Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë
Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian në Kosovë

Apostolova: Çdo ditë ta nisim si ditë kundër korrupsionit

04/12/2017 - 13:54
Lajmet

Fjala e Shefes së Zyrës së BE-së/ Përfaqësuese e Posaçme e BE-së, Nataliya Apostolova, në hapen e Javës Kundër Korrupsionit në Kosovë

Të nderuar ambasadorë të Quintit,

Zonja dhe zotërinj,

Është kënaqësi të jem sot këtu dhe të marr pjesë në hapjen e Javës Kundër Korrupsionit në Kosovë. Kjo iniciativë e rëndësishme ka një qëllim shumë të rëndësishëm, trajtimin e një prej fenomeneve më shqetësuese në shoqërinë kosovare, një fenomen që mbizotëron në shumë fusha dhe dëmton sundimin e ligjit dhe zhvillimin ekonomik.

Luftimi i korrupsionit mbetet prioritet për Bashkimin Evropian dhe ky është një nga mesazhet kryesore që do të dëshiroja të përcillja sot. BE-ja, përmes Raportit për Kosovën 2016, agjendës evropiane të reformave të MSA-së dhe procesit të liberalizimit të vizave, ka rekomanduar që Kosova të ndërmarrë hapa të fuqishëm në luftën kundër korrupsionit, si një nga parakushtet në rrugën e integrimit në BE.

Kërkohen veprime konkrete - zyrtarët publikë nën aktakuzë duhet të pezullohen nga funksionet e tyre, kurse ata që dënohen duhet të largohen menjëherë nga funksioni publik. Korrupsioni duhet të çrrënjoset plotësisht nga institucionet publike; interesat private nuk duhet të diktojnë politikat publike dhe sistemin politik. Të gjithë ata që kanë përfituar asete financiare duhet të privohen nga pasuritë e fituara përmes korrupsionit. Duhet të vendoset legjislacioni për të vazhduar me konfiskimin e pasurive. Nuk duhet të ketë imunitet për vjedhjen.

Korrupsioni ka çmim të lartë për shoqërinë në përgjithësi. Ai dëmton mundësitë e punësimit dhe largon burimet nga sektorët aq të rëndësishëm si shëndeti, arsimi dhe mjedisi. Populli i Kosovës do të përfitojë më së shumti nga masat kundër korrupsionit, pasi Kosova do të përfitojë nga rritja e investimeve të huaja, shtimi i vendeve të punës dhe përmirësimi i imazhit.

Një tjetër mesazh kyç që dua të përcjell, dhe rëndësinë e të cilit dua ta theksoj, është se duhet të jemi të bashkuar në këtë luftë! Zyra e BE-së aktualisht ka dy projekte për luftimin e korrupsionit. Iniciativa e parë është "Projekti kundër Krimit Ekonomik në Kosovë (PECK II)", i zbatuar nga Këshilli i Evropës, me një fond të përgjithshëm prej 2,2 milion eurosh.

Projekti i dytë është "Mbështetja e mëtejshme për institucionet e Kosovës në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit", i zbatuar nga 'B&S Europe', me një buxhet prej 2,3 milion eurosh.

Iu bashkova kësaj iniciative për të inkurajuar popullin e Kosovës që me zërin e tij të mos ta tolerojë korrupsionin, të veprojë kundër zyrtarëve dhe praktikave të korruptuara, kundër të gjitha llojeve të korrupsionit. Është edhe përgjegjësia juaj të ndërmerrni rol proaktiv në këtë luftë.

Siç jemi të bashkuar në dënimin e korrupsionit, ashtu duhet të jemi të bashkuar për të vepruar kundër tij. Vërtetë sot po e nisim Javën Kundër Korrupsion në Kosovë, por çdo ditë duhet ta nisim si Ditë Kundër Korrupsionit. Ky është detyrimi jonë ndaj brezave të tashëm dhe të ardhshëm.

Faleminderit!

Seksionet editoriale: