Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë
Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian në Kosovë

Samiti BE-Ballkani Perëndimor: Forcimi i bashkëpunimit në të gjitha nivelet për të mbështetur transformimin e rajonit

17/05/2018 - 17:33
Summits

Samiti BE-Ballkani Perëndimor riafirmoi sot në Sofje angazhimin e BE-së kundrejt partnerëve të saj të Ballkanit Perëndimor, duke përsëritur përkatësinë e rajonit në familjen evropiane. Samiti përcaktoi veprime për të forcuar bashkëpunimin në fushat e lidhjes, sigurisë dhe shtetit të së drejtës.

"Bashkimi Evropian është dhe do të mbetet partneri më i besueshëm i të gjithë Ballkanit Perëndimor", tha Donald Tusk, President i Këshillit Evropian pas Samitit BE-Ballkani Perëndimor në Sofje, takimi i parë i këtij lloji i udhëheqësve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor pas Samitit të vitit 2003 në Selanik. "Integrimi me Ballkanin Perëndimor është një përparësi kryesore për BE-në dhe unë nuk shoh ndonjë të ardhme tjetër për Ballkanin Perëndimor përveç BE-së. Nuk ka asnjë alternativë, nuk ka asnjë plan B. Ballkani Perëndimor është pjesë integrale e Evropës dhe ai i përket komunitetit tonë", tha Tusk duke konfirmuar vendosmërinë e BE-së për ta forcuar angazhimin e saj në të gjitha nivelet për të mbështetur transformimin politik, ekonomik dhe social të rajonit, duke përfshirë edhe përmes rritjes së asistencës bazuar në progres të prekshëm në shtetin e së drejtës, si dhe në reformat socio-ekonomike.

Samiti doli me masa që synojnë të përmirësojnë energjinë dhe infrastrukturën e transportit, si dhe lidhjen digjitale në rajon. BE-ja dhe partnerët e Ballkanit Perëndimor hodhën gjithashtu bazat për një bashkëpunim edhe më të ngushtë në fushat e sigurisë, migracionit, si dhe në trajtimin e sfidave gjeopolitike. "Ne ramë dakord që ta dyfishojmë Erasmus + për të lejuar më shumë të rinj që të studiojnë në BE. Ne gjithashtu ramë dakord që të punojmë për të ulur tarifat e telefonisë celulare dhe për të krijuar kushte më të favorshme për investimet private duke siguruar garanci më të mira bankare", nënvizoi veçanërisht Presidenti Tusk, duke theksuar se "investimi në lidhjet infrastrukturore dhe njerëzore me Ballkanin Perëndimor dhe brenda tij është në interesin më të mirë të BE-së”.

Samiti dhe Deklarata e Sofjes përqendrohen në rëndësinë e angazhimit të vazhdueshëm të Ballkanit Perëndimor për shtetin e së drejtës, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, qeverisjen e mirë, si dhe respektimin e të drejtave të njeriut dhe të drejtave të pakicave. Zbatimi efektiv i reformave në këto fusha është kyç për përparimin e mëtejshëm të rajonit në udhën evropiane.