An official website of the European Union. See all European Institutions
An official website of the European Union. See all European Institutions
Zyrtarët nga Kosova dhe Komisioni Evropian janë takuar në Bruksel për të diskutuar zhvillimet gjatë vitit të kaluar në fushat e Transportit, Mjedisit, Energjisë, Klimës dhe Zhvillimit Rajonal. Diskutimi u zhvillua në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA), e cila ka hyrë në fuqi në prill të vitit 2016. Në të gjitha fushat, Komisioni dhe Kosova u pajtuan për rëndësinë e zbatimit të Agjendës Evropiane të Reformave dhe prioriteteve të Programit të Reformës Ekonomike.
Lidhur me mjedisin, Komisioni shprehu shqetësim për progresin shumë të kufizuar në këtë fushë, e cila është me rëndësi të madhe për qytetarët e Kosovës dhe cilësinë e shëndetit dhe jetës së tyre. Në veçanti, Komisioni përsëri shprehu shqetësimin për progresin e kufizuar në monitorimin e cilësisë së ajrit dhe kërkoi zbatim të masave të menjëhershme për të ulur nivelet e ndotjes së ajrit, siç është kërkuar edhe nga Kuvendi në shkurt të vitit 2018
Sa i përket veprimeve klimatike, Kosova ende nuk ka filluar zbatimin e rregullave të BE-së për të luftuar ndikimin e ndryshimeve klimatike. U ra dakord që Kosova duhet të miratojë dhe zbatojë Strategjinë dhe Planin e Veprimit për ndryshimet klimatike.
Janë diskutuar edhe zhvillimet e fundit legjislative dhe të politikave në fushën e transportit. Komisioni nënvizoi nevojën për të vazhduar zhvillimin e projekteve për të ndihmuar në krijimin e rrjetit bazë të transportit për Ballkanin Perëndimor. Të dy palët ranë dakord mbi nevojën për të vazhduar reformat, duke përfshirë forcimin e pavarësisë dhe kapaciteteve të institucioneve rregullatore në sektorin e transportit dhe për të marrë masa konkrete për të përmirësuar sigurinë rrugore, në interes të qytetarëve.
Sa i përket energjisë, Komisioni theksoi rëndësinë e miratimit të një Plani të Veprimit që do të funksionalizojë Strategjinë e Energjisë të miratuar në janar të viti 2018 nga Kuvendi. Kjo duhet të përcaktojë qartë prioritetet e Kosovës në këtë sektor, duke përfshirë plane për përmbushjen e angazhimeve ndërkombëtare si Pakoja e 3-të Energjetike dhe mbyllja e Kosovës A, si dhe rinovimi i termocentraleve të Kosovës B. Sa i përket Kosovës së Re, Komisioni theksoi rreziqet e rëndësishme që lidhen me financimin, ndërtimin dhe ndikimin e mundshëm mjedisor, social dhe fiskal. Komisioni nënvizoi rëndësinë për rritje të ndjeshme të përpjekjeve të Kosovës për energji të rinovueshme dhe efikasitet të energjisë, duke përfshirë krijimin e një mekanizmi financiar mbështetës për financimin e efikasitetit në energji.
U theksua edhe rëndësia e zhvillimit rajonal, veçanërisht përgatitja e mirë e dokumenteve strategjike dhe legjislative.
Informata mbi sfondin
Autori