhdukur, kthimi dhe ristrehimi i refugjatëve dhe shumë të tjera.

Por, për t’i zgjidhur këto çështje, ne duhet të rinisim dialogun. Këtë vit e kemi një mundësi të vogël, pa zgjedhje të rregullta në Kosovë dhe Serbi dhe një Përfaqësuese të Lart të përkushtuar, znj. Mogherini që është duke punuar shumë në këtë drejtim dhe më lejoni të theksoj, me neutralitet të plotë. BE-ja është moderatore në këtë dialog, nuk jemi duke propozuar asnjë skenarë, thjeshtë dëshirojmë që Kosova dhe Serbia të arrijnë një marrëveshje.

Prandaj këtë javë kemi përsëritur atë çfarë tashmë është thënë nga shumë miq të Kosovës. Tarifa doganore duhet të ndërpritet. Fuqimisht rekomandojmë vazhdimin e dialogut për të zgjidhur të gjitha çështjet me Serbinë dhe qasjen në shtegun drejt BE-së. Këtë rekomandojmë sepse duam një dialog të suksesshëm.

Sa i përket liberalizimit të vizave, Parlamenti Evropian beson që “janë përmbushur kushtet për liberalizim të vizave” dhe “është qenësore të aprovohet liberalizimi i vizave për Kosovën pa ndonjë vonesë”. Këtë qëndrim ka shumica e Parlamentit Evropian.

Kosova me të vërtetë ka përmbushur 95 kushte të parapara për liberalizim. Prandaj, Parlamenti Evropian pajtohet, por për të bindur Shtetet Anëtare që janë duke hezituar, Kosova duhet të vazhdojë të forcojë besimin duke përfshirë Sundimin e Ligjit.

Akoma mbetet shumë për të bërë. Me vendime politike të guximshme por të domosdoshme (kryesisht për dialogun) dhe me mbështetjen e BE-së, unë me të vërtet shoh një të ardhme evropiane për Kosovën.

Shumë faleminderit.

Seksionet editoriale: