Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë
Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian në Kosovë

Kosova është Evropë dhe e ardhmja e Kosovës është në Bashkimin Evropian

Më vjen mirë të jem në Kosovë sot, në një javë që shënohet me dy ngjarje të rëndësishme: zbatimi i rëndësishëm i Marrëveshjes për Drejtësi, si dhe raundi i parë i zgjedhjeve lokale.

Porosia ime kryesore për sot është e qartë: Kosova është Evropë dhe e ardhmja e Kosovës është në Bashkimin Evropian. Në fakt, Përfaqësuesja e Lartë Federica Mogherini ka qenë e qartë në ambicien e saj që të shohë Kosovën dhe të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor duke ndërmarrë hapa të pakthyeshëm në rrugën drejt BE-së deri në fund të mandatit të saj. Vetëm muajin e fundit, Presidenti i Komisionit Evropian Jean-Claude Juncker, në fjalimin e tij për Gjendjen e Unionit, konfirmoi mbështetjen e palëkundur të BE-së për perspektivën e zgjerimit të Ballkanit Perëndimor.  

Siç është theksuar nga Presidenti Juncker dhe Përfaqësuesja e Lartë Mogherini, dera e BE-së është e hapur për zgjerime të reja pasi që partnerët e Ballkanit Perëndimor t’i plotësojnë kriteret. Kështu, prioriteti më i lartë i duhet dhënë reformave të domosdoshme, veçanërisht në sundim të ligjit, drejtësi, si dhe të drejta themelore. Në këtë kontekst, BE-ja do të përforcojë angazhimin e tij me të gjithë partnerët e rajonit.

Agjenda e BE-së është agjendë reformash. Reformat janë prioritet i yni. Çfarë do të thotë fjala reformë? Do të thotë administratë efikase që i shërben popullit, do të thotë, siç edhe diskutuam me Kryeministrin, arsim që rrit konkurrencën, ekonomi që mbështet rritjen e punësimin, si dhe sundim ligji që funksionon për të çrrënjosur korrupsionin e krimin e organizuar.

Mesazhi im për të gjithë liderët e Kosovës sot është: shfrytëzojeni këtë dinamikë, mendoni në mënyrë strategjike, e shfrytëzojeni mundësinë për të bërë përparim të rëndësishëm për t’u përafruar me BE-në sa më shpejt që është e mundur.

Si investitori, partneri tregtar e donatori më i madh në Kosovë, BE-ja planifikon të mbështesë këto përpjekje me gati 100 milionë euro në vit. Mbështetja ofrohet për më shumë vende pune, infrastrukturë më të mirë, arsimim të reformuar, sundim më të fortë të ligjit në Kosovë – këto janë gjëra që edhe popullata i kërkon e i pret. BE-ja në Kosovë ka edhe Misionin e vet më të madh të Politikës së Përbashkët të Sigurisë dhe Mbrojtjes (CSDP) EULEX, gjë që demonstron përkushtimin tonë për të ndihmuar Kosovën në sektorin e sigurisë dhe atë të sundimit të ligjit.

Zbatimi i Marrëveshjes për Stabilizim e Asociim (MSA) dhe instrumentit të saj -  Agjendës së Reformave Evropiane, janë qenësore në këtë drejtim. MSA-ja nuk është thjesht një shenjë në një kuti për të kënaqur BE-në. Është për të bërë ndryshim për të mirë në Kosovë. Me zbatimin e MSA-së, standardi i jetesës së popullatës do të rritet në masë të konsiderueshme. Ata do të kenë më shumë siguri, që do të thotë më shumë investime e më shumë vende pune. Njerëzit do të kenë mbrojtje më të mirë para ligjit, si dhe mundësi më të mirë për të kërkuar e gjetur punë në bazë të meritës e në mënyrë transparente.

E dimë edhe sa i rëndësishëm është liberalizimi i vizave për popullin e Kosovës. Pra, është thelbësore që autoritetet e Kosovës të veprojnë në lidhje me kriteret e mbetura për liberalizim të vizave duke ecur përpara me marrëveshjen e demarkimit të kufirit. Kjo është çështja kyçe sot. Duke shfaqur që jeni në gjendje të ofroni zgjidhje, të ushqeni marrëdhënie të mira fqinjësore, e të jeni partner i besueshëm, do të arrini të hapni dyert për investime e të ndihmoni ekonominë e Kosovës të zhvillohet.

E përmenda raundin e parë të zgjedhjeve lokale të mbajtura të dielën. Uroj autoritetet për zgjedhje konkurruese e të mirë-administruara në pjesën më të madhe të Kosovës, siç është vlerësuar nga Misioni i BE-së për Vëzhgim të Zgjedhjeve. Është me rëndësi të trajtohen edhe mangësitë e gjetura nga Misioni i BE-së për Vëzhgim të Zgjedhjeve, ashtu që zgjedhjet e ardhshme të jenë në përputhje me standardet evropiane dhe ndërkombëtare, sigurisht duke marrë parasysh edhe konkurrencën e plotë politike.

Në fund, ca fjalë sa i përket Dialogut me Beogradin. Dialogu ofron rezultate, siç edhe kemi parë këtë javë me zbatimin e Marrëveshjes për Drejtësi. Përfaqësuesja e Lartë Mogherini është plotësisht e përkushtuar për fazën e re të Dialogut dhe suksesin e saj. Gjatë muajve të fundit, ajo ka mundësuar disa takime bilaterale në nivelin më të lartë. Dialogu është çelësi i avancimit të Kosovës dhe Serbisë në rrugën e tyre evropiane. Ai sjell përfitime konkrete për njerëzit dhe kontribuon në siguri e stabilitet në Kosovë dhe të gjithë rajonin. Përfaqësuesja e Lartë do të vazhdojë punën me të gjitha palët për ta përmbyllur këtë proces me sukses e me qëndrueshmëri.

Ju faleminderit.

Languages:
Seksionet editoriale: