Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë
Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian në Kosovë

Lufta kundër trafikimit është përgjegjësi kolektive

18/10/2018 - 12:00
News stories

Fjala e Ambasadores Nataliya Apostolova në konferencën "Dita e BE-së kundër trafikimit" dhe nisja e Fushatës kundër trafikimit të njerëzve

 

Check agains delivery

Fjala e Ambasadores Nataliya Apostolova në konferencën "Dita e BE-së kundër trafikimit" dhe nisja e Fushatës kundër trafikimit të njerëzve

I nderuari President Thaçi,

Kryeministër Haradinaj,

Të nderuar ministra,

zonja dhe zotërinj,

  • Është nder për mua, si çdo vit tjetër, që të marrë pjesë në ngjarjen në të cilën shënohet Dita e 12-të e BE-së kundër trafikimit. Kjo ditë, e dedikuar për luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore është e rëndësishme sepse shërben për të rritur ndërgjegjësimin, si dhe për të rritur shkëmbimin e informatave, njohurive dhe praktikave më të mira midis akterëve të ndryshëm të përfshirë.
  • Për BE-në, lufta kundër trafikimit të qenieve njerëzore është një nga prioritetet kryesore anembanë botës. Trafikimi i qenieve njerëzore mbetet një formë shumë fitimprurëse e krimit të rëndë dhe të organizuar dhe një shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut, e ndaluar në mënyrë eksplicite me Konventën e BE-së për të Drejtat Themelore. Pothuajse çdo vend në botë është prekur nga trafikimi, qoftë si vend i origjinës, tranzit ose destinacion për viktimat. Është një fenomen që ka një efekt të dëmshëm për individët, shoqërinë dhe ekonominë.
  • Trafikantët shfrytëzojnë dobësitë e njerëzve, të cilat mund të përkeqësohen nga faktorët si varfëria, diskriminimi, pabarazia gjinore, dhuna kundër grave, mungesa e qasjes në arsim, konflikti etnik dhe fatkeqësitë natyrore. Trafikimi i qenieve njerëzore është një formë e skllavërisë së shekullit të 21-të. Ndikon në grupet më të cenuara në shoqëritë tona, përfshi fëmijët. Pas çdo viktime gjenden përvojat shkatërruese dhe vuajtjet që duhet të pranohen dhe adresohen mirëfilli, dhe më e rëndësishmja, të parandalohen.
  • Për më tepër, trafikimi i qenieve njerëzore konsiderohet të jetë një nga aktivitetet më rritjen më të shpejtë të organizatave kriminale transnacionale; është një industri e miliarda eurove, duke kthyer njerëzit në mall. Shkatërron jetën dhe të ardhmen e tyre.
  • Shkalla dhe natyra e trafikimit të qenieve njerëzore në BE dhe të gjitha vendet evropiane, nuk është e lehtë të përcaktohet. Aktivitetet kriminale që ndërlidhen me trafikimin e qenieve njerëzore mund të fshihen në kuadër të ndonjë kriminaliteti tjetër, siç është prostitucioni i detyruar, emigracioni i parregullt ose puna e detyruar. Sipas Kombeve të Bashkuara, sot 27 milionë njerëz janë në skllavëri, ndërsa 700,000-900,000 nga ky numër përfundojnë në trafikimin e qenieve njerëzore për çdo vit.
  • Është e qartë se ka më shumë viktima se ato që përmenden në numrat zyrtar. Ky krim ka një dimension të qartë gjinor. Trafikimi për shfrytëzim seksual, që përfshin kryesisht gra dhe vajza si viktima, vazhdimisht raportohet si formë mbizotëruese.
  • Gjatë viteve, BE-ja ka vendosur një kornizë ligjore të fuqishme dhe ka përcaktuar një strategji gjithëpërfshirëse për veprimet e BE-së për të çrrënjosur trafikimin e qenieve njerëzore. Megjithatë, duhet bërë më shumë, pasi kriza e migracionit dhe kërcënimet transnacionale të sigurisë kanë bërë që njerëzit të jenë më të cenueshëm ndaj rrjeteve kriminale dhe të shfrytëzimit.
  • Për të rritur përgjigjen e BE-së, në dhjetor 2017 BE-ja përshkroi prioritetet e reja në tri fusha kyçe që kërkojnë veprim të menjëhershëm nga BE-ja dhe shtetet anëtare.
  • Këto përqendrohen në ndërprerjen e modelit të biznesit të trafikantëve, përmirësimin dhe fuqizimin e qasjes së viktimave në të drejta, përmirësimin e efektivitetit të hetimeve dhe ndjekjeve penale dhe sigurimin që veprimi i brendshëm dhe i jashtëm i BE-së ofron një përgjigje të koordinuar dhe të qëndrueshme brenda dhe jashtë BE-së. Për shembull, duke përdorur mjetet e BE-së për menaxhimin e kufirit dhe migrim në zbulimin, identifikimin dhe shkëmbimin e informatave dhe të dhënave mbi viktimat e trafikimit dhe trafikantët.
  • BE-ja tashmë e ndihmon Kosovën në këtë luftë. Që nga fillimi i 2017, BE-ja ka financuar një projekt prej 1 milion euro për të luftuar trafikimin e qenieve njerëzore, duke ofruar trajnime specifike për policinë, gjyqtarët dhe prokurorët. Në qershor të vitit 2018, BE-ja financoi projektin Lëvizja përpara me ç’rast u dhanë grante në më shumë se 130.000 euro pesë OJQ-ve lokale për të ndihmuar viktimat e trafikimit përmes granteve. Qëllimi i përgjithshëm i skemës është rritja e gamës dhe cilësisë së kujdesit social dhe shërbimeve mbrojtëse për viktimat ekzistuese dhe potenciale në mënyrë të qëndrueshme. Theksi vihet në përfshirjen sociale, ri-integrimin dhe rikthimin e viktimave ekzistuese dhe potenciale në një jetë normale shoqërore, duke mbështetur pavarësinë e tyre dhe vetë-qëndrueshmërinë. Shumë shpejt do të fillojmë një fushatë ndërgjegjësimi.
  • Kosova si vend origjine, transiti dhe destinacioni i viktimave të trafikimit të qenieve njerëzore luan një rol të rëndësishëm në trajtimin e këtij problemi dhe adresimin e shkaqeve rrënjësore në një mënyrë gjithëpërfshirëse. Siç është përmendur në Strategjinë kombëtare të Kosovës kundër trafikimit të qenieve njerëzore 2015-2019, trafikimi i qenieve njerëzore, si një nga format moderne të skllavërisë përbën një kërcënim për shoqërinë kosovare, veçanërisht duke pasur parasysh tendencat e fundit të rritjes së numrit të viktimave nga vendi, kështu që Kosova ka nevojë të bëjë përpjekje serioze në trajtimin e kësaj dhe për të shfrytëzuar më së miri mbështetjen e BE-së.
  • Së fundmi, ne duhet ta bëjmë çdo qytetar të vetëdijshëm se pavarësisht gjinisë, moshës, origjinës ose përkatësisë etnike, ata janë në rrezik. Vetëm nëse rrisim vetëdijen mund të parandalojmë tragjeditë njerëzore të cilat çdo viktimë mishëron. Duhet të kujtojmë gjithnjë se lufta kundër trafikimit të qenieve njerëzore është përgjegjësi individuale aq sa edhe kolektive. Të gjithë duhet të japin kontribut, përkushtimi është i nevojshëm për të parë rezultate konkrete në luftimin e këtij fenomeni të tmerrshëm. Duhet ta luftojmë në çdo nivel; duhet të punojmë bashkë dhe të përdorim një qasje gjithëpërfshirëse dhe multidisiplinare për të ndihmuar në parandalimin e krimit dhe mbrojtjen e viktimave!

Ju faleminderit!

Seksionet editoriale: