Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë
Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian në Kosovë

Takimi i Bordit të Përbashkët Bashkërendues për Sundimin e Ligjit - KONKLUZIONET E PËRBASHKËTA

KONKLUZIONET E PËRBASHKËTA

Të pranishëm ishin:

 

Z. Nehat Idrizi, Kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës

Z. Abelart Tahiri, Ministër i Drejtësisë

 

Z. Blerim Isufaj, Kryesues i Këshillit Prokurorial të Kosovës

Znj. Alexandra Papadopoulou, Shefja e Misionit EULEX

 

Znj. Nataliya Apostolova, Shefja e Zyrës së BE/Përfaqësuesja Speciale e BE

- dhe bashkëpunëtorët e tyre përkatës

 

 

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK) ishte nikoqir i këtij takimi të BPBSL për herë të parë.

 

1.   Publikimi i Raportit për progresin e arritur nga marrëveshja

Kryesuesit e BPBSL publikuan Raportin për progresin e arritur nga marrëveshja, siç u prezantua nga Sekretariati i BPBSL. Të gjithë kryesuesit u pajtuan që sfidat e ngritura në raport të trajtohen me prioritet.

EULEX-i shprehi shqetësimet për situatën rreth Shërbimit Korrektues të Kosovës, ku ndërhyrjet nga jashtë, trajtimi preferencial i të burgosurve dhe kategorizimi joadekuat vazhdojnë të mbesin sfida të konsiderueshme.

 

2.  Agjenda për Reforma Evropiane (ARE)

Të gjithë kryesuesit mbështetën idenë e inkorporimit të dispozitave juridike të nevojshme në Kodin Penal (në lidhje me largimin e zyrtarëve nga detyra pasi të dënohen) dhe në Kodin e Procedurës Penale  (në lidhje me suspendimin e zyrtarëve gjatë zhvillimit të procedurave penale). Hapi i ardhshëm është miratimi i konceptdokumentit në Qeveri dhe përgatitja e ndryshimeve legjislative përkatëse. MD u zotua për dorëzimin e shpejtë të konceptdokumentit në Qeveri për miratim dhe për pasimin e dispozitave përkatëse.

 

3.  Gjyqësori

KGjK dhe KPK ngritën shqetësime rreth mungesës së buxhetit dhe marrjes së miratimeve nga Ministria e Financave dhe Ministria e Administratës Publike për punësimin e stafit civil. MD ishte zotuar për ngritjen e buxhetit për KGjK dhe KPK me qëllim që të dy këshillave t’u mundësohet përmbushja e kapaciteteve që iu nevojiten dhe që ata t’i përmbushin obligimet e tyre. KGjK dhe KPK u përgëzuan nga të gjithë kryesuesit e BPBSL për përmbylljen e procesit të punësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Kryesuesit e BPBSL u pajtuan për nevojën për rishikimin gjithëpërfshirës të Kodit të Procedurës Penale dhe të Kodit Penal si hap esencial për avancim të mëtejmë drejt një sistemi të sundimit të ligjit funksional dhe të pavarur në Kosovë në përputhje me standardet dhe praktikat më të mira evropiane.  Kryesuesit kosovarë të BPBSL u zotuan që t’i konsultojnë dhe t’i shqyrtojnë komentet dhe rekomandimet e të gjitha palëve kyçe të interesit të angazhuara në proces. PSBE konfirmoi zotimin e saj për t’u përfshirë në procesin e këtij reformimi, në veçanti në lidhje me legjislacionin penal, dhe ritheksoi se Mekanizmi për Rishikim Legjislativ do të vazhdojë me shqyrtimin e të gjitha amandamentimeve vis-à-vis Acquis communautaire dhe praktikave më të mira evropiane. PSBE dhe EULEX iu bënë thirrje të gjithë pjesëmarrësve që komentet nga BE të merren me seriozitet që Kosova të përparojë në rrugën evropiane.

 

4.   Udhërrëfyesit e përditësuar (EULEX)

EULEX-i prezantoi sërish udhërrëfyesit si mjet për përcjelljen e progresit të shënuar në këto fusha të sundimit të ligjit: Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme, Paneli i Apelit për AKP, IMF dhe krimet e luftës.

Kryesuesit e BPBSL u pajtuan që t’i dhënë kontributet e tyre për këta udhërrëfyes për një qasje të re ndaj këtyre çështjeve.

 

5. Raporti i Komisionit Evropian për Kosovën 2016

Kryesuesit e BPBSL u pajtuan për rëndësinë e zbatimit të rekomandimeve nga Raporti për Kosovën 2016 dhe për ndërmarrjen e hapave zbatues pa vonesa të mëtejme. Të gjithë u pajtuan për rëndësinë e zbatimit të plotë të pakos për drejtësinë të vitit 2015 dhe për miratimin e pjesës së mbetur të legjislacionit sekondar me qëllim të zhvillimit të sistemit funksional të drejtësisë. Zyra e BE/PSBE dhe EULEX konfirmuan gatishmërinë e tyre për ndihmë dhe mbështetje të plotë nga ta në këtë proces.

Languages:
Seksionet editoriale: