Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë
Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian në Kosovë

BE në Kosovë nisi fushatën e arsimit dhe hapi Qendrën e Re të Informimit në Mitrovicën e Veriut

Mitrovicë, 07/05/2018 - 16:11, UNIQUE ID: 180508_17
Press releases

BE në Kosovë nisi fushatën e arsimit për Edukimin Cilësor në Mitrovicën e Jugut dhe hapi Qendrën e Re të Informimit në Mitrovicën e Veriut

Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë/Përfaqësuesja e Posaçme e BE-së Nataliya Apostolova, lansoi dje në Kolegjin IBCM (Kampusi i Jugut) në Mitrovicën e Jugut, fushatën e arsimit, e para e fushatave të BE-së mbi ndihmën e BE-së për Kosovën.

Ambasadorja Apostolova, e shoqëruar nga Drejtoresha e Kolegjit Internacional të Biznesit të Mitrovicës (IBCM), Znj. Mihone Kerolli - Mustafa, mbajtën një fjalë për studentët e ftuar dhe përfituesit e BE-së duke cekur se Bashkimi Evropian vazhdimisht përkrah përmirësimin e sistemit arsimor në Kosovë, me infrastrukturë, trajnimin e mësuesve dhe drejtorëve, bursa dhe pjesëmarrje në programet e BE-së si ERASMUS me qëllim përmirësimin e cilësisë së arsimit.

"Shkollimi nuk janë vetëm ndërtesat. Janë librat e mirë, janë mësuesit e aftësuar. Në Kosovë popullata e re është mbizotëruese. Kosova ka shumë potencial, që duhet të përdoret në mënyrën e duhur. Gjeneratat e reja duhet të jenë në gjendje të flasin me njëra-tjetrën, për ta promovuar mirëkuptimin reciprok. Kosova duhet ta tregojë përkushtimin e saj për përmirësimin e cilësisë së sistemit arsimor të saj ", tha Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë/Përfaqësuesja e Posaçme e BE-së Nataliya Apostolova.

Gjatë takimit, studentët dhe pjesëmarrësit nga akademia, si dhe përfituesit nga programet e BE-së, patën mundësinë t’i bëjnë shumë pyetje Ambasadorit për përshpejtimin e programeve të shkëmbimit të studentëve ndërmjet universiteteve të Kosovës dhe atyre të Bashkimit Evropian dhe për reformat e sistemit arsimor për të cilat Kosova ka nevojë.

Zëvendës Kryetari i Mitrovicës së Jugut, z. Faruk Mujka, dhe profesorë dhe studentë nga Mitrovica Jugore dhe Mitrovica Veriore, morën pjesë në këtë eveniment.

Gjatë gjashtë javëve të ardhshme, BE-ja në Kosovë do të organizojë evenimente të ndryshme që lidhen me ndihmën e BE-së për arsimin. BE-ja ka përkrahur reformat arsimore të Kosovës përmes Instrumentit të Asistencës Para-Aderimit (IPA), duke përfshirë përkrahjen për aftësimin profesional sipas kërkesave të tregut të punës dhe zgjerimin e skemave të bursave. Gjatë viteve të ardhshme BE-ja do t’i dyfishojë investimet e veta në arsim, duke arritur shumën rreth 35 milionë euro. 

Ligjëratat dhe debatet e Universitetit do të organizohen si pjesë e Ditëve Erasmus në qytetet kryesore të Kosovës, me palët e interesuara dhe përfituesit nga programet e BE-së që do të flasin për edukimin cilësor dhe përmirësimin e shkollimit në të gjitha nivelet në Kosovë.

Kjo fushatë do të përfshijë një fushatë digjitale #velfie dhe disa aktivitete kulturore.

Për më tepër, "BE një ditë mësim" do të sjellë ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së të flasin me nxënësit rreth rrugës evropiane, arsimit dhe mësimdhënies.

Më pas gjatë ditës, ambasadorja Apostolova inauguroi objektin e Qendrës së re Informative dhe Kulturore të BE në Mitrovicën e Veriut. Gjatë hapjes, ambasadorja Apostolova dha çmimin për fituesin e Konkursit për postera në arsim për z. Srgjan Coniq. Fituesi u zgjodh nga 32 aplikuesit e konkursit.  

Investimi në arsim është investim në të ardhmen dhe është me rëndësi kritike për vendet e punës dhe përparimin e përgjithshëm të shoqërisë. Arsimi cilësor është thelbësor për një fuqi punëtore produktive, e cila kontribuon në rritjen dhe zhvillimin ekonomik.

Seksionet editoriale: