Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë
Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian në Kosovë

Deklarata e Përfaqësueses së Lartë Federica Mogherini në emër të BE-së për Ditën e të Drejtave të Njeriut, 10 dhjetor 2017

Bruksel, 12/12/2017 - 09:29, UNIQUE ID: 171212_7
Press releases

Në vitin 1948, pas Luftës së Dytë Botërore shkatërruese, e cila solli ndarje te dhimbshme në Evrope dhe okupimin e shumë shteteve evropiane, bashkësia ndërkombëtare u zotua të përkufizoj, promovoj dhe të mbrojë të drejtat e njeriut. Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut, të cilën e shënojmë me 10 dhjetor, ka mishëruar këto parime të përbashkëta dhe ka pas ndikim të madh në zhvillimin e botës. Megjithatë, gati shtatëdhjetë vjet më vonë, jemi larg nga respektimi i plotë i këtyre zotimeve në të gjithë botën dhe e kuptojmë që të gjitha shtetet duhet të bëjnë më shumë për këtë.

Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut është miratuar pa kundërshtim nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së me 10 dhjetor 1948, ndërsa këtë vit Dita e Drejtave të Njeriut shënon lansimin e fushatës njëvjeçare për kremtimin e 70 vjetorit, në vitin 2018. Gjatë përgatitjeve për këtë përvjetor, nuk sfidohen vetëm të drejtat dhe liritë, por edhe hapësira për shoqërinë civile vazhdon të tkurret në shumë vende anembanë botës.

Si Bashkim Evropian, që nga fillimi kemi bërë mbrojtjen e të drejtave të njeriut jo vetëm si themel të politikave tona të brendshme dhe të jashtme, por edhe të vetë Unionit sonë. I shohim të gjitha të drejtat e njeriut si universale, të pandashme dhe të pavarura, pa dallim ndërmjet të drejtave civile, politike, ekonomike, sociale dhe kulturore. BE-ja do të vazhdoj të rikonfirmoj zotimin e saj dhe të mbrojë e promovoj universalitetin e të drejtave të njeriut sa herë që ato shkilen ose vihen në dyshim, brenda ose jashtë kufijve të saj.

Bashkimi Evropian do të qëndroj afër të gjithë atyre që ngrenë zërin për të drejtat e njeriut çdo ditë pasi mbrojtësit e drejtave të njeriut ballafaqohen me presion në rritje dhe kërcënime në shumë vende anembanë globit. Ne jo vetëm që i çmojmë, por ne mbështesim aktivisht punën e tyre dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë. Respektimi i plotë i të gjitha të drejtave të njeriut është parakusht për çdo shoqëri demokratike dhe të qëndrueshme, për zhvillim të qëndrueshëm, siguri dhe paqe afatgjate.

BE-ja gjithashtu do të vazhdoj të jetë mbështetësi më i fuqishëm i sistemit multilateral, si një shtyllë e promovimit dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut, duke filluar nga Kombet e Bashkuara deri te Gjykata Ndërkombëtare Penale e deri te institucionet regjionale siç është Këshilli i Evropës. Është përgjegjësi e jona e përbashkët të garantojmë efektivitetin e tyre dhe standardet më të larta të integritetit.

Sot, Bashkimi Evropian dhe shtetet anëtare i bashkohen Kombeve të Bashkuara dhe shumë të tjerëve në thirrjet drejtuar shteteve dhe popujve të ngrihen për të drejtat e njeriut me rastin e Ditës së Drejtave të Njeriut 2017. Shtetet anëtare të BE-së, institucionet, Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së për të Drejtat e Njeriut, Stavros Lambrinidis, dhe Delegacionet, të gjithë sot shënojnë Ditën e Drejtave të Njeriut. Do të vazhdojmë të ngrihemi për të drejtat e njeriut dhe të gjithë ata që luftojnë për t’i mbrojtur ato.

Languages:
Seksionet editoriale: