Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë
Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian në Kosovë

Kosova dhe BE-ja mbajtën takimin e dytë të nën-komitetit të MSA-së për bujqësi, peshkatari dhe sigurinë e ushqimit

Prishtinë, 17/05/2018 - 17:24, UNIQUE ID: 180518_7
Press releases

Kosova dhe Bashkimi Evropian mbajnë takimin e dytë të nën-komitetit të MSA-së për bujqësi, peshkatari dhe sigurinë e ushqimit

Përfaqësuesit e Kosovës dhe Komisionit Evropian u takuan në Prishtinë për të diskutuar zhvillimet në fushat e bujqësisë, zhvillimit rural, peshkatarisë dhe sigurisë së ushqimit. Diskutimi u mbajt në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (SAA), e cili hyri në fuqi në prill 2016. Në diskutim u mbulua një gamë e gjerë temash, siç janë rritja e kontrolleve të importit të ushqimit dhe kafshëve, forcimi i sigurisë së ushqimit brenda Kosovës; sistematizimi i futjes së të dhënave në bazën e të dhënave për identifikimin, regjistrimin dhe lëvizjen e kafshëve, shfrytëzimi i tokës dhe konsolidimi i tokës, statistikat e importit dhe eksportit bujqësor dhe performanca e institucioneve përgjegjëse për bujqësi dhe sigurinë e ushqimit.

Standardet e BE-së duhet të zbatohen në të gjitha nivelet: kontrollin e importeve dhe eksporteve, regjistrimin e kafshëve, cilat praktika lejohen në kultivimin e ushqimit, mënyra e përpunimit dhe pastaj etiketimi dhe shitja e ushqimit. Disa organe të kontrollit janë të përfshira në garantimin e këtyre standardeve: zyrtarët shëndetësorë, inspektorët, veterinerët, laboratorët. Këto janë themeluar pjesërisht në Kosovë dhe janë në proces të zbatimit të standardeve të BE-së.

Bujqësia dhe siguria e ushqimit kanë përfituar nga asistenca substanciale deri tani, sidomos me kontributin e BE-së në skemën e granteve rurale.

 

Sfondi

• Marrëveshja e Stabilizim Asociimit (MSA) është korniza për BE-në dhe administratën e Kosovës për diskutime të rregullta mbi çështjet teknike dhe të politikave në lidhje me agjendën evropiane. Trupat e MSA-së përfshijnë Këshillin e Stabilizim Asociimit, të mbështetur nga Komiteti i Stabilizim Asociimit, si dhe nën-komitetet e MSA-së, të cilët mbulojnë një gamë të gjerë të Acquis të BE-së. Takimet e trupave të MSA-së japin një kontribut të drejtpërdrejtë në raportet vjetore të Komisionit Evropian.

• Çdo takim i nën-komisionit mbikëqyr dhe përcjell zbatimin e reformave nga ana e Kosovës dhe identifikon se si BE mund të ndihmojë në këtë proces.

• Shtatë fusha mbulohen përmes mbledhjeve sektoriale të nën-komisioneve, për drejtësinë, lirinë dhe sigurinë; inovacionin, shoqërinë e informacionit, politikat sociale, arsimin dhe kulturën; tregtinë, industrinë, doganat dhe tatimet; tregun e brendshëm, konkurrencën, mbrojtjen e konsumatorëve dhe shëndetit, bujqësinë, peshkatarinë, pylltarinë, sigurinë e ushqimit; transportin, mjedisin, energjinë, ndryshimet klimatike dhe zhvillimin rajonal; çështjet ekonomike dhe financiare, statistikat.

• Dy fusha të tjera të mbuluara përmes takimeve të grupeve të veçanta janë reforma e administratës publike dhe normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë.

• Takimet e Komitetit të SA dhe nën-komiteteve bashkë-kryesohen nga Komisioni Evropian dhe Kosova. Çdo takim rezulton në veprime përcjellëse të përcaktuara bashkërisht e të cilat duhet të ndërmerren nga autoritetet e Kosovës.

Koha ndërmjet takimeve lejon zbatimin e rekomandimeve dhe veprimeve përcjellëse të përcaktuara bashkërisht. Konkluzionet e takimeve janë publike dhe mund t’i gjeni në Faqen e Internetit të Zyrës së BE-së dhe http://www.mei-ks.net.

Seksionet editoriale: