Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë
Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian në Kosovë

BE-ja mbetet përkrahës i palëkundur i Kosovës në luftën kundër korrupsionit

10/12/2018 - 14:14
Lajmet

Fjalimi i Ambasadores Nataliya Apostolova në lansimin e Javës kundwr korrupcionit në Kosovë 2018

Check against delivery

Të nderuar ambasadorë,

Të nderuar përfaqësues të shoqërisë civile në Kosovë,

Zonja dhe zotërinj;

Është kënaqësi të marr pjesë edhe një herë në nisjen e Javës Kundër Korrupsionit në Kosovë këtë vit. Kjo ngjarje po bashkon autoritetet kombëtare, shoqërinë civile dhe ne, bashkësinë ndërkombëtare, me vetëm një qëllim - për të luftuar korrupsionin. Ky fenomen i rrezikshëm mbetet i rrënjosur thellë në shumë fusha. Minon përparimin në sundimin e ligjit, zhvillimin ekonomik, arsimin dhe sistemet shëndetësore. Shkatërron imazhin e Kosovës. Minon besimin që qytetarët e Kosovës kanë ndaj institucioneve të tyre.

Për Bashkimin Evropian, lufta kundër korrupsionit ka qenë gjithmonë dhe mbetet prioritet. Si pjesë integrale e procesit të integrimit në BE, BE i ka bërë thirrje Kosovës që të ndërmarrë veprime të forta në luftën kundër korrupsionit nëpërmjet Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (SAA), Agjendës Evropiane të Reformave (ERA), procesit të liberalizimit të vizave dhe Raportit të Vendit 2018. Zbatimi i plotë dhe i fuqishëm i të gjitha këtyre politikave mbetet në duart e politikanëve kosovarë të të gjitha vijave.

Kohët e fundit, është bërë përparim i mirë me miratimin e disa ligjeve që kanë të bëjnë me korrupsionin, siç janë: Kodi Penal, Ligji për Mbrojtjen e Sinjalizuesve, Ligji për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, Ligji për Kompetencat e Zgjeruara për Konfiskim dhe Ligji për Parandalimin e Konfliktit të Interesit.

Miratimi i këtyre ligjeve tani duhet të pasohet me zbatim të fuqishëm të tyre përmes: hetimit aktiv dhe ndjekjes penale të korrupsionit dhe veprave të krimit të organizuar; largimit të zyrtarëve publik të dënuar për korrupsion; konfiskimin e pasurive të përfituara përmes mjeteve të paligjshme; zhvillimit dinamik dhe pa kompromis të procedurave disiplinore kundër gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar; si dhe përmes mbrojtjes së atyre që denoncojnë korrupsionin.

Sidoqoftë, zbatimi i ligjit dhe veprimet gjyqësore janë vetëm një anë e monedhës. Luftimi i praktikave korruptive është shumë i lidhur me një agjendë më të gjerë të  qeverisjes së mirë dhe reformës së administratës publike. Për këtë arsye, në Strategjinë e këtij viti për Ballkanin Perëndimor, BE-ja është përqendruar në çështjen e "kapjes së shtetit" dhe ngatërrimit të vazhdueshëm të interesave publike dhe private në të gjitha nivelet e qeverisjes dhe administratës. Adresimi i këtyre çështjeve kërkon emërime të bazuara në meritë pa lidhje politike, tregtare ose patronazhi tjetër.

Fuqizimi i transparencës dhe llogaridhënies është fokusi kryesor i mbështetjes së BE-së për reformën e administratës publike në Kosovë. Parandalimi i praktikave korruptive kërkon përpjekje më të gjera për të siguruar që rregullatorët, ndërmarrjet publike dhe administratat qendrore dhe komunale janë të lira nga nepotizmi dhe që janë të gatshme të zbatojnë ligjet në mënyrë të barabartë. Gjithashtu, përmirësimi i mbikëqyrjes së agjencive dhe rregullatorëve është një domosdoshmëri.

Në këtë drejtim, ne jemi të lumtur të shohim se paketa e propozuar kohët e fundit e ligjeve për administratën publike, që aktualisht gjendet në Kuvendit, përpiqet të adresojë disa nga këto çështje. Ne e inkurajojmë Kosovën që t'i çojë para këto reforma.

BE-ja është dhe do të mbetet përkrahës i palëkundur i Kosovës në luftën kundër korrupsionit, duke forcuar kornizën ligjore dhe institucionale dhe duke harmonizuar mekanizmat e saj me acquis communautaire të BE-së. Kosova - nga ana e saj - duhet të vazhdojë të demonstrojë se është e pamëshirshme në luftën kundër korrupsionit dhe që vazhdon të ndërtojë një administratë të përgjegjshme, efektive dhe efikase. Që kjo të ndodhë, nevojitet konsensus i gjerë politik.  

Më së shumti do të përfitojë populli i Kosovës, nëse korrupsioni nuk është më problem. Ekonomia do të ketë mundësi për të rimarrë veten, me gjasë do të vijnë investime, do të krijohen vende pune, kushtet e jetesës gradualisht do të përmirësohen e kështu edhe imazhi i përgjithshëm i vendit.

Do të shfrytëzojmë rastin këtë javë për të diskutuar çështjet kryesore me të cilat ende ballafaqohet Kosova. Do të diskutojmë për përmirësimet që mund të arrihen për të ndërtuar një shoqëri pa korrupsion. Eshtë po aq e rëndësishme t'i jepet fjala popullit të Kosovës që të flasin dhe të ngrisin shqetësimet e tyre. Në këtë luftë jemi së bashku!

Sot po e nisim Javën Kundër Korrupsionit në Kosovë. Ndërkohë që është e rëndësishme të përfshihemi në ngjarje dhe diskutime gjatë ditëve të ardhshme, duhet të jemi të vetëdijshëm se lufta kundër korrupsionit është diçka që kërkon angazhimin e të gjithëve çdo ditë të çdo viti. Vetëm veprimi ynë i përbashkët, i bashkërenduar dhe i vazhdueshëm do të sjellë një të ardhme më të mirë për të gjithë popullin e Kosovës! 

Seksionet editoriale: