Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë
Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian në Kosovë

Takimi i 1-rë i Komitetit për SA mes BE-së dhe Kosovës

Takimi i 1-rë i Komitetit për Stabilizim-Asociim mes Bashkimit Evropian dhe Kosovës u zhvillua në Bruksel më 5 tetor 2017.  Takimi u bashkë-kryesua nga znj. Genevova Ruiy Calavera, Drejtore për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme për Politikat e Fqinjësisë Evropiane dhe Negociatat për Zgjerim në Komisionin Evropian, dhe Dhurata Hoxha, Ministre e Kosovës për Integrim Evropian. 

Komiteti për Stabilizim dhe Asociim i diskutoi zhvillimet e fundit politike me rëndësi dhe bëri një pasqyrë të gjendjes aktuale në lidhje me kriteret ekonomike, harmonizimin me legjislacionin dhe standardet e BE-së (acquis), të bashkëpunimit financiar si dhe zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA).  

Ky takim i vlerësoi dhe aprovoi rezultatet e takimeve të 8 nën-komiteteve dhe 3 grupeve speciale të realizuara gjatë vitit të kaluar. Gjatë diskutimeve, Komiteti bëri një vlerësim të progresit në fushat me rëndësi për Agjendën Evropiane të Reformës dhe Programin e Reformave Ekonomike të cilat luajnë një rol të rëndësishëm në drejtimin e përpjekjeve kosovare për reforma dhe për zbatimin e MSA-së, në fushat si qeverisja dhe sundimi i ligjit, konkurrenca dhe klima e investimeve, si dhe punësimi dhe arsimi.

Në takim u diskutua për prioritetet në reforma, duke i përfshirë sundimin e ligjit dhe reformat gjyqësore, respektimin e të drejtave themelore, reformën e administratës publike dhe reformat ekonomike. Tani pas formimit të qeverisë së re, Komisioni Evropian i bëri thirrje Kosovës që ta kompensojë kohën e humbur dhe t’i zbatojë reformat, si një çështje me prioritet.  Komisioni e inkurajon Kosovën që t'i intensifikojë aktivitetet për ratifikimin e marrëveshjes për kufirin/vijën kufitare me Malin e Zi, dhe ta vazhdojë rrugën e duhur me progresin në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Takimi vuri në theks rëndësinë e përparimit të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja mes Prishtinës dhe Beogradit dhe zbatimin pa vonesë të marrëveshjeve tashmë të arritura. Aty po ashtu u nënvizua rëndësia e progresit në integrimin rajonal, duke e përfshirë zonën rajonale ekonomike dhe agjendën për ndërlidhje.

Në takim u reflektua rëndësia e harmonizimit të standardeve më të mira të BE-së në sektorët kryesorë, sidomos në kuptim të reformës së administratës publike, zhvillimit ekonomik, tregut të brendshëm, arsimit, energjisë dhe mjedisit. Komisioni nënvizoi rëndësinë e sigurimit të një stabiliteti makro-fiskal si parakusht për mbështetje buxhetore të planifikuar për sektorin e BE-së.

Palët me padurim presin të bëjnë diskutime të tjera të përparimit të arritur në fushat kryesore në Këshillin e Stabilizim-Asociimit më 17 nëntor 2017.

Strukturat institucionale të MSA-së e mbikëqyrin zbatimin e MSA-së. Ekziston Këshilli i Stabilizim-Asociimit, me përfaqësues të lartë nga BE dhe Kosova, të cilin atë e kryesojnë me radhë. Ky organ e mbikëqyr dhe e vlerëson procesin nëpërmjet një takimi vjetor. Ai ndihmohet nga një Komitet për Stabilizim-Asociim, i cili takohet çdo vit, në nivel të lartë nëpunësish civil në mes Komisionit Evropian dhe institucioneve të Kosovës. Këto dy organe të nivelit të lartë mbështeten nga nën-komitete, ku janë të angazhuar nëpunës civil të Kosovës dhe të Komisionit Evropian, të cilët takohen gjatë gjithë vitit për t'i diskutuar dhe monitoruar fushat specifike të MSA-së.

Languages:
Seksionet editoriale: