Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë
Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian në Kosovë

Deklaratë nga Përfaqësuesja e Lartë në emër të BE-së me rastin e Ditës Ndërkombëtare për t’i dhënë fund Mosndëshkimit të Krimeve kundër Gazetarëve, 2 nëntor 2017

Në Ditën Ndërkombëtare për t’i dhënë fund Mosndëshkimit për Krimet kundër Gazetarëve, Bashkimi Evropian përgëzon punën e gazetarëve për zbulimin e shpërdorimit të pushtetit, duke hedhur dritë mbi korrupsionin dhe shkeljet e të drejtave të njeriut, si dhe vënien në diskutim të opinioneve të marra, shpesh duke e vënë veten në rrezik kërcënimi, dhune dhe vdekjeje. Një media e pavarur dhe e lirë është baza e një demokracie pjesëmarrëse dhe pluraliste, si dhe një mjet për t’i bërë qeveritë përgjegjëse për veprimet e tyre.

Një sulm kundër gazetarëve përfaqëson një sulm kundër demokracisë dhe shoqërive pluraliste. Informacioni na vjen me një çmim: gazetarët ende persekutohen, ndalohen, madje edhe vriten, jo vetëm në situata konfliktesh të armatosura, por edhe në kohë paqeje, përfshirë në Bashkimin Evropian, siç e pamë për fat të keq para disa javësh. Dhuna kundër gazetarëve dhe aktorëve të medias përfaqëson jo vetëm një sulm ndaj viktimës, por kufizon gjithashtu aftësinë e publikut për qasje në informacion dhe në idetë e çdo lloji, si në rrjet ashtu dhe jashtë tij.

BE-ja vazhdon të përdorë gjithë instrumentet e duhura të jashtme politike dhe financiare për rritjen e cilësisë së gazetarisë, qasjes ndaj informacionit publik dhe lirisë së shprehjes. BE-ja luan një rol kyç në financimin e Qendrës Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias (ECPMF), si dhe siguron mbrojtje të shënjestruar përmes programeve për Mbrojtësit e të Drejtave të Njeriut.

Ne dënojmë vrasjet, aktet e dhunës, kërcënimin dhe ngacmimet kundër gazetarëve dhe aktorëve të tjerë të medias në terma sa më të fuqishme. Ne presim që autoritetet shtetërore të mbështesin detyrimet e tyre ndërkombëtare duke i mbrojtur gazetarët nga frikësimi, kërcënimet dhe dhuna, pavarësisht nga burimi i tyre, qoftë qeveritar, gjyqësor, fetar, ekonomik apo kriminal. Çdo vrasje e paligjshme, keqtrajtim, kërcënim apo sulm ndaj gazetarëve, nga aktorë shtetërorë apo jo shtetërorë, duhet hetuar menjëherë, në një mënyrë efektive dhe të pavarur, me synimin për t’i ndjekur penalisht autorët e këtyre krimeve dhe për t’i nxjerrë ata para drejtësisë. Çdo mosndëshkim për këto krime është një goditje ndaj demokracisë dhe të drejtave themelore, si liria e shprehjes.

Languages:
Seksionet editoriale: