Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë
Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian në Kosovë

Kosova dhe BE-ja diskutojnë tregtinë, industrinë, doganën dhe tatimet

Bruksel, 14/06/2018 - 18:38, UNIQUE ID: 180614_17
Press releases

Kosova dhe Bashkimi Evropian diskutojnë tregtinë, industrinë, doganën dhe tatimet brenda kornizës së MSA-së

Zhvillimet në tregti, doganë, tatime, industri dhe lëvizje të lirë të mallrave gjatë vitit të kaluar u diskutuan sot në Bruksel nga përfaqësuesit e Kosovës dhe të Komisionit Evropian. Ky ishte takimi i dytë i nënkomisionit në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim e Asociimit (MSA) e cila hyri në fuqi në prill të vitit 2016. Në të gjitha fushat, Komisioni dhe Kosova u pajtuan për rëndësinë e zbatimit të agjendës përkatëse evropiane të reformave dhe të prioriteteve të programit të reformës ekonomike, si dhe rekomandimet nga Raporti i Komisionit për Kosovën 2018.

Sa i përket tregtisë, palët e diskutuan integrimin tregtar dhe bilancin tregtar me partnerët kryesorë tregtarë të Kosovës. Kosova i prezantoi zhvillimet lidhur me CEFTA-n. Komisioni e theksoi rëndësinë e thellimit të integrimit ekonomik rajonal dhe i përshëndeti marrëveshjet e arritura në takimin ministror të CEFTA-së në Prishtinë më 27 prill 2018 nën kryesimin e Kosovës. Palët ranë dakord që rregullisht të shkëmbejnë informata lidhur me aplikimin e Kosovës për statusin e vëzhguesit në OBT. Komisioni e theksoi rëndësinë që Kosova t’i miratojë dhe t’i zbatojë ligjet e rishikuara për Masat Mbrojtëse për Importe dhe për Tregtinë e Produkteve të Naftës dhe Karburantet e Rinovueshme dhe ta adresojë çështjen e avullimit të naftës dhe humbjen e mallrave të tjera që prishen.

Sa i përket doganës dhe tatimeve, Komisioni Evropian e theksoi rëndësinë e forcimit të kapacitetit të administratës tatimore dhe të doganës dhe kërkimin e një zgjidhjeje afatgjate për personelin e angazhuar. Komisioni i kërkoi Kosovës që ta luftojë më tej ekonominë joformale dhe të vazhdojë me reformat e administratës tatimore, veçanërisht shkurtimin e kohës për rimbursimin e TVSH-së për bizneset dhe rritjen e nivelit të mbledhjes së borxhit (vonesat në pagesë të tatimeve). Sa i përket Doganës, Komisioni inkurajoi Kosovën që ta ndryshojë Kodin Doganor dhe të Akcizave të Kosovës për ta harmonizuar më tej me legjislacionin dhe praktikat e BE-së.

Sa i përket politikave për industrinë dhe NVM-të, Komisioni Evropian rikujtoi nevojën për ta bërë ristrukturimin e KIESA-s dhe për t’i zhvilluar më tej kapacitetet e saj për ta përmirësuar performancën e saj në promovimin dhe mbështetjen e investimeve, të sektorit privat dhe për zhvillimin e NVM-ve. Komisioni kërkoi përpjekje më të mëdha në rritjen e konkurrencës dhe të potencialit eksportues të bizneseve të Kosovës, për t’i nxjerrë përfitimet e plota të MSA-së. Kosova u zotua që t’i përshpejtojë përgatitjet në COSME, duke përfshirë ngritjen e Konsorciumit të Rrjetit të Ndërmarrjeve.

Në fund, për lëvizjen e lirë të mallrave, Kosova u zotua që ta rrisë kapacitetin e institucioneve dhe të përafrohet më tej me legjislacionin e BE-së duke e përmirësuar infrastrukturën e cilësisë në fushat e standardizimit, akreditimit, vlerësimit të konformitetit, metrologjisë dhe mbikëqyrjes së tregut. Komisioni Evropian i kërkoi Kosovës që ta sigurojë zbatimin e vazhdueshëm të rregulloreve përkatëse në Kosovë.

 

Informata të përgjithshme

  • Marrëveshja e Stabilizim Asociimit është korniza për BE-në dhe administratën e Kosovës që rregullisht t’i diskutojnë çështjet teknike dhe të politikave në lidhje me agjendën evropiane.
  • Komisioni dhe nënkomisioni i Stabilizim-Asociimit bashkëkryesohen nga Komisioni Evropian dhe Kosova. Secili takim rezulton në veprime pasuese të përcaktuara bashkërisht të cilat duhet të realizohen nga autoritetet e Kosovës. Përfundimet nga takimet do të vihen në dispozicion së shpejti në faqen e internetit të Zyrës së BE-së/EUSR në Kosovë https://eeas.europa.eu/delegations/kosovo_en . Janë shtatë fusha që mbulohen përmes mbledhjeve sektoriale të nënkomisioneve, për Drejtësi, Liri dhe Siguri; Inovacion, Shoqëri të Informacionit, Politika Sociale, Edukim dhe Kulturë; Tregti, Industri, Doganë dhe Tatime; Treg i Brendshëm, Konkurrencë, Mbrojtje të Konsumatorit dhe e Shëndetit, Bujqësi, Peshkatari, Pyje, Siguri ushqimore; Transport, Mjedis, Energji, Zhvillim Rajonal; Çështje Ekonomike dhe Financiare, Statistikë. Dy grupe të veçanta e mbulojnë reformën e administratës publike dhe normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
  • Çdo takim i Nënkomisionit i monitoron dhe e shoqëron prezantimin e Kosovës lidhur me reformat dhe identifikon se si BE-ja mund ta ndihmojë në këtë proces. Takimet gjithashtu japin kontribut të drejtpërdrejtë në raportet vjetore të Komisionit Evropian. 
Seksionet editoriale: