Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë
Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian në Kosovë

Përgjatë 16 ditëve, gjithçka duket të jetë e portokalltë në Prishtinë

11/12/2018 - 08:48
Lajmet

Fjalimi i Ambasadores Apostolova në Konferencën Rajonale mbi Qasjen në Drejtësi për Viktimat e Dhunës në Familje dhe Dhunës në Baza Gjinore

 

Check against delivery

I nderuar ambassador, Kryeministër Haradinaj,

Zonja dhe zotërinj

Gëzohem që jam këtu sot dhe ju dëshiroj mirëseardhje të gjithëve në këtë Konferencë Rajonale mbi Qasjen në Drejtësi për Viktimat e Dhunës në Familje dhe Dhunës në Baza Gjinore të organizuar nga Koordinatori Kombëtar për Dhunën në Familje.    

Ky është nëntori im i tretë këtu në Kosovë dhe për këtë arsye hera e tretë që jam dëshmitar i organizimit të fushatës 16 ditëshe të aktivizmit për t'i dhënë fund dhunës në baza gjinore. Duhet të them se jam i impresionuar. Mobilizimi është i përhapur. Janë organizuar më shumë se 100 aktivitete, nga ato simbolike, e deri në veprime më të rëndësishme. Të gjithë kanë për qëllim ngritjen e vetëdijes mbi nevojën për të mbështetur këto viktima, për t'u thënë se nuk janë vetëm dhe se mund të llogarisin në të gjithë ne. Organizatat e shoqërisë civile, institucionet kombëtare dhe partnerët ndërkombëtarë, të gjithë janë të përfshirë. Përgjatë 16 ditëve, gjithçka duket të jetë e portokalltë në Prishtinë.

Pra, më lejoni, që para së gjithash, t'i përgëzoj të gjithë ata që janë përfshirë në fushatën e këtij viti. Përpjekjet tuaja nuk janë të kota dhe po kontribuoni për të fuqizuar viktimat që të flasin dhe shoqërinë kosovare për të kuptuar, gjë që ka vlerë të madhe. 

Barazia gjinore është vlerë themelore e Bashkimit Evropian. Avancimi i barazisë gjinore në të gjitha marrëdhëniet e jashtme të BE-së, përfshirë edhe këtu në Kosovë, është prioritet për BE-në. Kjo është përkthyer në shumë programe dhe projekte në nivel botëror, rajonal dhe aso specifike për Kosovën të cilati financon BE për këtë qëllim. Së bashku me promovimin e mundësive të barabarta ekonomike për gratë dhe burrat dhe avancimin e grave në vendimmarrje, përfundimi i dhunës në baza gjinore ka rëndësi të veçantë. Si mund të përparojmë në barazi kur të drejtat themelore për të jetuar dhe integriteti i grave nuk respektohen? Sigurimi i qasjes efektive dhe me kohë në drejtësi për viktimat e dhunës në baza gjinore është një hap vendimtar drejt integrimit të Kosovës në BE.

Realiteti është se dhuna në baza gjinore mbetet e përhapur si në Kosovë ashtu edhe në mbarë botën, por përgjigja adekuate mbetet e kufizuar në Kosovë. Si shembull, në krahasim me numrin faktik të incidenteve, dhuna në familje në Kosovë mbetet e paraportuar. Ekzistojnë faktorë të ndryshëm që sjellin këtë: lëshimi i pabarabartë i urdhrave të mbrojtjes për viktimat që kërkojnë mbrojtje, mungesa e koordinimit dhe trajnimit të akterëve të zbatimit të ligjit dhe të drejtësisë, moskryerja e vlerësimeve valide të rrezikshmërisë, numri i madh i rasteve të hedhura poshtë, përqindja e ulët e aktgjykimeve fajësuese apo dënimi shumë i ulët, fajësimi i viktimave, mungesa e fondeve për mbrojtjen dhe riintegrimin e viktimave.

Jam i sigurtë që këto dy ditë do të diskutoni për të gjitha këto sfida, të cilat çuan në një përhapje të gjerë të pandëshkueshmërisë për autorët dhe për këtë arsye mungesë të drejtësisë për viktimat. Qëllimi duhet të jetë miratimi në Kosovë i standardeve ndërkombëtare të qasjes në drejtësi për viktimat e dhunës në baza gjinore. Në këtë drejtim, Zyra e BE-së në Kosovë mirëpret nismën e Kuvendit të Kosovës për të ndryshuar Kushtetutën për të përfshirë Konventën e Stambollit në mesin e instrumenteve ndërkombëtare të të drejtave të njeriut zbatimi i të cilave është i detyrueshëm.

Shpresoj që kjo konferencë të na ndihmojë të mendojmë se si, përtej fushatës 16 ditore, të punojmë për t’i dhënë fund dhunës në baza gjinore. Si shembull shumë domethënës, si mund të flasim për drejtësi nëse nuk ka as para të parapara në buxhet për strehimoret e viktimave? Konferenca duhet të ndihmojë Qeverinë e Kosovës që të tregojë se ku janë sfidat, të identifikojë se ku ka nevojë për ndërhyrje dhe të inkurajojë të gjithë aktorët e përfshirë t'u përgjigjen të gjitha gjërave nën përgjegjësinë e tyre.

Në fund, dua t'i kushtoj një fjalë të fundit të gjithë viktimave të dhunës në familje dhe dhunës në baza gjinore që kanë humbur jetën këtë vit dhe një falënderim të veçantë nga Zyra e BE-së në Kosovë për ata nga organizatat e shoqërisë civile të grave në Kosovë, të cilat po nxisin ndryshimin e vërtetë. Ato po mbrojnë viktimat, po i bëjnë institucionet të kuptojnë rolin dhe detyrimet e tyre, po ndihmojnë në ndryshimin e mentalitetit dhe stereotipeve dhe po vazhdojnë të ngrisin zëyrin. Unë ju bëj thirrje të gjithë juve që merrni pjesë sot në këtë konferencë që t'i dëgjoni ato. Ju dëshiroj një konferencë të mirë dhe të frytshme.

Seksionet editoriale: