Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë
Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian në Kosovë

BE-ja dhe Kosova përfunduan projektin për menaxhimin e migracionit

Prishtinë, 21/02/2019 - 16:39, UNIQUE ID: 190221_13
Press releases

Zyra e BE-së në Kosovë dhe Qeveria e Kosovës mbajtën sot konferencën përmbyllëse për të shënuar fundin e projektit të binjakëzimit të BE-së "Forcimi i Institucioneve të Kosovës në Menaxhimin Efektiv të Migracionit".

Z. Ekrem Mustafa, Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Z. Riccardo Serri, Zëvendës Shef i Zyrës së BE-së në Kosovë/PSBE, dhe Znj. Gerrie Willems, Ambasadorja e Holandës në Kosovë theksuan arritjet kyçe të projektit. Përfaqësues të nivelit të lartë të Shërbimit të Imigracionit dhe Natyralizimit të Holandës dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës gjithashtu paraqitën vlerësimin e tyre mbi projektin.

Përfituesi kryesor është Ministria e Punëve të Brendshme (në veçanti Departamenti për Shtetësinë, Azilin dhe Migracionin dhe Departamenti për Riintegrimin e Personave të Riatdhesuar). Shërbimi i Imigracionit dhe Natyralizimit i Holandës (partneri kryesor), Ministria Federale e Brendshme e Austrisë dhe Agjencia Suedeze e Migracionit, në bashkëpunim me institucionet qeveritare nga Belgjika, Letonia dhe Polonia, si dhe ekspertë individualë nga Sllovenia dhe Lituania kanë dhënë ndihmë gjatë zbatimit të projektit.

Qëllimi ishte rritja e efikasitetit dhe efektivitetit të menaxhimit të migracionit në Kosovë, për të forcuar kapacitetin e institucioneve të përfshira dhe për të harmonizuar menaxhimin e migracionit me standardet e BE-së.

Zëvendës Shefi i Zyrës së BE-së/PSBE, Riccardo Serri, tha se projekti i binjakëzimit jo vetëm që demonstron angazhimin e vazhdueshëm të BE-së ndaj partneritetit tonë me Kosovën në procesin e ndërtimit të kapaciteteve në fushën e menaxhimit të migracionit, por edhe synimin tonë për t'u angazhuar drejtpërdrejt me qytetarët e Kosovës. "Arritjet e këtij projekti janë vetëm një hap tjetër drejt harmonizimit të mëtejshëm midis Kosovës dhe BE-së dhe përmbushjes së obligimeve nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit", tha Serri.

Projekti i financuar nga BE-ja, me një buxhet prej rreth 2.18 milion euro, ka filluar në mars të vitit 2016 dhe do të përfundojë më 28 shkurt 2019.

Projekti ka ofruar mbështetje për Kosovën në komponente të ndryshme. Në komponentin e strategjisë dhe legjislacionit të migracionit është hartuar Ligji i ri për Azilin dhe është ndryshuar/plotësuar Ligji për të Huajt me qëllim harmonizimin e të dy ligjeve me direktivat dhe rregulloret më të fundit të BE-së. Si Ligji i ri për Azilin ashtu edhe ndryshim/plotësimet në Ligjin për të Huajt janë miratuar nga Parlamenti. Për më tepër, janë hartuar udhëzime administrative dhe rregullore në përputhje me standardet e BE-së në fushën e lëshimit të lejeve të qëndrimit, regjistrimit të azilkërkuesve dhe vendimmarrjes për aplikimet për azil, funksionimin e qendrës së pritjes për azilkërkuesit etj.

Për më tepër, janë hartuar Strategjia e re Kombëtare për Migracionin 2019-2023 dhe Plani i Veprimit, si dhe koncepti për mekanizmin e monitorimit dhe raportimit;

Në komponentin për menaxhimin e migracionit, doracaku për procedurat e kontrollit kufitar është rishikuar dhe përditësuar për të gjithë stafin e policisë kufitare që punon në pikat kufitare të Kosovës, me vëmendje të veçantë për trajtimin e migracionit të përzier të migrantëve të parregullt, azilkërkuesve, refugjatëve, viktimave të trafikimit , të miturve të pashoqëruar dhe grupeve tjera të cenueshme.

Në komponentin për riintegrimin e të kthyerve është ofruar ndihmë për rishikimin e planeve komunale të veprimit për riintegrim dhe është zhvilluar një sistem për monitorimin e riintegrimit të të kthyerve;

Për më tepër, janë prodhuar hartat e procesit në mënyrë që të përfytyrohen dhe forcohen proceset e komunikimit dhe koordinimit nga të gjithë akterët në fushën e riintegrimit në nivel qendror dhe lokal;

Për më tepër, është kryer një projekt pilot mbi shkëmbimin e informatave ndërmjet Suedisë (si shembull i një shteti anëtar të BE-së) dhe Kosovës në fushën e kthimit dhe riintegrimit të të kthyerve.

Komponenti i fundit përbëhej nga fushata e ndërgjegjësimit të publikut me qëllim të paralajmërimit të emigrantëve potencialë për rreziqet e migrimit ilegal dhe për t'i inkurajuar ata të qëndrojnë në Kosovë ose të migrojnë në mënyrë legale.

Projekti ishte i rëndësishëm për Qeverinë e Kosovës dhe do të vazhdojë të ketë një ndikim afatgjatë në punën e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe institucioneve të tjera të përfshira. BE-ja ka ndihmuar autoritetet e Kosovës në trajtimin me efikasitet dhe efektivitet të emigracionit (migracioni i ligjshëm, azili dhe migracioni i paligjshëm), duke përshtatur legjislacionin dhe praktikën me standardet e BE-së, duke garantuar cilësinë dhe drejtësinë në vendimmarrje. Për më tepër, BE-ja ka ndihmuar autoritetet e Kosovës në rritjen e migrimit të rregullt dhe të ligjshëm të qytetarëve të Kosovës, si dhe riintegrimin e tyre të qëndrueshëm pas kthimit në Kosovë.

Seksionet editoriale: