European Union Office in Kosovo 
European Union Special Representative in Kosovo

Fitimi i paqes kërkon më shumë se sa ndalimin e dhunës

10/05/2018 - 11:13
Новости

Fjalimi i Shefes së Zyrës së BE-së në Kosovë/Përfaqësuese e Posaçme e BE-së, Nataliya Apostolova, në pritjen për Ditën e Evropës dhe ndarjen e Çmimit "Evropiani i Vitit 2018"

Check against delivery

I nderuar Kryetar Veseli,

I nderuar Kryeministër Haradinaj,

Të nderuar Ministra të Kabinetit,

Të nderuar Anëtarë të Kuvendit,

Shkëlqesi, Anëtarë të Trupit Diplomatik,

Miq evropianë dhe miq të Evropës,

Jemi mbledhur sot për të festuar përvjetorin e deklaratës së Robert Schuman-it, me të cilën nisi rruga drejt paqes dhe unitetit në Evropë.

Etërit themelues të Bashkimit u përpoqën t'i japin fund konflikteve në Evropë, duke e zëvendësuar përdorimin e forcës me forcën e ligjit dhe me bashkëpunimin.

Kemi ecur shumë që nga ajo kohë. Gradualisht dhe në një proces, integrimi evropian ka bashkuar 28 shtete me popullsi të përbashkët rreth 510 milionë qytetarë.

Sot, ideja e konfliktit mes fuqive të mëdha evropiane është e paimagjinueshme. 

Bashkimi Evropian është sot ekonomia e dytë më e madhe në botë; një nga pjesët më të begata të botës, ku inovacioni teknologjik, mbrojtja e mjedisit, menaxhimi i ndryshimeve klimatike dhe zhvillimi i qëndrueshëm vazhdojnë të lulëzojnë.

Të gjitha këto janë arritur përmes angazhimit të të gjitha shteteve anëtare ndaj parimeve të përbashkëta të lirisë, demokracisë dhe respektit për të drejtat dhe liritë themelore të njeriut dhe sundimin e ligjit.

Në këto kohë të trazuara dhe shpesh të paparashikueshme që po jetojmë sot, është e rëndësishme që miqtë tanë në mbarë botën ta shohin Bashkimin tonë si partner të fortë për paqe dhe prosperitet.

Në mbarë globin ne jemi partneri më i madh tregtar, investitori më i madh, donatori më i madh për ndihma humanitare dhe zhvillimore.

Është e rëndësishme që t'i kujtojmë këto arritje, jo vetëm për të shijuar suksesin tonë, por edhe për të vënë në pah sfidat që na presin në të ardhmen.

Zonja dhe zotërinj, miq të Evropës, kolegë

Jemi këtu sot edhe për të shënuar punën shumë të rëndësishme që BE-ja po bën në Kosovë.

Mos të harrojmë se dikur shtetet anëtare armike janë miq dhe partnerë në Bashkimin tonë. Dikur kishim luftë, por tani kemi paqe dhe prosperitet. Duam që ky të jetë mesazhi edhe për partnrët tanë të Ballkanit Perëndimor.

Fitimi i paqes kërkon më shumë se ndalimin e dhunës. Qytetarët e Ballkanit Perëndimor, qytetarët e Kosovës presin dhe duan më shumë.

Ata presin përparim dhe prosperitet; ata presin punë për vete dhe për fëmijët e tyre. Ata presin siguri dhe respekt për dinjitetin njerëzor, një shoqëri pluraliste, barazi dhe sundim të ligjit.

Pritja e tyre është edhe  jona. Kjo është arsyeja pse BE-ja ka qenë vendimtare në përpjekjet ndërkombëtare për të ndërtuar një të ardhme të re për Kosovën që nga viti 1999.

Sot, BE-ja është partneri më i madh tregtar i Kosovës, investitori më i madh dhe donatori më i madh.

Në të vërtetë, që nga viti 1999 Kosova ka marrë më shumë se 2.3 miliardë euro ndihmë nga BE-ja dhe pothuajse 1 miliard euro në mbështetje të pranisë ndërkombëtare.

Gjithashtu, BE-ja e ka ndihmuar Kosovën për të ndërtuar dhe përmirësuar institucionet e saj, si dhe ofron këshilla dhe asistencë për zhvillimin e saj socio-ekonomik.

Strategjia për Ballkanin Perëndimor, e miratuar në muajin shkurt, dërgon një sinjal shumë të fortë dhe të qartë për perspektivën evropiane të të gjithë rajonit të Ballkanit.

Por, ajo gjithashtu detajon udhërrëfyesin për ta arritur këtë. Kosova ka arritur përparim gjatë viteve të fundit. Por mbetet shumë për t'u bërë.

Është e rëndësishme që Kosova dhe fqinjët e saj ta shfrytëzojnë mundësinë e krijuar nga momentumi i ri. Mënyra më e mirë për ta bërë këtë është duke përmbushur angazhimet e Kosovës në forcimin e sundimit të ligjit dhe arsimit, si dhe në zbatimin e reformave të dakorduara në agjendën evropiane.

Mbështetja jonë do të mbetet e palëkundur, por në fund të fundit jeni ju, udhëheqësit e Kosovës - qytetarët e Kosovës, që jeni pronarë të procesit.

Përpjekjet tuaja janë ato që do të vendosin llojin e të ardhmes që do të ketë Kosova.

Jam e bindur se ekziston dëshira dhe ambicia për përparim dhe shpresoj se do të përputhen me zgjidhjet e duhura politike.

Jam e inkurajuar të shoh se perspektiva evropiane i bashkon të gjithë. Kërkohet konsensus dhe unitet kundrejt qëllimit nga të gjitha forcat politike të Kosovës dhe të gjitha komunitetet e Kosovës.

Siç ka thënë Federica Mogherini, Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikën e Sigurisë/Zëvendës Presidente e Komisionit:

"Evropa është çka ne, evropianët, bëjmë prej saj - çdo ditë dhe secili prej nesh"

Dhe, nëse më lejoni, mendoj se Kosova është një prej nesh.

Për këtë arsye, dy vjet më parë kemi themeluar traditën e nderimit të një individi apo institucioni në Kosovë, që ka promovuar dhe avokuar idenë evropiane në Kosovë. Fituesja jonë e parë ishte Majlinda Kelmendi, sportistja më e suksesshme e Kosovës, kurse vitin e kaluar çmimin e mori Erzen Shkololli, kurator dhe artist i mirënjohur kosovar. Pas pak, do të dëgjoni emrin e fituesit të çmimit të tretë të Evropianit të Vitit, por, para kësaj, dëshiroj t'ia jap fjalën Kryetarit Veseli.

Редакционные разделы :

Автор