Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë
Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian në Kosovë

Kosova angazhohet të zbatojë reforma rigoroze për të përmirësuar rritjen gjithëpërfshirëse dhe konkurrueshmërinë

Bruxelles, 25/05/2018 - 12:45, UNIQUE ID: 180525_3
Press releases

Kosova angazhohet të zbatojë reforma rigoroze për të përmirësuar rritjen gjithëpërfshirëse dhe konkurrueshmërinë, në dialogun me BE-në, Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë

Rritja ekonomike e mbështetur nga rritja e fortë e eksporteve dhe investimeve u shënua si arritje pozitive për Kosovën, ndërsa u theksua sfida që paraqesin pengesat madhore strukturore për rritjen dhe konkurrueshmërinë. Ky ishte vlerësimi i dhënë nga përfaqësues të Shteteve Anëtare të BE-së, Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë, Komisionit Evropian dhe Bankës Qendrore Evropiane, si dhe nga përfaqësues të bankave qendrore të Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë, në takimin e tyre vjetor të dialogut të politikave ekonomike, të mbajtur sot në Bruksel.

Takimi shqyrtoi Programin e Reformave Ekonomike të Kosovës (PRE), duke u fokusuar në veçanti në masat për përmirësimin e stabilitetit makro-fiskal dhe konkurrueshmërisë. Për Kosovën, sfidat më të rëndësishme përfshijnë kapacitetin e dobët institucional për hartimin e politikave ekonomike, rreziqet fiskale të skemës së veteranëve të luftës, qasjen në financa, ekonominë e madhe informale, furnizimin jo të besueshëm me energji dhe papunësinë e lartë të të rinjve, cilësinë e ulët të arsimit dhe nivelin e ulët të regjistrimeve në arsimin parashkollor, si dhe mungesën e një skeme të përgjithshme të sigurimeve shëndetësore.

Shefja e Zyrës së BE-së/Përfaqësuesja e Posaçme e BE-së gjithashtu nënvizoi gjithashtu se duke marrë pjesë në ushtrimin PRE-së, Kosova dhe Ballkani Perëndimor realizojnë një proces të ngjashëm të ndërmarrë nga vendet anëtare të BE-së.

"Kosova duhet të bëjë përparim të guximshëm në reformat ekonomike, në veçanti duke hequr barrierat ndaj rritjes dhe konkurrueshmërisë. Kjo do të sjellë përfitime të prekshme për cilësinë e jetës së popullit në Kosovë. Në të njëjtën kohë, do të mbështesë edhe përpjekjet e Kosovës për të ecur drejt përmbushjes së kritereve ekonomike të Kopenhagenit, duke e afruar më shumë me BE-në".

Ambasadorja Apostolova vlerësoi punën e madhe strategjike të Zyrës së Kryeministrit dhe autoriteteve të tjera në Kosovë. Nataliya Apostolova përgëzoi në veçanti përpjekjet e Bedri Hamzës, Ministër i Financave, për rolin e tij në drejtimin e këtij procesi, si Koordinator i Programit të Reformave Ekonomike në Kosovë.

U miratuan gjashtë rekomandime specifike për Kosovën. Ato fokusohen në:

  1. nevojën për përmirësimin e planifikimin makro-fiskal, parashikimeve dhe vlerësimeve të ndikimit fiskal, si dhe për rritjen e kapaciteteve përkatëse institucionale;
  2. nevojën për përfundimin e proceseve të certifikimit dhe riklasifikimit të veteranëve të luftës, forcimin e kapaciteteve institucionale për planifikimin e investimeve shumëvjeçare, përgatitjen dhe menaxhimin e projekteve të investimeve;
  3. adresimin e mëtejshëm të faktorëve themelorë ligjorë dhe institucionalë që pengojnë qasjen në financa për NVM-të dhe masa të tjera që lidhen me forcimin e sistemit bankar; 
  4. miratimin e Ligjit për Efikasitetin e Energjisë, nevojën për nxitjet e efikasitetit të energjisë për sektorin privat dhe familjet dhe derregullimin e çmimeve të furnizimit me energji elektrike;
  5. luftimin e ekonomisë informale;
  6. përparimin në arsim dhe punësim dhe plotësimin e skemës së përgjithshme të sigurimeve shëndetësore.

Duke komentuar rezultatet, Koordinatori i Programit të Reformave Ekonomike të Kosovës, Hamza, tha: "Programi i Reformave Ekonomike na ndihmon të vendosim përparësi në përdorimin e burimeve publike dhe të përmirësojmë cilësinë e qeverisjes ekonomike, duke respektuar rregullat e shëndosha fiskale. Në këtë mënyrë sigurohet një përdorim i mirë i buxhetit. Qeveria e Kosovës do të bëjë çdo përpjekje për të vazhduar zbatimin e reformave të nevojshme ekonomike".

Dialogu për qeverisjen ekonomike me Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë synon ta përgatisë rajonin për pjesëmarrje të ardhshme në sistemin e koordinimit të politikave ekonomike të BE-së, i njohur si Semestri Evropian.

Fletën informative për Programin e Reformave Ekonomike mund ta gjeni këtu: https://ec.europa.eu/neighbourhood-enlargement/sites/near/files/20180417-erp-factsheet.pdf

 

Konkluzat e përbashkëta të takimit mund t'i gjeni këtu: http://www.consilium.europa.eu/en/press/press-releases/2018/05/25/western-balkans-and-turkey-joint-conclusions-of-the-economic-and-financial-dialogue/

 

Informatat për Programin e Reformës Ekonomike mund t'i gjeni këtu: https://ec.europa.eu/neighbourhood-enlargement/sites/near/files/20180417-erp-factsheet.pdf

Seksionet editoriale: