Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë
Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian në Kosovë

Është koha të marrim përgjegjësi

31/12/2016 - 00:00
Lajmet

OP-ED për Kosova Sot nga Nataliya Apostolova, Shefe e Zyrës së BE-së/Përfaqësuese e Posaçme e BE-së

Viti i Ri është koha për të marrë vendime të reja për një perspektivë dhe frymë më pozitive për vitin e ardhshëm. Përderisa ne i afrohemi vitit 2017 është me rëndësi që të fokusohemi në gjëra të mira dhe në njerëzit tanë të dashur. Është koha që të reflektojmë në vitin që po e lëmë pas, mbi atë se çfarë ishte mirë dhe çfarë do të mund të bëhej më mirë.

Si dikush që ka ardhur në Kosovë vetëm katër muaj më parë, unë sigurisht nuk mund të reflektojë mbi çdo gjë që ka ndodhur këtu gjatë këtij vitit të kaluar. Megjithatë, pas takimit me shumë njerëz, politikanë, udhëheqës të institucioneve, shoqërinë civile, njerëz të biznesit dhe qytetarë të zakonshëm, unë tashmë kam vërejtur se Kosova është një shoqëri sfiduese dhe e gjallë.

Më lejoni të filloj me Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit (MSA) ndërmjet Kosovës dhe BE-së, e cila hyri në fuqi në prill. Përmes MSA-së, Kosova dhe BE-ja për herë të parë kanë krijuar një lidhje formale, një tregues i qartë i perspektivës evropiane të Kosovës. Pasi të zbatohet, MSA-ja do të çojë në një konkurrencë më të lartë të sektorit privat të Kosovës, duke rezultuar në të ardhura më të larta dhe më shumë vende pune. Ajo gradualisht do të prezantojë standarde më të larta për mbrojtjen e konsumatorit, duke çuar në një rritje të sigurisë për konsumatorët e Kosovës. MSA-ja do të sjellë më shumë konkurrencë, potencialisht duke kontribuar në çmime më të ulëta dhe në një shumëllojshmëri më të madhe të mallrave dhe shërbimeve për popullatën e Kosovës. Mjedisi i biznesit do të bëhet më i parashikueshëm, me siguri më të mirë për investitorët vendas dhe të huaj, i cili pritet të krijojë më shumë vende pune për qytetarët e Kosovës. Agjenda për Reforma Evropiane e cila sapo është lansuar është një mënyrë për të filluar zbatimin e MSA-së. Kjo tregon angazhimin tonë konkret në rrugën evropiane të Kosovës.

Do të vazhdoj me liberalizimin e vizave, diçka që qytetarët e Kosovës janë duke e pritur. Pavarësisht nga fakti se Komisioni Evropian dha rekomandimin e tij për liberalizimin e vizave për Kosovën dhe pavarësisht pritjeve dhe shpresave të njerëzve, është fatkeqësi që liderët e Kosovës nuk arritën t’i përmbushin dy kushtet e mbetura të rëna dakord në vitin 2012: përfundimi i procesit të demarkacionit me Malin e Zi dhe forcimi i mekanizmit të gjurmimit për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Kjo është diçka mbi të cilën udhëheqësit e Kosovës duhet të reflektojnë në mënyrë që të zgjidhin më shpejtë këtë çështje në interes të qytetarëve të Kosovës.

Një tjetër gjë që ka nevojë për reflektimin e klasës politike në Kosovë është Raporti i Kosovës 2016 i cili tregoi se ka pak progres në shoqërinë e Kosovës. Duhet të ketë përmirësime në ekonomi, shëndetësi, gjyqësor, arsim, lirinë e shprehjes, etj. Rezultatet e fundit të PISA që treguan performancën e dobët të nxënësve të Kosovës kanë ngritur shumë shqetësime në Kosovë. Duke qenë prind, unë e kuptoj plotësisht këtë. Prindërit duan një edukim të mirë për fëmijët e tyre, si një investim për të ardhmen. Ata duan që fëmijët e tyre të jenë konkurrues në tregun e punës dhe të kenë aftësi që do të përputhen me sfidat e një shoqërie moderne.

Shpresoj se kjo do të shërbejë si një thirrje për zgjim për të gjithë vendimmarrësit në mënyrë që ata të përqëndrohen në atë që është e rëndësishme për popullin e Kosovës, më shumë punë dhe punë më të mira; arsim që do të sigurojë një të ardhme të fortë për të rinjtë e Kosovës, një shoqëri me më pak tolerancë ndaj korrupsionit dhe krimit që do t’i lejojë më të mirët dhe të zgjuarit për të përparuar dhe për t’u punësuar duke u bazuar në merita.

Ose, të përmendim çështjen e cilësisë së ajrit: Kur ju merrni raporte të cilat tregojnë nivel të tillë të lartë të ndotjes së ajrit siç ka ndodhur këto ditë, është e pamundur që të mos brengoseni. Ne të gjithë duam të jetojmë në një mjedis të pastër dhe të sigurt, të pijmë ujë të pastër dhe të thithim ajër të pastër.

Këto janë gjërat themelore për jetën e secilit. Këto janë çështjet të cilat qeveria duhet t’i ketë si prioritet dhe t’i marrë seriozisht.

Kosova ka një perspektivë të qartë evropiane. Vetëm kohët e fundit, taksapaguesit e BE-së kanë dhënë 78 milionë euro përmes fondeve të IPA (Instrumenti për ndihmën e paraanëtarësimit) si ndihmë për popullin e Kosovës që do të përdoren për krijimin e vendeve të reja të punës, zhvillimin ekonomik, mjedisin, luftën kundër korrupsionit dhe qeverisje më të mirë në Kosovë. Tani Kosova duhet të tregohet. Ajo duhet të sigurojë që institucionet demokratike janë funksionale, duke filluar me Kuvendin.

Me një qëllim, udhëheqje dhe një vullnet politik të përbashkët, mund të arrihet më shumë për të bërë Kosovën një vend më të mirë, më të sigurt dhe më të përshtatshëm për të gjithë. Fajësimi i të tjerëve nuk shërben për të mirë dhe nuk është mënyrë për të ecur përpara. Është koha që të gjithë të marrin përgjegjësi dhe t’i vënë interesat e popullit të Kosovës në rend të parë.

Ky do të ishte mesazhi im për vitin 2017. Ju uroj të gjithëve një vit të ri më të mirë, më të shëndetshëm dhe më të suksesshëm!

Seksionet editoriale: