Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë
Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian në Kosovë

Takimi i dytë i Komitetit të Stabilizim Asociimit mes BE-së dhe Kosovës

Prishtinë, 10/10/2018 - 08:48, UNIQUE ID: 181010_4
Press releases

Takimi i 2. i Komitetit të Stabilizim Asociimit mes Bashkimit Evropian dhe Kosovës u mbajt në Prishtinë, më 9 tetor 2018

Takimin e bashkëkryesuan Z. Kushtrim Cukaj, Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Integrimit Evropian dhe Z. David Cullen, Shef i Njësisë në Drejtorinë e Përgjithshme të Komisionit Evropian për Politikat Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit. Takimi u hap me një fjalim mikpritës nga Znj. Dhurata Hoxha, Ministre e Kosovës për Integrime Evropiane.

Në Komitetin e Stabilizim Asociimit u diskutuan zhvillimet kryesore që nga takimi i dytë i Këshillit për Stabilizim Asociim dhe u vlerësua gjendja në lidhje me kriteret politike dhe ekonomike, përafrimi me legjislacionin dhe standardet e BE-së ("acquis"), bashkëpunimin financiar, si dhe zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA) gjatë kësaj periudhe në të gjitha fushat që mbulon ajo.  

Në takim u vlerësua dhe u miratua rezultati i raundit të dytë të mbledhjeve të shtatë nënkomiteteve dhe dy grupeve speciale të mbajtura gjatë vitit të kaluar. Gjatë diskutimeve, u vlerësua përparimi në fushat relevante për Agjendën Evropiane të Reformave, Programin Kombëtar për Zbatimin e MSA-së dhe Programin e Reformave Ekonomike. Të gjitha këto korniza luajnë një rol të rëndësishëm në udhëheqjen e përpjekjeve reformuese të Kosovës dhe zbatimin e MSA-së në të gjitha fushat, me përqendrimin e prioriteteve të rëndësisë politike në fushat e qeverisjes së mirë dhe sundimit të ligjit, konkurrencës dhe klimës së investimeve, punësimit dhe arsimit.

Në takim u diskutuan përparësitë e reformave në të gjitha fushat, përfshi reformën e administratës publike, sundimin e ligjit dhe reformën e gjyqësorit, respektimin dhe mbrojtjen e drejtave themelore dhe reformat ekonomike. Komisioni Evropian përshëndeti ratifikimin e marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi dhe rikujtoi propozimin e vet për liberalizimin e vizave dhe diskutimet në zhvillim e sipër në Këshillin dhe Parlamentin Evropian. Gjithashtu apeloi që Kosova të bëjë përpjekje më të mëdha për të ndërtuar konsensus anembanë spektrit politik në mbështetje të agjendës evropiane, e në veçanti për të përshpejtuar zbatimin e reformave gjithëpërfshirëse për të përmbushur detyrimet e MSA-së.

Në takim u theksua rëndësia e shënimit të progresit në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja midis Prishtinës dhe Beogradit dhe në zbatimin pa vonesë të të gjitha marrëveshjeve të dakorduara. Gjithashtu u nënvizua rëndësia e përparimit të mëtejshëm në integrimet rajonale, përfshi zonën regjionale ekonomike dhe agjendën e lidhjes.

Në takim u theksua rëndësia e harmonizimit me standardet më të mira të BE-së në sektorët kyç, veçanërisht në lidhje me reformën e administratës publike, zhvillimin ekonomik, tregun e brendshëm, arsimin, energjinë dhe mjedisin. Në lidhje me një numër iniciativash të nisura nga qeveria dhe në diskutim në Kuvend, Komisioni theksoi rëndësinë e ruajtjes së një politike makroekonomike të orientuar drejt stabilitetit.

Palët mirëpresin diskutimet e mëtejme të progresit të bërë në këto fusha kryesore gjatë takimit të tretë të Këshillit të Stabilizimit dhe Asociimit më 17 dhjetor 2018.

Seksionet editoriale: