Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë
Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian në Kosovë

Vizita e Presidentit Juncker konfirmon perspektivën evropiane të Kosovës

27/02/2018 - 09:03
Lajmet

Op-Ed nga Nataliya Apostolova, Shefe e Zyrës së BE-së në Kosovë/Përfaqësuese e Posaçme e BE-së botuar në Koha Ditore

“Nëse duam më shumë stabilitet në rajonin tonë, atëherë duhet të mbajmë një perspektivë të besueshme të zgjerimit për Ballkanin Perëndimor. (...) Bashkimi Evropian do të ketë më shumë se 27 anëtarë. Gjatë negociatave, kandidatët për anëtarësim duhet t'u japin përparësi vendimtare sundimit të ligjit, drejtësisë dhe të drejtave themelore.” 

Presidenti i Komisionit Evropian Jean-Claude Juncker, Fjalimi i Gjendjes së Bashkimit, 13 shtator 2017 

 

 

Kosova ka një perspektivë të qartë dhe të fortë evropiane, sikurse të gjitha vendet e tjera në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Këtë do të pohojë Presidenti i Komisionit Evropian Jean-Claude Juncker nesër gjatë vizitës së tij të parë në Kosovë.

Presidenti Juncker, i cili do të shoqërohet nga Përfaqësuesja e Lartë/Zëvendës Presidentja (PL/ZP) Federica Mogherini dhe Komisioneri Johannes Hahn, do të tregojë se BE-ja është në anën e qytetarëve të Kosovës, teksa ata punojnë me ngulm për t'u afruar më shumë me Bashkimin Evropian.

Ky mesazh është përcaktuar nga strategjia e re e BE-së për Ballkanin Perëndimor. Strategjia është për të 6 partnerët në rajon, për Kosovën po aq sa edhe për të tjerët. Kosova do të jetë pjesë e iniciativave udhëheqëse të paraqitura në kuadër të Strategjisë, çka do ta përforcojë aftësinë e saj për të zbatuar reformat e nevojshme në rrugën e saj evropiane dhe për të arritur një standard më të mirë jetese për popullin e saj. Megjithatë, si për çdo partner tjetër të Ballkanit Perëndimor, kjo perspektivë evropiane do të materializohet vetëm nëse shtohen përpjekjet për reforma dhe nëse Kosova arrin rezultate në fusha si ekonomia, sundimi i ligjit dhe administrata publike.

Strategjia thekson edhe se mosmarrëveshjet kufitare mes vendeve të Ballkanit Perëndimor duhet të zgjidhen përpara se të mund të anëtarësohen në BE.

Nesër, Kuvendi i Kosovës do të diskutojë mbi marrëveshjen e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi. Shpresoj sinqerisht që demarkacionin ta mbështesin të gjitha partitë në Kuvendin e Kosovës dhe që marrëveshja të ratifikohet përfundimisht; kështu Kosova do të tregojë se kujdeset për marrëdhëniet e mira fqinjësore. Dhe, udhëheqësit e saj do të tregojnë se mund të shkojnë përtej politikave partiake. Ratifikimi i marrëveshjes së demarkacionit është një nga kushtet e mbetura për të arritur liberalizimin e vizave, çka u shërben të gjithëve në Kosovë. Në të njëjtën kohë, BE-ja pret përmbushjen e standardeve të tjera të paarritura në lidhje me dëshmi të provuara të dënimeve në rastet e krimit të organizuar dhe korrupsionit të nivelit të lartë. Gjatë viteve 2015-2016, mbi 2,200 pjesëmarrës nga Kosova u përfshinë në shkëmbime studentore, akademike dhe rinore në kuadër të Erasmus +. Ky numër do të rritet me liberalizimin e vizave, i cili do të hapë dyer të tjera për popullin e Kosovës, veçanërisht për bizneset e saj.

Kosova është një demokraci e gjallë, dhe ndonjëherë tregon shenja nxitimi. Kosova është e re; kremtimi i dhjetëvjetorit para një jave e konfirmon këtë. Natyrisht Kosovës i duhet ende kohë që t’i arrijë standardet e demokracive më të vjetra. Rrjedhimisht, Kosova mezi pret ta mbyllë hendekun sa më shpejt të jetë e mundur. Sidoqoftë, ndryshimet në sistemet politike dhe ekonomike, në standardet e sundimit të ligjit dhe sjellje, kërkojnë kohën e tyre. Zbatimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA) do ta sjellë këtë ndryshim. Sidoqoftë, do të kërkojë kohë. Kjo është arsyeja pse MSA-ja është kaq e rëndësishme. Ajo siguron mjete konkrete për të përmirësuar ekonominë, për të krijuar vende pune, për të luftuar korrupsionin, për të forcuar demokracinë dhe sundimin e ligjit, dhe për të rritur stabilitetin politik dhe institucional. Sa më shumë që Kosova e zbaton MSA-në, aq më shumë i përafron standardet e saj me ato të BE-së. Siç do të ritheksojë edhe Presidenti Juncker gjatë vizitës së tij, BE-ja do të vazhdojë të qëndrojë në krah të Kosovës në rrugën e saj të reformave.

Bashkimi Evropian ka qenë dhe do të mbetet partneri kryesor i Kosovës. Ai është investitori dhe partneri më i madh tregtar. Gjysma e të gjitha granteve në Kosovë vijnë nga BE-ja, duke kapur më shumë se 2.5 miliardë euro që nga viti 1999, duke krijuar mijëra vende të reja të punës dhe duke kontribuar në përmirësimin e jetës së popullit të Kosovës sa i përket arsimit, sundimit të ligjit dhe ekonomisë. Për shembull, falë investimeve të BE-së Prishtina sot ka furnizim të pandërprerë me ujë dhe ngrohje qendrore. BE-ja do të investojë edhe 645 milionë euro në Kosovë deri në vitin 2020.

Së fundmi, më lejoni të përmend çështjen e rëndësishme të pajtimit. Bashkë me përmirësimin e bashkëpunimit rajonal, përpjekjet e mëtejshme drejt pajtimit janë vendimtare për të konsoliduar paqen dhe për të siguruar stabilitet të qëndrueshëm në rajon. Të gjitha vendet duhet të përkushtohen pa mëdyshje, si me fjalë ashtu dhe me vepra, për të kapërcyer trashëgiminë e së shkuarës, duke arritur pajtimin. Udhëheqësit e rajonit duhet të marrin përsipër këtë përgjegjësi dhe të udhëheqin me shembullin e tyre. Duhet të arrihet një marrëveshje normalizimi gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht e detyrueshme mes Serbisë dhe Kosovës, në mënyrë që ato të përparojnë në rrugët e tyre evropiane.

Më lejoni të përfundoj duke theksuar bindjen time se e ardhmja e Kosovës është e ndritshme. Unë kam besim tek njerëzit e saj punëtorë dhe që duan një Kosovë më të mirë. Këtë e garanton energjia që ndihet në rrugët e qyteteve të Kosovës, e që gjenerohet nga rinia e saj. Pasuria më e madhe e Kosovës është rinia e saj, e cila është e lirë nga barra e së shkuarës dhe e gatshme të mësojë dhe t’i ndryshojë modelet për të ardhmen. Elitat politike duhet të japin kontributin e tyre për një Kosovë më të begatë, duke u përqendruar në nevojat e popullit të tyre.

Si gjithmonë, BE-ja do të jetë këtu për ta përkrahur Kosovën. Këtë e dëshmon më së miri vizita e Presidentit Juncker, PL/ZP Mogherini dhe Komisionerit Hahn.

Seksionet editoriale: