European Union Office in Kosovo 
European Union Special Representative in Kosovo

Përmirësimi i lidhjeve të transportit në Ballkanin Perëndimor: një mjet për paqe dhe pajtim të mëtejshëm

Bruksel, 12/07/2017 - 10:21, UNIQUE ID: 170712_22
Op-Eds

Op-ed nga Komisionerja Bulc rreth bashkëpunimit rajonal në transport në mes të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, i botuar në të përditshmen Koha ditore dhe ueb sajtin e lajmeve Kossev.info

Ballkani Perëndimor është një rajon me të cilin jam jashtëzakonisht krenare - jo vetëm për shkak të historisë së përbashkët që ne ndajmë por sepse Ballkani Perëndimor është një vend i njerëzve të dashur dhe bukurisë së jashtëzakonshme natyrore. Vendndodhja e tij strategjike midis BE-së dhe Azisë do të thotë se rajoni i Ballkanit Perëndimor ka potencial të madh.

Ata që guxuan të ëndërrojnë dy ose tre dekada më parë, kishin një vizion të qartë për vendin tim: një Slloveni e begatë që luan rolin e saj në botë, në front dhe në qendër, duke qenë shembull në skenën evropiane. Shumë pak e kanë menduar se njëzet vjet pas pavarësisë, Sllovenia do të kishte vendin e vet në tryezën në Bruksel. Megjithatë sot ky është realiteti. Sllovenia është pjesë e Eurozonës dhe ka një ekonomi të fortë dhe në rritje. Ka njerëz në Kosovë që kanë të njejtën ëndërr. Poashtu edhe jashtë Kosovës ka njerëz të cilët e kanë të njejtën ëndërr dhe unë jam një prej atyre që guxojnë të ëndërrojnë për një të ardhme të ndritshme për Kosovën.

Jam e bindur se mënyra më e mirë për të sjellur paqe dhe prosperitet në Kosovë është bashkëpunimi i ngushtë me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor si dhe me BE-në. Ashtu siç BE-ja filloi jetën si një komunitet qymyri dhe çeliku, me bashkëpunim ndërkufitar, duke hapur rrugën për paqe dhe prosperitet, unë jam i sigurt se rruga e Kosovës për të ecur përpara është të punojë krah për krah me fqinjët më të afërt në sektorët me interes të përbashkët. Përmirësimi i transportit është një sektor i tillë.

Natyrisht, për të përmirësuar gjërat për të gjithë rajonin, duhet të vendosen rregulla të qarta themelore. Unë e kuptoj historinë e ndërlikuar të këtij rajoni që do të thotë se mund të jetë e vështirë për të lënë mënjanë dallimet e kaluara. Megjithatë, nëse jetët e njerëzve të zakonshëm do të përmirësohen, kërkohet investimi në lidhjet e transportit. Për të tërhequr investimet e nevojshme për mbylljen e hendekut midis Ballkanit perëndimor dhe pjesës tjetër të Evropës, siguria dhe stabiliteti janë parakusht. Është gjithashtu e rëndësishme që shpenzimi i parave në rajon të bëhët në mënyrën e duhur. Kjo do të thotë të përpiqesh të krijosh korridore ndërkufitare dhe lidhje për t'i shërbyer të gjithë rajonit.

BE-ja është e gatshme të mbështesë investimet në rajon dhe e ka bërë këtë për shumë kohë. Një shembull i tillë është kontributi i BE-së prej € 18.2 milion për të përmirësuar lidhjet hekurudhore në mes të ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë, Kosovës dhe Serbisë.

Jam e lumtur që të gjithë partnerët e Ballkanit Perëndimor kanë vendosur të bashkohen dhe të bashkëpunojnë për të përmirësuar lidhjet e transportit brenda rajonit dhe me pjesën tjetër të Evropës. Si dëshmi e kësaj është nënshkrimi i asaj që njihet si Traktati i Komunitetit të Transportit, i cili po ndodh në Trieste këtë javë. Kjo paraqet strukturën në mënyrë që rregullat dhe rregulloret e transportit të standardizohen, duke u përputhur me standardet e BE-së dhe duke lejuar lidhshmëri dhe integrim më të madh me pjesën tjetër të rrjetit evropian të transportit. Investitorët privat janë tërhequr në rajone që tregojnë shenja të stabilitetit dhe sigurisë - kjo është një nga aspektet më të rëndësishme të nënshkrimit të këtij traktati.

Lidhjet e përmirësuara të transportit do të thotë se rajoni mund të eksportojë në tregje të mëdha, të tërheq investime të brendshme për sektorë të ndryshëm nga transporti dhe të rrisë aktivitetin turistik, por lidhjet e përmirësuara gjithashtu ndihmojnë në lehtësimin e jetës së përditshme për njerëzit në Kosovë.

Detyra për Ballkanin Perëndimor është e qartë dhe është e njëjta detyrë që BE-ja u zotua ta ndërmarrë 60 vjet më parë: të ndërtonte shoqëri të forta të ndërvarura në kontinentin tonë, në mënyrë që lufta të mos ishte më kurrë një opsion. Për të pasur paqe të qëndrueshme, ne duhet të sigurojmë prosperitet. Për të pasur prosperitet, ne duhet të sigurojmë investime adekuate. Unë shpresoj se transporti mund të luajë rolin e tij dhe unë jam e frymëzuar nga ajo që kam parë në një rajon kaq të dashur për mua deri tani.

רובריקות: