Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë
Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian në Kosovë

Liberalizimi i vizave: KE konfirmon se Kosova i përmbush të gjitha standardet e kërkuara

18/07/2018 - 18:17
Lajmet

Komisioni Evropian konfirmoi sot se Kosova i ka përmbushur dy kërkesat e mbetura për liberalizimin e vizave

Sot, Komisioni konfirmoi se Kosova i ka përmbushur dy kërkesat e mbetura për liberalizimin e vizave, konkretisht për ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit të kufirit me Malin e Zi dhe për arritje të forta në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, duke përmbushur pra të gjitha standardet e përcaktuara në Udhërrëfyesin për Liberalizimin e Vizave. Në maj të vitit 2016, Komisioni i propozoi Parlamentit Evropian dhe Këshillit që të miratonin udhëtimin pa viza në BE për qytetarët e Kosovës, sipas arsyetimit se dy kërkesat e mbetura do të përmbusheshin deri në momentin e miratimit të propozimit. Tash, Komisioni inkurajon Parlamentin Evropian dhe Këshillin që të procedojnë sipas propozimit të tij.

Komisioneri Evropian për Migracionin, Çështjet e Brendshme dhe Shtetësinë, Dimitris Avramopoulos pohoi se: "Kosova ka bërë përparim të madh gjatë dy viteve të fundit në përmbushjen e dy kërkesave të mbetura për liberalizimin e vizave. Sot, mund ta konfirmojmë se tashmë janë përmbushur edhe të dy standardet e mbetura, dhe se të gjitha standardet e tjera vazhdojnë të jenë të përmbushura. Gjithashtu, unë pres nga Kosova që të vazhdojë t’i trajtojë sfidat e migrimit dhe të sigurisë, duke përfshirë luftën kundër korrupsionit. Tash, i bëj thirrje Parlamentit Evropian dhe Këshillit që ta miratojnë me shpejtësi propozimin tonë për heqjen e kërkesave për viza për qytetarët e Kosovës. Ky do të jetë një moment i rëndësishëm për Kosovën, për të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor, dhe për Evropën në tërësi."

Që nga fillimi i dialogut për liberalizimin e vizave me Kosovën në vitin 2012, Komisioni vazhdimisht ka monitoruar përmbushjen e kërkesave të përfshira në Udhërrëfyesin për Liberalizimin e Vizave. Raporti i sotëm konfirmon se që nga koha kur Komisioni paraqiti raportin e tij të katërt të progresit në maj 2016, Kosova i ka përmbushur dy kriteret e mbetura:

- Demarkacioni i kufirit: pas një votimi pozitiv nga ana e Kuvendit të Kosovës për marrëveshjen e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, ky standard u plotësua më 21 mars 2018;

 

- Arritjet në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit: Komisioni e ka monitoruar këtë standard të mbetur gjatë 2 viteve të fundit dhe ka zhvilluar një mision teknik në Kosovë më 3-4 maj për ta vlerësuar më tej përparimin e arritur. Tashmë, Komisioni mund të konfirmojë se autoritetet kosovare kanë pasur dhe kanë përforcuar arritjet e vazhdueshme të hetimeve dhe vendimeve gjyqësore të formës së prerë në rastet e lidhura me krimin e organizuar dhe korrupsionin, duke e përmbushur me sukses standardin përfundimtar.

Gjithashtu, raporti i sotëm konfirmon se Kosova vazhdon t’i përmbushë të gjitha standardet e tjera të përcaktuara në Udhërrëfyesin për Liberalizimin e Vizave në lidhje me ripranimin dhe ri-integrimin, sigurinë e dokumenteve, migracionin dhe menaxhimin e kufijve, rendin dhe sigurinë publike dhe të drejtat themelore që lidhen me lirinë e lëvizjes.

Hapat e Ardhshëm

Tani, propozimi i Komisionit i datës 4 maj 2016 për heqjen e kërkesave për viza për qytetarët e Kosovës duhet të miratohet nga Parlamenti Evropian dhe Këshilli.

Komisioni do të vazhdojë të monitorojë zbatimin e të gjitha kërkesave të përcaktuara në udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave. Pasi të miratohet liberalizimi i vizave për Kosovën, Komisioni do të monitorojë më tej zbatimin e vazhdueshëm të kërkesave përmes mekanizmit të pezullimit të vizave dhe procesit të Stabilizim Asociimit.

Sfondi

Komisioni Evropian nisi dialogun për liberalizimin e vizave me Kosovën më 19 janar 2012. Në qershor 2012, Komisioni i paraqiti Kosovës një Udhërrëfyes për Liberalizimin e Vizave, i cili identifikoi legjislacionin dhe masat institucionale që Kosova duhej të miratonte dhe të zbatonte për të avancuar drejt liberalizimit të vizave. Udhërrëfyesi përcakton një listë gjithëpërfshirëse të reformave, duke përfshirë ri-integrimin dhe ripranimin, sigurinë e dokumenteve, menaxhimin e kufirit dhe të migracionit, azilin, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe të drejtat themelore që lidhen me lirinë e lëvizjes.

Komisioni ka miratuar 4 raporte për progresin e arritur nga Kosova në dialogun për vizat, si dhe ka paraqitur propozimin e tij për heqjen e kërkesave për viza për qytetarët e Kosovës më 4 maj 2016. Propozimi u bazua në arsyetimin se deri në kohën kur propozimi të miratohet nga Parlamenti Evropian dhe Këshilli, Kosova do ta kishte ratifikuar marrëveshjen e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi dhe do të forconte arritjet e saja në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, pra dy standartet përfundimtare

Pasi të miratohet propozimi legjislativ nga Parlamenti Evropian dhe Këshilli, qytetarët e Kosovës me pasaporta biometrike nuk do të kenë më nevojë për viza kur udhëtojnë për qëndrime të shkurtra deri në 90 ditë në të gjitha shtetet anëtare të BE-së, përveç Irlandës dhe Mbretërisë së Bashkuar, si dhe në katër vendet e asociuara në Schengen (Islanda, Lihtenshtajni, Norvegjia dhe Zvicra).

Për më shumë informacioni

Raporti i përditësimit për zbatimin e standardeve të mbetura të udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave nga Kosova

-  Shtojcat e Raportit të përditësimit për zbatimin e standardeve të mbetura të udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave nga Kosova

Deklaratë e përbashkët: për ratifikimin e Marrëveshjes për Demarkacionin e Kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi

Njoftim për Shtyp: Komisioni Evropian propozon udhëtim pa viza për qytetarët e Kosovës

Njoftim për Shtyp: Komisioni miraton raportin përfundimtar për liberalizimin e vizave për Kosovën

Raport i katërt për përparimin e Kosovës në përmbushjen e kërkesave të udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave

Propozimi për transferimin e qytetarëve të Kosovës në listën pa viza për qëndrime të shkurtra në shumicën e shteteve anëtare të BE-së

Seksionet editoriale: